Kombëtarja Shqiptare e Futbollit ka nisur grumbullimin për dy ndeshjet e fundit të Nations League përballë Izraelit në transfertë dhe Islandës në “Air Albania”, rezultatet e së cilave do të përcaktojnë edhe fituesin e grupit. Kuqezinjve u duhen patjetër dy fitore ose një fitore me dy gola diferencë ndaj Izraelit dhe qoftë një barazim me Islandën për t’u katapultuar në vendin e parë. Por si vijnë lojtarët e Kombëtares në këtë grumbullim?
Kuqezi shkëlqyen këtë javë, teksa patën mundësi jo vetëm t’i nisnin ndeshjet si titullarë, por edhe të gjenin rrugën e rrjetës.
Tre gola të realizuar nga kuqezinjtë, një dopietë e Myrto Uzunit dhe një “perlë” e Endri Çekiçit kanë qenë kryefjala e kësaj fundjave kuqezi.
Mesfushori Endri Çekiçi, i cili aktivizohet me Koniasporin në Turqi shënoi një supergol nga distanca, me një gjuajtje perfekte që nuk u kap dot nga portieri kundërshtar.
Sakaq, edhe sulmuesi Myrto Uzuni vjen në superformë në ekipin kombëtar, teksa të shtunën realizoi dopietë me Granadën në Spanjë. Një paraqitje e shkëlqyer nga ana e sulmuesit shqiptar, i cili u vlerësua edhe me notën e lartë 8.6 nga uebsajti i specializuar për statistika SofaScore.
Uzuni gjithashtu u vlerësua edhe me trofeun ‘Lojtari i muajit gusht’, teksa me ekipin e tij, djaloshi shqiptar ka realizuar 6 gola në 6 ndeshje.
Paraqitje të mira kanë pasur edhe lojtarët e tjerë të Kombëtares, si Ardian Ismajli, mbrojtësi kuqezi që aktivizohet në radhët e Empolit. Përgjatë 90 minutave të luajtura, djaloshi shqiptar ka zhvilluar një ndeshje mjaft të mirë, teksa edhe ‘SofaScore’ e ka vlerësuar me notën e lartë 7.5.
Minuta ka pasur edhe për pjesën tjetër të lojtarëve Kombëtares, si Elseid Hysaj, Enea Mihaj, Adrian Bajrami, Klaus Gjasula, Albi Doka etj.