×
  • Biznes
  • Biznes / Biznes

    Java e mallkuar në Wall Street

    Insajderi
    26 March 2018 - 11:56
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Aksionet në Wall Street javën e kaluar e kanë pasur javën më të keqe në dy vitet e fundit, ku Facebook ka rënë për 13,9 për qind duke humbur 68 miliardë të vlerës së tregut, për pakënaqësinë që u shkaktua me keqpërdorimin e të dhënave të përdoruesve të këtij rrjeti social.

    Investitorët në bursën e Nju Jorkut javën e kaluar i kanë shitur lirë aksionet e kompanive teknologjike dhe të bankave për shkak të frikës se mund të jenë në humbje nëse Pekini kundërpërgjigjet në tarifat amerikane me rritje të doganave në mall të importuar nga SHBA.

    Indeksi Standard & Poor’s 500 ka rënë për 2,1 për qind në 2.588,26 pika. Dow Jones ka humbur 1,8 për qind të vlerës, duke e mbyllur tregtinë me 23.533,20 pikë, indeksi i Nasdaq ka rënë për 2,4 për qind në 6.992,67 pika.

    Bursat aziatike sot gjithashtu kanë vazhduar rënie tashmë ditën e tretë rresht nën ndikimin e rritjes së frikës që lidhet me tensionet tregtare në mes të SHBA dhe Kinës.

    Indeksi i Shangai-t është dobësuar për 1,6 për qind në 3.100,91 pikë, ndërsa Nikkei 225 i Tokios rrëshqiti për 0,2 për qind në 20.586,35 pikë. Indeksi i bursës së Hong Kongut Hang Seng ka rënë për 0,7 për qind në 30.107,65 pikë, ndërsa S&P-ASX 200 e Sidneit ka rënë për 0,5 për qind në 5.790,50 pika. Sensex indian e ka përfunduar tregtinë në një minus prej 0,2 për qind në 32.573,55 pikë, dhe në rënie kanë qenë edhe bursat në Zelandë të Re dhe në Tajvan.

    Vetëm bursa e Bangkokut ka shënuar rritje,derisa tregjet tjera në Azi kanë rënë.

    Nafta “e lehtë” amerikane WIT, në tregtinë elektronike në bursën e Nju Jorkut, gjatë natës është liruar për 31 cent në 65,57 dollarë për fuqi, pas rritjes së çmimit të premten për 1,58 dollarë në 65,88 dollarë.

    Nafta e Detit të Veriut “brent”, e cila përdoret si referencë në tregtinë ndërkombëtare, është dobësuar në tregun e Londrës për 18 centë në 69,63 dollarë në raport me sesionin e kaluar tregtarë, kur ishte forcuar për 1,44 dollar në 69,81 dollarë.

    Dollari është në rritje ndaj valutës japoneze në 104,95 jenë, në krahasim me të premten kur tregtohej për 104,72 jenë. Sot në mëngjes edhe euro shënon fitime në raport me valutën e SHBA dhe tregtohet me 1,2368 dollar në krahasim me 1,2352 dollar sa vlente të premten./Insajderi.com.

    OP-ED
    Nga Rubrika
    Biznes
    21 November 2024

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark