×
  • Lajme
  • Lajme

    Gjinekologu që u arrestua për kryerjen e abortit ndaj 13 vjeçares, kishte kërcënuar Arben Vitinë me “gjak deri në gu”

    Insajderi
    15 October 2020 - 17:59
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Dje ka përfunduar në pranga një gjinekolog nga Prishtina, i cili dyshohet për dy vepra penale gjatë marsit, kur kreu abortin ndaj një vajze të mitur, atëbotë vetëm 13 vjeçare.

    Reporteri.net ka mësuar se gjinekologu që u arrestua është Arsim Gashi, i cili po del të ketë mjaft shumë probleme me ligjin.

    Edhe gjatë vitit 2017, Arsim Gashi kishte qenë i arrestuar, pasi kishte kërcënuar disa zyrtarë të Komunës së Prishtinës, ndër ta edhe Arben Vitinë, i cili kishte qenë drejtor i Shëndetësisë. Madje, kërcënimi ishte aq serioz, sa doktori Gashi i kishte shkuar Vitisë para shkollës së fëmijës dhe i kishte thënë se “do të bëhet gjaku deri në gu”.

    Për këtë rast, pati reaguar edhe kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili kishte thënë se gjinekologu Gashi u përket atyre që pengojnë ndreqjen e sistemit shëndetësor.

    “Kërcënuesi Arsim Gashi ka ndjekur z. Vitia teksa ky i fundit bashkë me bashkëshorten po merrnin djalin e tyre nga shkolla. Ai e ka ndalur, dhe në prezencë të familjes e ka sharë, kërcënuar dhe sulmuar fizikisht, duke i dhënë afat 24 orë për ta tërhequr vendimin “ose përndryshe do të bëhet gjaku deri në gju, dhe do të jesh në gjak me mua, e nëse për ‘dërzhavën’ do me hy në gjak me mu, vazhdo”, thoshte Shpend Ahmeti.

    E ky nuk ishte kërcënimi i vetëm i gjinekologut Gashi. Përveç se i shkoi tek shkolla e fëmijëve, ditë më parë i njëjti kishte kërcënuar në zyrë Arben Vitinë. Por jo vetëm kaq. Gjinekologu gjuhë kërcënuese kishte përdorur edhe ndaj Rrezart Halilit, drejtorit të QKMF-së.

    Të tri kërcënimet, gjinekologu që tani po qëndron në mbajtje nga Policia, i kishte kryer brenda një jave. Arsye, sipas Shpend Ahmetit, kishte qenë vendimi për suspendim nga puna për gjinekologun Gashi.

    Edhe pse kreu gjithë këto kërcënime, për çka kishte kritikuar edhe vetë kryetari i Prishtinës, gjinekologu ishte liruar nga Prokuroria dhe rasti është lënë të vazhdojë “në procedurë të rregullt”. Mirëpo, kësaj radhe është ndryshe. Prokuroria ka kërkuar në seancën e mbajtur sot që Gjykata të jap 1 muaj paraburgim për të dyshuarin.

    Sidoqoftë, gjinekologu po dyshohet për dy vepra penale. Njëra është se ekziston dyshimi i bazuar se, i dyshuari A.G., më 15 Shkurt 2020, në cilësinë e mjekut gjinekolog, në ordinancën e tij në Prishtinë, në kundërshtim me ligjin për ndërprerjen e shtatzënisë, pa pëlqimin e të dëmtuarës së mitur, nën moshën 14 vjeçare dhe pa pëlqimin e prindit apo kujdestarit, ka ndërprerë shtatzëninë e të miturës, duke e dëmtuar rëndë shëndetin e saj. Po ashtu, doktori dyshohet se kreu vepër tjetër penale kur me rastin e kontrollimit mjekësor gjinekologjik të të miturës, nuk e ka lajmëruar veprën penale të dhunimit, të cilën e ka zbuluar ushtrimit të detyrës së tij.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark