×
  • Lajme
  • Lajme

    Hoxhaj në Obiliq: PDK, adresa e vetme e stabilitetit dhe zhvillimit ekonomik të vendit

    Insajderi
    08 February 2021 - 21:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, njëherësh kandidati për kryeministër, Enver Hoxhaj, ka mbajtur tubim elektoral në Obiliq para të cilëve ka prezantuar Planin e Rimëkëmbjes.

    Hoxhaj tha se vetëm PDK ka program e vizion për rimëkëmbje të shtetit, derisa theksoi se vetëm me PDK në qeveri do të ketë zhvillim ekonomik, punësim e shëndetësi të mirëfilltë.

    “Ata të cilët në këto zgjedhje do të votojnë për PDK-në, për platformën e rimëkëmbjes e cila është rimëkëmbje edhe politike edhe kombëtare edhe ekonomike edhe arsimore edhe shëndetësore, duhet të dalin dhe të votojnë dhe ne do të qeverisim qysh i ka hije PDK-së për 4 vitet e ardhshme. Ne do të qeverisim deri në 2025. Prandaj, lutni qytetarët e tjerë të Obiliqit që mos ta qojnë votën posht, po të votojnë për një adresë që është adresë e sigurt e zhvillimit, e përpunimit, dhe një adresë e sigurt e stabilitetit qysh është PDK”, tha ai.

    Me fitoren e PDK-së, Hoxhaj tha se do të përfitojë edhe Komuna e Obiliqit, ku tha se do ta zhvillojnë këtë qytet të lënë pas dore.

    “A e dini pse Obiliqi është në këtë gjendje që është se kurrë nuk ka qeverisur PDK, se po të qeveriste PDK do të ishte krejt ndryshe Obiliqi. Prandaj, këto zgjedhje ne do të fitojmë fillimisht në nivelin qendror dhe pastaj në vjeshta do t’i rikthehemi bashkë Obiliqit, do ta ndryshojmë Obiliqin dhe ju e dini që e keni pasur përkrahjen tonë të plotë. Ka qenë kryetari i degës që ka kërkuar që ne ta miratojmë ligjin për Obiliqin dhe ju e dini që pa votën tonë ai ligj nuk do të miratohej”, tha ai.

    Në Obiliq, Hoxhaj foli edhe për vendosjen e shiritave të kuq nëpër qytete të Kosovës nga Lëvizja Vetëvendosje, ku tha se në vitin 2021 nuk ka vend për ideologji të kuqe.

    “Nuk ka vend në Kosovë në 2021 për shirita të kuq, nuk ka vend për ideologji të kuqe, nuk ka vend për ata të cilët mund të kërcënojnë demokracinë, të cilët mund të kërcënojnë mendimin ndryshe, të cilët mund të kërcënojnë ekonominë e tregut, të cilët mund të kërcënojnë jetën pluraliste të cilën e kemi ndërtuar me shumë mund”, tha ai.

    Hoxhaj gjatë ditës ka takuar edhe mësimdhënësit, të cilëve u ka premtuar rritje pagash dhe digjitalizimin e procesit mësimor.  Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark