Alvaro Morata do të vazhdojë pjesën e mbetur të sezonit te Barcelona, duke u bërë një nga të paktët lojtarë që ka luajtur me tre klubet më të mëdha të futbollit spanjoll pas Real Madrid dhe Atletico Madrid.
Juventusi po studion alternativa të ndryshme për majën e sulmit. Emri më i përfolur është Mauro Icardi (PSG), por pëlqehen shumë edhe Arkadiusz Milik (Marseille) dhe Gianluca Scamacca (Sassuolo).
Trajneri Max Allegri u ka kërkuar drejtuesve t’i sjellin në ekip Luis Suarez, të cilin e sheh si zëvendësuesin perfekt të Alvaro Moratës.
Gjithsesi, bomberi uruguaian ka refuzuar kalimin te Juventusi. “El Pistolero” po luan sezonin e dytë me Atletico Madrid, ndodhet në vitin e fundit të kontratës me kampionët e Spanjës dhe nuk ka ndërmend të kalojë në Serie A.
Suarez është i qartë në lidhje me të ardhmen e tij, teksa prej kohësh ka shprehur dëshirën për t’u transferuar në MLS (kampionati amerikan i futbollit) pas aventurës me “Colchoneros”.