Përzgjedhësi i ri i Kosovës, Primozh Gliha, në takim me kreun e FFK-së, Agim Ademi, ka premtuar se do të punojë me të gjithë kapacitetin e tij që “dardanët” t’u rikthehen rezultateve pozitive. Përzgjedhësi Gliha së shpejti pritet të takohet edhe me pjesën tjetër të shtabit teknik, tifozët “dardanët” dhe kapitenin Amir Rrahmani.
Kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, të martën e ka pritur në takim tashmë të emëruarin përzgjedhës të Përfaqësueses së Kosovës, Primozh Gliha.
Ademi dhe Gliha diskutuan për vazhdimin e rrugëtimit të Kosovës në kualifikimet e Kampionatit Evropian 2024. Paraprakisht, Gliha do të jetë i pranishëm në ndeshjet e ekipeve të Superligës për garat evropiane, gjithashtu do ta vizitojë edhe Kampin Nacional, atje ku përfaqësueset zinxhirë të Kosovës po zhvillojnë aktivitetet e tyre dhe bashkërisht me ekipin e trajnerëve në përbërje të Afrim Tovërlanit, Arbnor Morinës, Ahmet Beselicës dhe Thomas Richards do të analizojnë me kujdes situatën në të cilën ndodhet Përfaqësuesja e Kosovës dhe do t’i shqyrtojnë mundësitë për të arritur objektivat e FFK-së.
“Kryetari Ademi kërkoi nga përbërja e re udhëheqëse e ekipit përfaqësues që të jetë sa më e përpiktë dhe të veprojë konform normativave të FFK-së për ekipin përfaqësues. Gliha premtoi se do të punojë me shumë përkushtim dhe me të gjithë kapacitetin që ka ekipi përfaqësues për ta kthyer Kosovën në rrugën e fitores dhe për të arritur rezultate sa më pozitive. Ndonëse është shumë e vështirë arritja e objektivit, sipas Glihas, rrugëtimi ende nuk ka përfunduar. Ai e konsideroi përparësi angazhimin disavjeçar në pozicione të ndryshme në futbollin e Kosovës, teksa e vlerësoi përzgjedhjen e ndihmësve të tij. Gliha njëherësh ka kërkuar nga të gjithë futbollistët ta respektojnë maksimalisht fanellën e Përfaqësueses së Kosovës dhe ta japin maksimumin”, thuhet në njoftimin e FFK-së.
Në ditët në vazhdim përzgjedhësi Gliha do të takojë ekipin e tij për ta kërkuar nga afër përkrahjen, kapitenin Amir Rrahmani dhe futbollistët e tjerë në vendet ku ata jetojnë dhe veprojnë, po ashtu do t’i takojë edhe tifozët “Dardanët” për t’i njoftuar për vazhdimin e projektit për Kosovën në Evropian dhe për ta kërkuar përkrahjen e tyre. /Epoka e re/