Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi në emisionin Analizë në RTK ka folur për tendencat totalitare të kreut të Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Krasniqi ka thënë se lista e VV-së përbëhet nga njerëz që nuk kanë të bëjnë me vlera, por shtoi se kanë mbledhur njerëz ekstremistë e titistë, që duket sikur ta përziesh ujin me vaj.
“Kurti nuk ka as ekip e as program. Kurti i cili nuk është as kandidat, ligjërisht, po e ofron vetveten tek qytetarët si mesia, ndërkaq nuk ka asnjë ofertë konkrete për qytetarët”, tha Krasniqi, duke shtuar se kjo tregon për tendencën totalitare të Kurtit, i cili e ka rrethuar veten me persona ekstremistë.
Krasniqi tha se Kurti i ndërron qëndrimet varësisht nga sezona politike dhe varësisht nga cfarë janë interesat e tij personale. Vetëvendosjen, Krasniqi e quajti “parti kameleone”, ndërkaq tha se PDK është parti që ka traditë dhe vlera, në bazën e të cilës qëndron lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Krasniqi theksoi se interesi primar i PDK-së është interesi i shtetit, duke përmendur pjesëmarrjen e PDK-së dhe rolin e saj vendimtar në të gjitha proceset historike për Kosovën dhe tash së fundmi votat e PDK-së për ligje që kanë qenë esenciale për qytetarët e Kosovës. Insajderi.org