×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    “Jo negociata, Vetëvendosje”, Albin Kurti thyen parimin themeltar të partisë – harron vetëvendosjen, ia mësyn negociatave

    Insajderi
    27 April 2021 - 16:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kryeministrit Albin Kurti, i ndërrojnë prioritetet. Ende pa publikuar as planin qeverisës, mori rrugën për Bruksel. Për dialogun Kosovës-Serbi, edhe pse këtë temë gjatë fushatës e vendoste si prioritet të pestë-gjashtë.

    Ndonëse aktivitetin e tij publik, Kurti e kishte nisur me kundërshtimin e negociatave për statusin e Kosovës, tash si kryeministër duket se e ka harruar vetëvendosjen dhe ia ka mësyer negociatave.

    Pak para nisjes për Bruksel, doli në publik dokumenti që pretendohet se “Autonomi për komunat serbe në veri” dhe “zajednicë” në pjesën tjetër të territorit të Kosovës.

    A do të mund Kurti t’i kundërshtojë të gjitha ato që janë shkruar në NON-PAPER?

    Lexo edhe:

    Në vitin 2005, Albin Kurti me një grup të të rinjve formuan Vetëvendosjen si një lëvizje e rrugës, duke kundërshtuar marrëveshje ndërkombëtare të cilat do ta përcaktonin fatin e Kosovës pas çlirimit. Ky grup i vogël njerëzish këmbëngulnin se Kosova duhet ta përcaktojë vetë fatin e saj.

    Ky grup, organizuan aksione të shumta kundër misionit të OKB-së, UNMIK që e administronte Kosovën gjatë atyre viteve të para pavarësisë.

    “Jo negociata, Vetëvendosje” – u bë motoja, që nga ajo kohë ka shoqëruar rrugëtimin e Albin Kurtit.

    Kosova Sot

    Lëvizja e drejtuar nga ai, përveç veprimeve në rrugë, grafiteve në mure, në shkurt të vitit 2007 organizoi  edhe protestën masive kundër planit të Marti Ahtisarit për statusin përfundimtar të Kosovës. Dy protestues të saj, Mon Balaj dhe Arben Xheladini, u qëlluan për vdekje nga policia rumune që vepronte në kuadër të UNMIK-ut.

    Vazhdimisht janë kundërshtuar nga Vetëvendosje edhe fazat e tjera të negociatave të Kosovës me Serbinë.

    “Jo negociata, Vetëvendosje”, ishte parulla e kërkesës sonë të qartë politike për shtet sovran, që nuk negocion me Serbinë për çështjet e brendshme. Ishim gjithmonë për një shtet që vetëvendose për qytetarët e vet”, tha Kurti edhe pak para se ta marrë mandatin e kryeministrit të vendit për herë të dytë.

    Gjatë fushatës për zgjedhje, në vazhdimësi Kurti ka deklaruar se çështja e bisedimeve nuk do të jetë prioritet i parë as i dytë për të, kur ta merr drejtimin e qeverisë. E vendoste dikund ka prioriteti i pestë.

    Por gjërat ndryshuan menjëherë pas marrjes së mandatit të kryeministrit. Madje pa e publikuar programin qeverisës iu desh të niset për Bruksel, për çështjen e dialoguar. Kështu i ndryshuan edhe prioritetet.

    Një ditë para se të merrte rrugë për Bruksel, u publikua një dokument që pretendohet se është përpiluar nga dy shtete të fuqishme evropiane, për marrëveshjen përfundimtare mes Kosovës e Serbisë.

    Dokumenti thotë se Kosova e Serbia duhet të pajtohen që të themelohet një i ashtuquajtur “distrikt autonom i Kosovës Veriore”, me kompetenca vetëqeverisëse. Ai do të përfshinte komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.

    “Të dyja palët pajtohen për themelimin e Distriktit Autonom të Kosovës Veriore si njësi e vetme administrative e vetëqeverisjes rajonale në Kosovë që ka të drejtë të miratojë legjislacion në rrafshin lokal në ekonomi, financa, pronë, infrastrukturë, kulturë, arsim, kujdes shëndetësor, mirëqenie sociale, sistemin gjyqësor, shërbim policor, strehim, zhvillim urban dhe bashkëpunim evropian, në linjë me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin për qeverisje lokale”, thuhet në letër.

    Sipas këtij plani, Distrikti Autonom i Kosovës Veriore do të ketë guvernatorin e saj në Qeverinë e Kosovës.

    “Distrikti Autonom i Kosovës do ta ketë Guvernatorin që do ta përfaqësojë Qeverinë e Kosovës, Asamblenë që do ta përfaqësojë popullin dhe Këshillin Ekzekutiv që do të jetë organ i përbashkët i Distriktit Autonom, Qeverisë së Kosovës, Qeverisë së Serbisë dhe Bashkimit Evropian”.

    Më pas, në “non paper” thuhet se dy palët duhet të bëjnë ndryshime të Kushtetutës dhe të ligjeve, ashtu që marrëveshja e tillë të mund të zbatohet.

    Aty sipërfaqësisht bëhet e ditur edhe statusi që do të mund ta ketë Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë. Autoritetet në Kosovë duhet të pranojnë organizimin e Kishës si pjesë vetëqeverisëse e sistemit politik dhe kushtetues të Kosovës dhe që të gëzojë status të privilegjuar.

    Aty thuhet tutje se Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do t’i udhëheqin diskutimet për finalizimin e Marrëveshjes për Normalizimin e Marrëdhënieve mes dy palëve. Procesi duhet të përmbyllet para fundit të shkurtit të vitit 2022.

    Lexo edhe:

    Zëdhënësi i qeverisë, Përparim Kryeziu ka deklaruar se ekzekutivi i vendit nuk ka çka të deklarojë rreth NON-PAPER-it.

    “Edhe ambasada gjermane dhe ambasada franceze janë deklaruar për këtë dokument duke e demantuar dhe u distancuar nga ai. Nuk kemi çfarë t’i shtojmë më shumë deklarimeve të tyre”, ka thënë Kryeziu.

    Ambasada e Gjermanisë në Kosovë dhe ajo e Francës, kanë thënë se dokumenti nuk ka rrjedhur nga ata, dhe se nuk është prodhim i tyre, shkruan Gazeta Insajderi.

    Për non-paper-in ka reaguar edhe Lidhja Demokratike e Kosovës.

    “Në mungesë të qëndrimeve zyrtare nga Qeveria e Republikës së Kosovës, në këtë mjegulli informatash, dalin në pah platformë të ndryshme për dialogim në formën e dokumenteve jo-zyrtare (non-papers) të cilat i keni pare edhe ju”, ka thënë Halimi për Insajderin./GazetaInsajderi/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark