23:27 - 10 Shkurt 2023

Sot ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu i ka bërë thirrje prokurorit Ilaz Beqiri që të dorëzohet dhe të tërhiqet nga aktakuza pasi mungon ekspertiza dhe faktet për gazin lotsjellës.

Thirrja e Haxhiut drejtuar prokurorit është bërë të premten në seancën gjyqësore ku ajo bashkë me deputeti Pal Lekaj dhe ish-deputetet Donika Kadaj-Bujupi e Besa Baftiu akuzohen se më 19 shkurt 2016 kanë poseduar jashtëligjshëm në Parlament nga një bombol të gazit.

“Prandaj, ndonëse pas 7 vitesh i kërkoj prokurorit që të dorëzohet, të tërhiqet nga aktakuza. Nuk është vonë asnjëherë për të bërë një veprim te tillë”, ka deklaruar Haxhiu.

Por, kjo nuk është hera e parë që Haxhiu ia ka ngrehur ‘veshin prokurorit’ Beqiri.

Nëntë muaj më parë, në maj të 2021’ës, në seancën që është zhvilluar lidhur me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës gjatë vitit 2016, Albulena Haxhiu kishte diçka për t’i thënë prokurorit Beqiri.

“Shumë efektiv në rastin tonë, pse s’po jeni efektiv në rastet e korrupsionit”, kishte thënë Haxhiu.

Reagimi i Haxhiu kishte ndodhur pasi prokurori Ilaz Beqiri në fjalën e tij përfundimtare ka thënë se aktakuza në këtë rast ishte ngritur në afat rekord prej 40 ditësh që nga dita e kryerjes së veprës penale, më 19 shkurt 2016.