×
  • Lajme
  • Insajderi

    Kompromisi për veriun ia mundësoi kryeministrit Kurtit takimin me sekretarin Blinken

    Insajderi
    27 July 2022 - 12:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Albin Kurti u prit në Uashington nga Antony Blinken vetëm pasi Kryeministri kosovar e përmbushi një detyrë që Sekretari amerikan ia kishte dhënë në fillim të vitit 2022.

    Gazeta Insajderi

    Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, në fillim të këtij viti, përmes një letre drejtuar kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit, kishte kërkuar nga ky i fundit që Kosova t’i kushtojë vëmendje arritjes së marrëveshjes për energji elektrike në veriun e Kosovës.

    “Ju inkurajoj që t’i kushtoni vëmendje arritjes së marrëveshjes për energji elektrike në veriun e Kosovës…”, kishte shkruar mes tjerash Blinken në letrën për Kurti, shkruan Gazeta Insajderi.

    Muaj më pas, në qershor, sipas kërkesës së sekretarit Blinken, Kosova dhe Serbia u pajtuan për zbatimin e marrëveshjes së energjisë.

    Udhërrëfyesi, për të cilin palët u dakorduan më 21 qershor, parasheh që Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës(ZRRE), t’i lëshojë licencë për furnizim kompanisë nga veriu, Elektrosever, në përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.

    Shtatë ditë pas licencimit, Elektrosever, përmes BE-së, do t’i sigurojë KEDS-it dhe KOSTT-it të dhënat për konsumatorët. Dhjetë ditë pas marrjes së licencës, Elektrosever do të nënshkruajë marrëveshje teknike me KOSTT-in dhe KEDS-in për të operuar në tregun e Kosovës, në katër komunat në veri.

    Brenda 15 ditësh nga nënshkrimi i marrëveshjeve teknike me KOSTT-in, Elektrosever do të pajiset me numrin e identifikimit për energji (EIC – Energy Identification Code), që të mund t’i kryejë veprimet e parapara me licencën e furnizimit.

    Brenda 30 ditëve nga lëshimi i licencës, KEDS-i dhe KOSTT-i do të kenë qasje në nënstacionin elektrik në Vallaç dhe tek infrastruktura tjetër ekzistuese.

    Po ashtu, brenda 45 ditëve nga sigurimi i licencës, KOSTT-i dhe KEDS-i, në konsultim me Elektrosever-in, do t’ia dorëzojnë ZRRE-së një plan investimi, kostot e mirëmbajtjes si dhe humbjet në rrjet, bazuar në analizën e infrastrukturës ekzistuese.

    Marrëveshja për energjinë ishte arritur në vitin 2013, e pastaj ishte konfirmuar edhe në vitin 2015. BE-ja do të luajë rolin e lehtësuesit edhe në implementimin e kësaj marrëveshjeje, shkruan Gazeta Insajderi.

    Nënshkrimi i marrëveshjes hapi dyert e Amerikës për Kurtin

    Vetëm një muaj pas nënshkrimit të marrëveshjes për energjinë kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u prit në Shtëpinë e Bardhë nga sekretari i Shtetit, Antony Blinken.

    Ky i fundit menjëherë pas takimit tha se “Kosova është partnere e palëkundur e Shteteve të Bashkuara të Amerikës”.

    “Ne jemi duke punuar së bashku për të përcaktuar disa çështje të rëndësishme për SHBA-të dhe shtetin tuaj. Ju falënderoj edhe një herë që i keni mirëpritur afganët dhe që kemi parë mbështetje që nga dita e parë për Ukrainën. Keni punuar edhe në aspektet tjera, të cilën gjë e çmoj. Nesër do të nënshkruani kontratën me MCC për energji. Kemi bashkëpunuar për të gjitha këto çështje dhe kemi punuar në çështjet kritike të sigurisë rajonale”, tha Blinken, shkruan Gazeta Insajderi.

    Derisa Kurti takimin e mbrëmshëm me sekretarin amerikan në Uashington e ka quajtur të dobishëm për raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së.

    “Takimi ishte shumë i dobishëm për raportet ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së. Ne treguam se si Kosova është rrëfim suksesi, së pari i punës së popullit dhe ndërhyrjes së NATO-s për ta ndalur gjenocidin në Kosovë dhe së dyti storie suksesi zhvillimi i demokracisë dhe ekonomisë. Shteti jo i madh i Kosovës është shembull i madh se ekonomia dhe demokracia cilësore shkojnë bashkë. Kërkuam shtimin e investimeve amerikane në Kosovë dhe rritjen e shkëmbimit tregtar”, tha Kurti, shkruan Gazeta Insajderi.

    Në maj, për një muaj Kurtin s’e pritë zyrtarët e lartë amerikanë

    Për herë të parë një kryeministër i Kosovës, nuk u prit në Shtëpinë e Bardhë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Kjo i ndodhi kryeministrit aktual Albin Kurti, ani pse në Amerikë qëndroi gati një muaj, gjatë majit. Jo që nuk u prit nga Joe Biden, e Kamala Harris por ai nuk arriti të shënoj ndonjë takim të rëndësishëm as me zyrtarë të lartë të Departamentit të Shtetit.

    Rrugëtimet kot së koti, poshtë e lartë i kanë dhënë shkas popullit të Kosovës, që ta thurrë një anekdotë lidhur me vizitën e dështuar të kryeministit Albin Kurti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, dy muaj më parë.

    Është andektoda për Adem Pejën.

    “Shko e eja si Adem Peja”, zakonishte përdoret si thënie popullore për të përshkruar rrugëtimet e dështuara.

    Kjo thënie popullore është me adekuatja për ta përshkruar vizitën e Kurtit në SHBA. Ai nuk arriti dot as të futet në Shtëpinë e Bardhë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Nuk arriti të këtë takim me presidentin Joe Biden. Kurti nuk arriti të ketë takim as me zevendes presidenten Kamala Harris, madje nuk arriti ta takoj as sekretarin Antony Blinken.

    Takimin më të rëndësishëm i pari i Qeverisë arriti ta realizoj me këshilltarin e Sigurisë Kombëtare të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Jake Sullivan.

    Megjithë këtë, shefi i ekzekutivit është vënë në qendër të kritikave pasi që përveç që nuk arriti të futet në Shtëpinë e Bardhë as pas një viti në krye të qeverisë, ai nuk arriti as të takoj zyrtarë të lartë të shtetit më të fuqishëm në botë.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës, janë parteneri kryesor i Kosovës, në të gjitha proceset shtetndërtuese. Vizitat zyrtare të liderëve e politikanëve kosovarë në ShBA janë ndër më kryesoret. 

    Për herë të parë një kryeministrit i Kosovës, qëndroi më shumë se tri javë në Amerikë, duke shënuar takime të rëndësishme thuajse vetëm me diasporën shqiptare atje.

    Kurti udhëtimin për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kishte nisur më 6 maj.

    Vetë ai, kur kishte njoftuar për rrugën drejt kontinentit amerikan, kishte treguar se do të qëndronte më gjatë se sa në Europë.

    “Sa i përket vizitës në SHBA, besoj që pengesa kryesore është logjistike-teknike, sepse nuk mund të shkojë për tri ditë atje. Dua të shkoj për 10 ditë ose dy javë, sepse është edhe një shtet më i madh. Jo vetëm që do të shkoj, por edhe do të kthehem. Pra, do të shkoj e do të qëndroj më gjatë se sa në vendet e Bashkimit Evropian”, kishte thënë kryeministri, më 9 mars, transmeton Gazeta Insajderi.

    Çfarë bëri Kurti saktësisht gjatë tri javëve në SHBA?

    6 maj 2022, Uashington: Në ditën e parë të vizitës zyrtare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është mirëpritur në takim nga Kryeshefja e Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC), Alice Albright.

    10 maj 2022, San Francisco: Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me të mbërritur në San Francisco, e ka vizituar kompaninë e njohur LinkedIn. Kurti e ka njoftuar bordin drejtues të kësaj platforme online, se Kosova është vend i mirë për të investuar kompanitë amerikane.

    10 maj 2022, San Francisco: Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, takimet i vazhdoi me drejtues të kompanisë së mirënjohur Uber, kompani kjo me të hyra vjetore prej 5.8 miliardë dollarë, operon në mbi 70 shtete dhe mbi 10 mijë qytete anembanë botës.

    10 maj 2022, San Francisco: Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, zhvilloi takim me përfaqësues të kompanisë Airbnb, kompani e cila është formuar në vitin 2007 dhe tashmë numëron mbi 14 mijë punëtorë. Vitin e kaluar, të hyrat e saj vjetore ishin 5.9 miliardë dollarë.

    10 maj 2022, San Francisco: Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, e ka përmbyllur vizitën në qendrën botërore të teknologjisë së informacionit, Silicon Valley, me një vizitë në kampusin e gjigandit të teknologjisë së informacionit, Microsoft. Gjatë vizitës ai është pritur nga ekspertët e teknologjisë në Microsoft, Murali Sitaram dhe Shawn Villaron, të cilët e kanë njoftuar kryeministrin për historikun e zhvillimit dhe funksionimin e korporatës multinacionale që merret me prodhimin e softuerëve të kompjuterëve, laptopëve, pajisjeve të tjera elektronike dhe ofron shërbime që lidhen me to. Të ardhurat e kësaj kompanie në vitin 2021 arritën vlerën prej 168 miliardë dollarësh.

    Ajo çka do të mbahet mend nga Kurti në Amerikë do të jenë takimet me diasporën shqiptare, dhe disa takime me senatorë, përpos vizitatve nëpër disa kompani amerikane.

    Vizita e kryeministrit Kurti është cilësuar si më e dështuara që i ka ndodhur ndonjëherë Kosovës, shkruan Gazeta Insajderi.

    Vizita e Kurtit në SHBA i kushtoi Kosovës afro 37 mijë euro

    Gati 37 mijë euro kanë qenë shpenzimet që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me kabinetin e tij prej pesë zyrtarësh tjerë, kanë bërë në vizitën zyrtare prej 16 ditësh në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në maj.

    Së bashku me pesë anëtarë të stafit të tij, Kurti ka shpenzuar 36 mijë e 722 euro e 47 centë për vizitën nga 6 deri më 22 maj.

    Veç kreu i Qeverisë, gjithsej ka shpenzuar 9 mijë e 304 euro e 80 centë, prej tyre 4 mijë e 853 euro e 68 centë për akomodim, 4 mijë e 279 euro për bileta e 172 euro e 12 centë shpenzime të tjera, detaje për të cilat nuk janë dhënë.

    Më shumë se Kurti, shkaku i mëditjes së marrë, janë regjistruar shpenzime në emrin e shefit të stafit, Luan Dalipi. 9 mijë e 480 euro e 94 centë është gjithsej shuma e shpenzuar nga ai. Sipas të dhënave të siguruara përmes qasjes në dokumente zyrtare, Dalipi ka shpenzuar 4 mijë e 770 euro e 97 centë për akomodim, 2 mijë e 984 euro e 75 centë për biletë e 1 mijë e 617 euro për mëditje e 108 euro e 22 centë shpenzime të tjetra.

    Por mëditje me shumë se sa shefi i stafit, ka marrë fotografi Patrik Domi. Totali i shpenzimeve të Domit kalon shumën prej 9 mijë e 413 euro. Prej tyre 4 mijë e 324 euro e 67 centë për akomodim, 3 mijë e 47 euro e 95 centë për biletë e 1 mijë e 963 euro e 50 centë për mëditje.

    8 mijë e 523 euro e 34 centë të tjera janë shpenzuar nga tre këshilltarët e tjerë të Kurtit, shkruan Gazeta Insajderi.

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark