×
Insajderi

Haziri: Kurti e ka pranuar Asociacionin me kompetenca ekzekutive

Insajderi
28 April 2023 - 19:03
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Bashkimi Evropian edhe zyrtarisht sot ka pranuar që në takimin e 2 majit temë e takimit do të jetë paraqitja e draftit të parë të statutit për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të takohen në Bruksel, ku përpos kësaj pikë e parë do të jetë edhe miratimi i Deklaratës për të pagjeturit.

Për takimin e 2 majit dhe për draft-statutin e Asociacionit, për Front Online ka folur nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri.

Ai, ka thënë se kryeministri Kurti e ka pranuar Asociacionin me kompetenca ekzekutive dhe ky tejkalim i vijave të kuqë sipas Hazirit rrezikon ndarjen e brendshme të Kosovës.

“Albin Kurti e ka pranuar Asociacionin dhe fatkeqësisht ka shkuar përtej marrëveshjes së vitit 2013 dhe ky tejkalim i vijave të kuqe rrezikon që Kosova me shku drejt një ndarje të brendshme definitivisht me çka marrëveshja e Ohrit në provizione të caktuara lë me nënkuptuar që është përtej marrëveshjes së vitit 2013. Kurti ka pranuar që Asociacioni me pas kompetenca ekzekutive dhe kjo është vetëm blerje kohe nga ana e tij dhe tu pretendu me i shit popullit të Kosovës mjegull”, është shprehur Haziri.

Kurse, gjatë ditës së djeshme ministri për Administrimin e Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ka bërë të ditur se e ka ftuar në takim ekipin menaxhues për hartimin e Statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Mirëpo nga të njëjtit nuk ka marrë përgjigje, deri sa ka shtuar se nga përbërja fillestare vetëm dy anëtarë kanë mbetur të pandryshuar.

Për, këtë Haziri ka pasur një përgjigje.

“Duhet ta shohim se çka ka punuar grupi punues të cilin kjo Qeveri ka dështuar me e grumbullua dhe me pa se çka ka punuar dhe se cilat janë kriteret pse ky ekip është angazhuar, përbërja nuk është me rëndësi, por Qeveria është dashtë me ndryshu, me plotësu dhe me riorganizu sepse kemi të bëjmë me rrethana të reja, me kohë dhe me mundësi që kjo Qeveri ka pas në dorë. E, ka lëshua këtë rast duke u munduar me kamuflu marrëveshjen e Ohrit si ndryshim i marrëveshjes 2013-2015 që gjysma e Qeverisë thotë nuk ka Asociacion, gjysma tjetër ka dhe krejt kjo është bërë për problemet e brendshme të Kosovës”, ka shtuar Haziri.

Me çështjen e ekipit menaxhues për draft-statutin e Asociacionit është marrë sot edhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Ai, ka thënë se ekipi menaxhues për hartimin e statutit të Asociacionit s’është në interes të Kosovës.

Duke, komentuar deklaratën e Konjufcës, Haziri ka pohuar se mosmarrja me grupin punues është dështim i Qeverisë dhe se këtë Konjufca është dashtë t’ia thotë kryeministrit Kurti.

“Është dashtë kryeparlamentari me ia adresua Qeverisë, kryeministrit dhe zëvendësit të tij këtë dështim sepse mos marrja me grupin punues është dështim i Qeverisë, e aq ma keq kur ky kabinet thotë se nuk e dinë përbërjen, nuk është e vërtetë përbërja është ditë që nga vitit 2017 repsektivisht 2020 dhe është dashtë me ndërmarrë veprime për ndryshimin e ekipit të cilin ka pas mundësi me realizua”, ka thënë ndër të tjera ai.

Takimi i 2 majit do të zhvillohet në kohën kur Kosova ka akuzuar Serbinë se ka shkelur Marrëveshjen drejt normalizimit të raporteve, të arritur më herët gjatë këtij muaji.

Serbia ka votuar kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, pavarësisht se me Marrëveshjen drejt normalizimit është zotuar se nuk do ta pengojë Prishtinën që të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark