×
Insajderi / Insajderi

Fajësimet e buta Kurti-Vuçiq, Borrell lëvdon të dy – Krejt çfarë ndodhi sot në Bruksel

Insajderi
27 February 2023 - 21:46
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Ishte i kënaqur të njoftonte se liderët janë pajtuar në plotëni për planin evropian për normalizim të marrëdhënieve.

Nuk ka nevojë për diskutime të mëtejme rreth planit, njoftoi Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, shkruan Insajderi.

“Që të dy liderët treguan sjellje të përgjegjshme”.

Teskti i marrëveshjes do të publikohet “së shpejti” pas 5 muajsh negociatash jo-publike, njoftoi ndërmjetësi.

Sa për palën kosovare, Kryeministri Albin Kurti, tha se marrëveshjen do ta kishte nënshkruar qysh sot, por se ishte pala serbe ajo që “ndonëse u pajtuan” refuzuan nënshkrimin e saj.

Ndërkaq, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në versionin e tij, barrën e mosnënshkrimit ia faturoi Albin Kurtit për çështjen e Asociacionit.

Kjo ngase, sipas tij, Asociacioni do të duhej t’i paraprinte marrëveshjes për normalizim. Por, tha Vuçiq, “e dëgjova me kujdes Albin Kurtin” dhe se “kuptova çdo gjë që më tha”. Madje, tha ai, “e kuptova edhe pse Asociacioni është i papranueshëm për të”.

“Por, këto janë obligime që duhet të përmbushen dhe shpresoj të përmbushen në periudhën në vijim”, tha Aleksandare Vuçiq para gazetarëve, shkruan Insajderi.

“Nesër do të flas në detaje dhe do t’ua sjell njerëzve që të shohin se çfarë është pajtuar. Janë 22 parime të cilat janë me rëndësi vendimtare për popullin serb”, tha Vuçiq pas takimit.

Ndërkaq Kurti fajëson Vuçiqin për atë se nuk pati nënshkrim të marrëveshjes.

“Unë mendoj që është dëm që nuk u nënshkrua sonte, meqenëse u pajtuam. Konfirmimi i pranimit të këtij teksti të propozuar, do të duhej të rezultonte me nënshkrim, por ishte pala serbe që nuk e nënshkroi meqenëse u pajtua”.

“Plani i zbatimit do të jetë se si të përkthehet në terren në realitetet e dy shteteve dakordimi për propozimin evropian”. 

“Unë besoj që është koha të mos jap interpretime dominuese, pikërisht në momentin që ky tekst do të lexohet nga të gjithë, por është marrëveshje që plotësisht vendos barazinë mes palëve, e simetrisë dhe fqinjësisë së mirë, gjithmonë në mënyrë demokratike dhe të ardhme.”, ka thënë Kurti.

Deklarimi premtues i Borrellit

Kurti dhe Vuçiq pas pesë orësh të takimeve në Bruksel u pajtuan që propozimi evropian “nuk ka nevojë për bisedime të mëtejme” dhe se ata e kanë pranuar në plotëni atë, ka thënë Përfaqësuesi i Lartë i BE’së, Josep Borrell, shkruan Insajderi.

“Jam i kënaqur t’ju njoftoj”, ishte fjalia hyrëse e Borrellit për të shpallur lajmin e mirë se takimi i sotëm ndërmjet Kurtit dhe Vuçiq ka pasur rezultate të mira.

“Që të dy liderët treguan sjellje të përgjegjshme dhe gatishmëri për të gjetur zgjidhje. Dhe jam i kënaqur të lajmëroj se Presidenti Vuçiq dhe Kryeministri Kurti sot janë pajtuar se nuk ka nevojë për diskutime të mëtejme rreth propozimit të BE’së”, tha Borrelll.

“Pasi që të dy liderët u pajtuan se nuk ka nevojë që ajo të diskutohet më tej, teksti i marrëveshjes do të publikohet në shërbimin e EEAS shumë shpejtë. Kjo marrëveshje është mbi të gjitha për qytetarët e Kosovës dhe Serbisë”, tha ai.

Përveç kësaj, palët janë pajtuar që edhe marrëveshjet e kaluara të zbatohen përfshirë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, tregoi Ndërmjetësi spanjoll.

Për aneksin e zbatimit që është pjesë integrale e marrëveshjes, Borrell tha se pritet finalizimi i saj në mes të marsit, shkruan Insajderi.

“Palët kanë shprehur gatishmërinë e tyre që të vazhdojnë me zbatimin e marrëveshjeve, edhe të atyre të kaluara që s’janë zbatuar, dhe palët kanë shprehur gatishmërinë që me këtë marrëveshje do të vazhdojnë shpejtë në zbatimin e saj”.

“Por, negociata të mëtejme nevojiten, për të përcaktuar modalitetin e zbatimit të dispozitave. Do t thotë që diplomacia fluture do të vazhdojë dhe do të thirrim takim mes dy liderëve në mars, me qëllimin për të finalizuar diskutimet mbi aneksin e zbatimit”.

“Ky aneks zbatimi është pjesë integrale e marrëveshjes dhe duhet që ende të finalizohet. Dua të them se BE ua ka rikujtuar palëve obligimet e tyre për të zbatuar të gjitha marrëveshjet e kaluara që mbesin valide dhe të detyrueshme”.

“Ndërkaq deri në mes të marsit, Lajcak do të duhet të shkojë sërish në Kosovë dhe Serbi dhe të përgatisë takimin e radhës të Niveli të Lartë”, tha Borrell.

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark