×
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Histori korrupsioni rugoviane, LDK e trajton bastionin si principatë

    Insajderi
    03 December 2020 - 13:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Visar Duriqi & Vranina Kelmendi

    Komuna e presidentit historik të Ibrahim Rugovës tashmë është kthyer në vendin më korruptiv në vend. Kjo fal anëtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Haki Rugova dhe njerëzve që e rrethojnë.

    Rugova u arrestua gjatë kohës sa ishte duke e ushtruar postin e Kryetarit të Istogut. Arrestimi i tij ju dha shpresë qytetarëve të fshatrave të Istogut për ndaljen e disa gurëthyesve që po cenojnë jetesën e tyre.

    Dokumentari hulumtues nga InDoks “Istogu, Principata e LDK-së”, ka gjetur aferat korruptive të qeverisjes së Rugovës.

    InDoks në këtë dokumentar ka tentuar që të vë në kontakt kryetarin Haki Rugova, si dhe pronarët e firmës “Ma.Con”, vëllëzërit e kryetarit që janë përfitues të tenderave milionësh, të cilët nuk kanë pranuar që të flasin para kamerës.

    I pa qasshëm ka qenë  edhe avokati i Haki Rugovës, Besnik Berisha.

    Ky qytet, që udhëhiqet tash e për disa mandate nga Haki Rugova, edhe pse i lënë larg vëmendjes së mediave në Prishtinë, sipas rrëfimit të njerëzve të atij vendi qeveriset si çdo bastion tjetër partie në vend. Dihet se kush i fiton zgjedhjet. Opozita ka pak hapësirë. Keqpërdorimet bëhen normë. Ndryshimi është i zorshëm.

    Përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje në Istog, Agron Avdijaj, ka thënë se ka baza të mjaftueshëm për tu gjykuar keqpërdorimet gjatë viteve në këtë komunë.

    “Aktualisht kryetari Rugova është duke u akuzuar për çështjen e dhënies së pronave për gurthyesi dhe konfliktet e interesit, përveç në asamble  që është ngrit si shqetësim . Konsideroj që ka baza të arsyshëm që të gjykohen keqpërdorimet qka kanë ndodhur gjatë viteve në Komunën e Istogut”, ka thënë Avdijaj.

    Pamje nga ndërtimi i gurëthyesit në fshatin Lubozhdë të Komunës së Istogut

    Haki Rugova është kryetar i kamotshëm i Istogut. Në fakt, s’mbahet mend dikush që ta ketë sfiduar deri në masën sa për t’ia rrezikuar seriozisht atë karrige.

    “Rugova ka qenë gjatë në pushtet se ju ka krijuar komoditeti, sikurse njëfarë mbreti të komunës, prej kohës së gjatë në pushtet i njeh mirë hapësirat e keqpërdorimit”, ka shtuar ai.

    Tenderët milionësh të familjes Rugova në Komunën e Istogut

    Gazetari Parim Olluri, që kishte raportuar për keqpërdorimet e Rugovës, gjatë hulumtimit kishte gjetur se kanë pasur fitime milionësh kompania familjare e vetë kryetari të kësaj komune.

    “Kompania “Ma.Con” ka marrë projekte publike nga Komuna e Istogut prej vitit 2016, ku ka fituar një tender milionësh për ndërtimin e një shkollë në fshatin Vrellë, në kohën kur kryetari Rugova ishte kryeshef ekzekutiv”, ka thënë Olluri.

    Pas arrestimti të Haki Rugovës, kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ishte kritikuar për sulm ndaj drejtësisë në Kosovë.

    Sa i përket reagimit të Mustafës, Olluri është shprehur se favoret e Rugovës ndaj vëllezërve të tij, janë të njëjta pothuajse me djalin e Mustafës, Besnikut.

    “Mustafa e ka ditur se si ka vepruar Rugova në Istog, pasi është politikan që ka shfrytëzuar pozitën e tij për ti bërë favore djalit të tij Besnikut, për dhënien e tenderëve publik. Si miq janë të informuar  për manipulimet e njëri-tjetrit”, ka shtuar Olluri.

    Isa Mustafa ishte bërë kryeministër, më 9 dhjetor 2014, djali i tij ishte paraqitur para gjyqit, në atë kohë, nën akuzën për falsifikim të dokumentit zyrtar. Edhe atë kohë, publikimi i këtij fakti do të nxiste reagimin e Isa Mustafë. Ishte shfaqur kohë më pas me një status në facebook, i nervozuar, ku kishte deklaruar se po bëhet fushatë linçuese ndaj djalit të tij nga mediat dhe njerëz të shërbimeve informative, pa përmendur emra se kujt po ia hidhte këto akuza.

    Vetëm pak muaj pas atij reagimi kompania Makcar, ku Besniku, i biri i Isa Mustafës është pronar bashkë me vëllain e tij Arbenin, patën fituar  kontratë pikërisht nga Zyra e Kryeministrit e udhëhequr në atë kohë nga prindi i tyre.

    “Arrestimi është kryer në ditën kur është raportuar për 100 ditëshin e Qeverisë, sepse s’ka asnjë aferë korruptive, dhe ne dyshojmë që është tentuar të njolloset kjo Qeveri”, kishte deklaruar Mustafa pas arrestimit të Haki Rugovës.

    Administrata e Rugovës “ngulfat” Istogun me gurëthyes

    InDoks kishte qenë në Cerrcë dhe Lubozhdë, aty ku funksiojnë dhe po ndërtohen disa gurëthyes. Banorët shprehin shqetësime serioze si për ambient e po ashtu dyshime edhe më serioze se edhe në këtë rast mund të ketë afera korruptive.

    “Licenca janë anomali në këtë vende, janë gjera që nuk i përmbushin as 90 % të kushteve. Nuk e di çka ka leju kryetari i Komunës, këto punë s’mund ti ndal ai ai se vëtë Rugova e ka gurëthyesin. Janë tre gurëthyes që janë rrjetën e LDK-së”, ka thënë Hysen Duraku, banor i fshatit Libozhdë.

    “Dëme janë tu na bë, ka shumë zhurëm, ka shumë pluhur, ka bërllok nuk mundem as dritaret me i hap. Më kanë thënë jepe nënshkrimin për me mbyll këtë grope  e kam nënshkru. Ata e kanë keqpërdor nënshkrimin tim për me ja u leju licencë për gurthyesin afër shtëpisë sime”, ka  thënë Bajram Alibajrami, banor i fshatit Lubozhdë.

    Pamje nga ndërtimi i gurëthyesit në fshatin Lubozhdë të Komunës së Istogut

    Sikurse në rastin e Haki Rugovës, banorët përmendin që edhe në këtë rast dyshohet se ka konflikt të interesit, pasi që sipas tyre, pronari i këtij biznesi është vetë personi që jep leje për këtë aktivitet.

    Njëri prej banorëve ka deklaruar se gurthyesi që ndodhet jo më larg se 50 metra nga dera e shtëpisë se tij  është në pronë të Rexhep Blakajt nën dikasterin e Haki Rugovës i cili është zyrtar i lartë nga Drejtoria për Urbanizëm, Kadastër dhe Mbrojtje të Mjedisit në Komunën e Istogut.

    “Faktikisht mu po më mbetet hatri në njerëz të afërt që po jetojnë e po punojnë pikërisht Rexhep Blakaj punon në Komunën duhet me qenë i shembull në masë e jo me ndërtu gurëthyes, këtu jemi dikun 300 shtëpi e i kemi 3 gurthyes afër”, ka shtuar banori Shefqet Januzaj.

    “Gurëthyesi Rugova është tash e 10 vite duke punuar, këta gurthyesit e tjerë në fshatin tonë  janë 3-4, ky gurthyes ka qenë i Ismet Kabashit kurse tash e ka ble Rexhep  Blakaj që punon në Komunë, që 1 vitë e gjysëm punojnë bartin material, kanë hapur humnera këtu rrezikohet gjithçka, këto janë toka pjellore të rrethunë me shtëpi largësia prej shtëpisë deri të gropa nuk është as 50 metra”, ka thënë  banori Hysni Duraku.

    Pamje nga ndërtimi i gurëthyesit në fshatin Lubozhdë të Komunës së Istogut

    Keqpërdorimi i figurës së ish-presidenti Ibrahim Rugova për interesa biznesore në Komunën e Istogut

    Istogu në anën e Dukagjinit ka qenë një ndër bastione më të flakta të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) tash e shumë vite.

    Ka diçka tjetër që e mbanë këtë komunë nën pushtetin e LDK-së e që kjo parti sillet me të si me një principatë të vetën. Figura e ish-presidentit, Ibrahim Rugova që ishte nga fshati Cërrcë.

    Ish-aktivisti politik, Shkodran Hoti, thotë që ekziston ende ideja se kjo komunë është burim i kësaj partie.

    “ Në Istog qarkullon ideja që tjetërkush përveç LDK-së asnjëherë nuk mundet me u punësu. Bëhet propagandë e ashpër ndaj partieve të tjera, thonë që LDK-ja nuk bën me lëshu  Istogun në asnjë mënyrë, këtu është burimi i kësaj partie. Lidhja e LDK-së përmes figurës së presidentit është një keqpërdorimi që bëhët në emrin e tij dhe materializohet me rastin e sheshit e cila është zvarrit deri më tani”, ka thënë Hoti.

    “Qytetarët janë nostalgjik për Ibrahim Rugovën dhe LDK-në e mëhershëm për ata e votojnë, kjo është një ndër arsyet që e mirëmban këtë qeverisje”, ka thënë Agron Avdijaj nga Lëvizja Vetëvendosje në Istog.

    Për të dytën herë kryetari i Komunës së Istogut, Haki Rugova, do të përballet me drejtësinë, për dyshimet se në cilësinë e kryetarit të komunës i ka krijuar favore të mëdha financiare kompanisë familjare.

    Arrestimi i Rugovës së bashku me ish-nënkryetarin e Komunës, Lulzim Blakaj, e një zyrtar tjetër të Komunës, Faton Bujupi, lidhet me dhënien e disa parcelave të Komunës, të cilat janë shfrytëzuar për gurëthyes/InsajderiInDoks

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark