Njëra prej punëve që nuk ka siguri në Kosovë është pozita e trajnerit. Klubet kosovare, sidomos ato të Superligës, nuk janë treguar fare të durueshme në këtë drejtim duke shkarkuar trajnerë me “shumicë” në vitin që lamë pas.
Të jesh trajner i një klubi të futbollit në Kosovë, nuk e ke të garantuar punën në baza afatgjate. Krejt kjo pasi klubet kosovare me investimet e shumta viteve të fundit, kërkojnë suksesin brenda një periudhe të shkurtër, gjë të cilën nuk po munden ta arrijnë trajnerët vendorë, por as të huajt.
Klubi i Ballkanit ka qenë në qendër të vëmendjes së fundmi kur e shkarkoi Bekim Isufin nga pozita e kryetrajnerit.
Suharekasit e mbyllën stinorin vjeshtor në vendin e tretë në tabelë me 33 pikë, dy më pak se lideri, Gjilani, por kjo nuk mjaftoi dhe kryetari i klubit, Arsim Kabashi e shkarkoi trajnerin që kishte shpallur Dritën kampione të Kosovës vite më parë.
Por, ky nuk ishte shkarkimi i vetëm i Ballkanit në vitin 2021, pasi në maj të vitit të kaluar, klubi kishte shkarkuar edhe trajnerin nga Shqipëria, Bledi Shkëmbi.
Më me “sabër” në vitin që lamë pas janë treguar Drita, Llapi dhe Dukagjini që nuk bën ndryshime në këtë drejtim.
E një gjë të tillë, njohësit e futbollit kosovar po e shohin si tejet të gabueshme.
Ish-futbollisti dhe trajneri i njohur, Faruk Statovci dhe ish-futbollisti Berat Hyseni në një prononcim për FrontOnline kanë folur për pasojat e këtyre vendimeve nga klubet kosovare.
Statovci: Në Kosovë, trajnerët kanë presion të pakuptueshëm
Faruk Statovci, dikur futbollist i njohur, sot trajner i KEK-ut, ka kritikuar politikat e klubeve në këtë drejtim.
Sipas tij, trajnerët në futbollin e Kosovës kanë shumë presion.
“Kam thënë dhe e them prapë, është shumë gabim, sidomos nëse ja shton kësaj kur klubi është brenda objektiave. Në Kosovë, trajnerët në shumë klube kanë presion të pakuptueshëm. Mendoj se trajnerëve duhet t’u jepet më shumë kohë”, ka deklaruar Faruk Statovci për FrontOnline duke shtuar:
“Në shumicën e rasteve, nuk ka efekt ndryshimi i trajnerëve. Te rasti i Ballkanit, mendoj se nuk kishte kuptim ndërrimi i Bekim Isufit”.
“Kjo situatë po i hakmerret Ballkanit”
Ish-futbollisti i mirënjohur kosovar, Berat Hyseni e ka komentuar çasjen e klubeve të Superligës së Kosovës karshi trajnerëve.
Sipas tij, është gabim të shkarkohet trajneri pa “ndonjë arsye”.
“Besoj se çasje e gabuar e presidentëve që brenda një viti të shkarkojë trajnerët pa arsye dhe nuk i lejojnë trajnerët të jenë të lirë”, deklaroi Hyseni duke vazhduar:
“Kjo situatë po i hakmerret Ballkanit dhe për këtë arsye ata po kanë probleme të dalin kampion”.
Hyseni thotë se presidentët e klubeve në Kosovë duhet të vetëdijësohen.
“Mendoj se presidentët duhet të vetëdijësohen që mos të punojnë në këtë formë pasi suksesin do ta kenë të mangët gjithnjë”, përfundoi të enjten për FrontOnline ish-futbollisti i Prishtinës, Berat Hyseni.
Klubet që shkarkuan trajnerët në vitin 2021:
BALLKANI – shkarkoi Bledi Shkëmbin (6 maj 2021) dhe Bekim Isufin (21 dhjetor 2021)
DRENICA – shkarkoi Bledar Devollin (17 mars 2021) dhe Sami Sermaxhajn (7 qershor 2021)
GJILANI – shkarkoi Bylbyl Sokolin (12 mars 2021)
PRISHTINA – shkarkoi Zekirija Ramadani (17 nëntor 2021)
FERONIKELI – shkarkoi Klodian Duron (1 maj 2021)
MALISHEVA – shkarkoi Senad Alirifën (2 janar 2021)
ULPIANA – shkarkoi Fadil Ademin (qershor)
DRITA, LLAPI dhe DUKAGJINI – nuk shkarkuan asnjë trajner.