×
Insajderi

Kadri Shala merret për 5 orë në pyetje nga Prokuroria – pranon që u arratis drejt Turqisë

Insajderi
26 October 2020 - 18:06
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Kadri Shalës, pronar i kompanisë “LDA Group”, të cilit dyshohet se i janë transferuar 2.1 milionë euro të vjedhura nga Thesari i Shtetit, i është caktuar masa e ndalimit prej 48 orëve.

Këtë e ka konfirmuar avokati i tij Osman Hoxha, i cili në një deklarim për media pas intervistimit të Shalës nga Prokuroria, ka thënë se klienti i tij është intervistuar nga ora 12 e mesditës deri në orën 17:00. Hoxha ka thënë se intervsitimi ka qenë në përputhje me ligjin.

“Siç jeni të informuar se i njëjti ka deklaruar se vet do të paraqitet në polici dhe ashtu ka vepruar. Sot rreth orës 12 ka filluar intervistimi deri në ora 17 ka zgjatur intervistimi. Çdo gjë ka qenë konform ligjit dhe për më shumë nuk mundem të lëshohem për shkak të hetimeve. Të njëjtit Prokuroria Speciale ka lëshuar urdhër për ndalim për 48 orë dhe për fazat e mëtutjeshëm do të njoftohemi me kohë”, tha ai.

Avokati i Shalës ka pranuar se klienti i tij kishte qëndruar në Turqi gjatë javës së fundit.

Gazeta Online Insajderi ka publikuar deri më tash shumë fakte për skandalin ku nga Thesari i Shtetit u morën mbi 2 milionë euro dhe përmes kompanisë LDA-Group u shpërndanë në një rrjet të madh kompanish.

Skemën e këtij skandali në njërin nga institucionet që besohej që të ishte i sigurt, Insajderi e ka ekspozuar përmes një serie hulumtimesh.

Pas këtyre hulumtimeve, nëpërmes një letre në publik është paraqitur edhe vet emri kryesor i përmendur në këtë aferë, biznesmeni Kadri Shala. Derisa ndodhej në arrati e jashtë Kosovës, javën që shkoi ai kishte shkruar një letër të cilën e ka dërguar në adresë të Gazetës Express dhe T7, përmes vëllait të tij.

“Për momentin jam jashtë vendit dhe brenda 2-3 ditësh do të lajmërohem të organet kompetente” , ka njoftuar Shala I cili njëkohësisht ka mohuar të ketë ndonjë lidhje me punëtorin e Thesarit Labinot Gruden.

Insajderi nga burime të mirë-informuara ka marrë vesh që Shala e Gruda njihen së paku që nga marsi i këtij viti.

Insajderi, nëpërmjet burimeve të mirëinformuara, ka zbuluar bashkëveprimin e dyshimtë mes Kadri Shalës e Labinot Grudës.

Burimet sugjerojnë se ka pasur një plan që dyshja të rregulloj dokumentacionet për të jetuar në Turqi, pas kryerjës së aktit kriminal të vjedhjës së mbi 2 milionë eurove.

Skema dyshohet që nisi të përgatitej që në marsin e këtij viti, prej kur ka edhe fakte që njihen mes vete biznesmeni Kadri Shala si dhe  i arrestuari, punëtori i Thesarit, Labinot Gruda. Dyshohet se dyshja Shala e Gruda që nga muaji mars kishin filluar të rregullonin dokumentet për të nisur një jetë të re në Turqi.

Provat që i kanë mbledhur organet e rendit hedhin dyshime të forta për arratisjen e planifikuar të dy protagonistëve të vjedhjes 2 milionëshe. Pas vjedhjes në drejtim të Turqisë ka ikur vetëm Kadri Shala, ndërsa Gruda pati fatin e keq që të arrestohet.

Ndërkaq, transaksionet të cilat i ka siguruar Gazeta Insajderi, dëshmojnë se 340 mijë euro janë transferuar nga llogaria e kompanisë LDA Group SH.P.K në adresë të kompanisë turke, “Vekoç Makina Insaat”.

Janë kryer dy transaksione: njëra në vlerë prej 215 mijë eurove dhe një tjetër në vlerë prej 125 mijë eurove.

“Vekoç Makine – Vekoç Makina Insaat” është një kompani e regjistruar në Tuzla, një lagje e cila ndodhet në kufirin lindor të Stambollit.

Pronari i kësaj kompanie, e cila merret me aktivitetet e përpunimit dhe prodhimit të betonit, rezulton të jetë Vehbi Koç.

Biznesmeni Koç besohet të ketë lidhje me Kadri dhe Valon Shalën, pronarët e LDA GroupSh.P.K të cilët dyshohet se pas transferimit ilegal të mjeteve janë arratisur në drejtim të Turqisë. 

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark