Kandidati i PDK-së për kryeministër nga PDK-ja, Enver Hoxhaj, ka folur sërish për një debat të mundshëm me rivalin e tij nga Vetëvendosje, Albin Kurti.
Ai thotë se Kurti i ka ikur debatit, dhe në këtë mënyrë sipas tij ka injoruar qytetarët.
“Kurti i ka ikur debatit se nuk ka program, nuk shoh program te Kurti, nuk kam parë program. Në një debat serioz për temat që i ngritim, Kurti do ta humbte debatin në raport 80% me 20% në kuptimin e përmbajtjes. 8 me 2 do të ishte rezultati”, tha Hoxhaj në Kanal10.
Ai ka thënë se synimi i tij është të zhvillojë debat vetëm me Kurtin e jo edhe me Avdullah Hotin, kandidat i LDK-së për kryeministër.
“Mendoj që në këto zgjedhje rival është vetëm PDK dhe VV. Po flas për kandidat serioz, e jo për ata që garojnë për një pozitë të caktuar e përfundojnë krejt diku tjetër”, ka thënë Hoxhaj.
Kujtojmë se Kurti e ka refuzuar debatin me Hoxhajn me arsyetimin se fituesi i zgjedhjeve dihet, se është partia e tij, andaj ka thënë se debati mund të bëhet vetëm prej kandidatëve që garojnë për vendin e dytë. Insajderi.org