×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Krasniqi: Këtë vit do të ketë zgjedhje

    Insajderi
    03 January 2024 - 09:17
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, është shprehur i bindur se 2024-ta do të jetë vit zgjedhor në Kosovë.

    “Nuk mund ta them me saktësi, sepse pa dyshim që një ndikim të madh do ta ketë edhe vetë kryeministri, sepse ai mundet të na dërgojë në zgjedhje kështu befasishëm, me një dorëheqje, edhe pse nuk e parashoh dorëheqjen e tij. Por, nuk mund ta them me siguri a mund të mbahen në qershor apo në tetor, më herët apo më vonë. Por jam i bindur që viti i ardhshëm, tashmë po shihet edhe nga veprimet e qeverisë dhe nga diskursi i tyre, nga narracioni politik që po e përdorin, besa edhe tubimet elektorale që i patën në fund të dhjetorit që edhe VV-ja, edhe kryeministri, po përgatiten për zgjedhje. Ky është lajm i mirë. Sepse unë besoj që rikthimi tek kutit e votimit e tek verdikti qytetar do të japin një mundësi të re Kosovës për ta hequr këtë qeveri të papërgjegjshme nga pushteti dhe për t’i dhënë Kosovës një opsion alternativ për një qeverisje të përgjegjshme, e cila do të kthejë Kosovën në binarët e zhvillimit dhe të integrimit dhe që do të udhëhiqet nga ne”, ka thënë Krasniqi.

    I pari i PDK-së më tutje ka adresuar shumë kritika në drejtim të Qeverisë, duke thënë se viti që lamë pas ishte i humbur për Kosovën.

    Krasniqi pohon se Kosova ka një politikë të jashtme në “vdekje klinike”, ka stagnim në ekonomi, shëndetësia është në kolaps, sikurse ka degradim edhe në arsim e fusha të tjera.

    Duke folur për rritjen ekonomike, Krasniqi theksoi se ajo që parashihet të jetë rreth 3.5 për qind për vitin 2023, është jashtëzakonisht e vogël për një vend si Kosova me kaq shumë sfida, sidomos post-pandemike.

    “Është me e vogël sesa rritja mesatare ekonomike në kohën e viteve të para të pasluftës, kur ka qenë rreth 5 për qind, e ka qenë edhe në kohën e krizës më të madhe globale financiare (2008).

    Mbi të gjitha nën Qeverinë Kurti, për herë të parë ka ndodhur diçka që ka qenë e paparamendueshme: Kosova ka marrë sanksione nga Bashkimi Evropian, masa ndëshkuese konkrete, pezullim të rreth 300 milionë eurove të dedikuar për Kosovën dhe qytetarët e saj, pikërisht për shkak të qeverisë dhe për shkak të kryeneçësisë, gabimeve edhe mashtrimeve të kryeministrit”, ka thënë ai për EO.

    Një nga arsyet kryesore të vendosje së sanksioneve, sipas Krasniqit, ka qenë “pabesia” e kryeministrit.

    “Janë marrë vesh për diçka e ai nuk e ka mbajtur fjalën”, ka shtuar ai.

    Ai po ashtu ka komentuar dhe sondazhin e publikuar gjatë muajit dhjetor, ku partia në pushtet del se ka ende përkrahje të madhe.

    Ai e ka quajtur të papranueshme përfshirjen e ish-presidentit, Hashim Thaçi e ish-kryeparlamentarit, Kadri Veseli, në këtë sondazh dhe në diskutimet ditore politike.

    “Sondazhi i vetëm që vlen është sondazhi i kutisë së votimit dhe dita e zgjedhjeve… Nëse kryeministri vërtet beson në sondazhe të tilla, nëse ai përnjëmend mendon se populli ende vazhdon që të mbështesë, unë e ftoj që t’i shpallim zgjedhjet qysh sot”, ka thënë ai, duke shtuar se “për t’ia ruajtur egon Kurtit”, mund të shpërndahet Kuvendi dhe jo ai të japë dorëheqje.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark