Mesfushori shqiptar i Empolit, Nedim Bajrami, ka rigjetur formën e tij më të mirë në Serie A. Bajrami në ndeshjet e fundit është rikhyer në titullar në skuadrën e Empolit, siç ishte edhe mbrëmë kundër Milanit, shkruan Insporti.com.
Bajrami zhvilloi një ndeshje tejet të mirë kundër gjigantit italian por goli i tij dhe fitimi i një penalltisë, nuk mjaftuan për të evituar humbjen me rezultatin 2:4.
Ylli i kombëtares kuqezi zhvilloi 90 minuta dhe sipas “Sofascore” është vlerësuar me notën më të lartë nga radhët e Empolit. Ai është vlerësuar me notën 7.7.
Fantazisti shqiptar, 22 vjeçar, e shënoi golin e barazimit për Empolin në minutën e 18-të. Ylli shqiptar shënoi një gol mjaft të bukur.
Kjo nuk ishte e tëra, pasi në minutën e 84-të ai fitoi një penallti për skuadrën e tij, por që në gol e konvertoi Andrea Pinnamonti.
Në skuadrën e Empolit luajnë edhe Ardian Ismajli, Samir Ujkani dhe Kristian Asllani, megjithatë në ndeshjet e fundit po aktivizohet vetëm Bajrami.
Bajrami në muajt e fundit ishte më shumë në bankën rezervë, por duket se i ka bërë mirë vendimi i trajnerit. Shpresojmë kjo të jetë edhe për mbrojtësin Ismajli, i cili në ndeshjet e fundit nuk po aktivizohet si titullar.
Empoli pas 19 xhirove të zhvilluara renditet në pozitën e nëntë me 27 pikë të grumbulluara, ndërsa Milani në të dytën me 42 pikë. /Insporti.com/