×
  • Sport
  • Insajderi / Ballina 5

    Ku dëshiron ta shoh duke luajtur Baca Rifat Jashari, prej kujt e mori emrin dhe te cili ekip po luan- Futbollisti i Jasharajve flet për Insajderin

    Insajderi
    27 October 2022 - 19:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Igball Jashari nga familja legjendare e Jasharajve është rrugës për t’u bërë një futbollist i spikatur. Për Gazetën Insajderi, Jashari ka ndarë detaje për fillimet e karrierës së tij prej futbollisti. Ndër tjerash, ai ka treguar edhe në cilin ekip dëshiron ta shoh duke luajtur gjyshi i tij, përkatësisht Rifat Jashari, vëllai i Komandantit Legjendar Adem Jashari.

    Igball Jashari, nipi i komandantit legjendar, Adem Jashari aktualisht po luan me ekipin e Prishtinës.

    Siç tregon vet ai, ushtrimet i ka të kombinuara – me juniorët dhe me ekipin e parë, por luan me juniorët.

    “Stërvitjet po shkojnë mjaft mirë! Jam duke luajtur në ekipin e Prishtinës, stërvitjet i kam të kombinuara me junioret dhe ekipin e parë, ndërsa ndeshjet i zhvilloj me juniorët” – tha Jashari për Gazetën Insajderi.

    Igball Jashari me fanellën e Prishtinës

    Ai thotë se ndihet mjaft krenar që është pasardhës i familjes Jashari, duke nënvizuar se emrin e axhës së tij e mban me përgjegjësi të madhe.

    “Unë ndihem mjaft krenarë që jam pasardhës i familjes Jashari, poashtu ndihem mjaft krenar që e mbaj emrin e axhës tim Igball ,por në të njëjtën kohë kisha me thënë që është edhe përgjegjësi e madhe” – shtoi ai.

    Derisa, Igball Jashari thekson se me sport është marrë edhe axha i tij, nga i cili beson se i ka trashëguar aftësitë prej futbollisti.

    “Me futboll nga familja Jashari është marrë axha im, i cili ka qenë një lojtarë shumë i mirë e si duket e kam trashëguar nga ai pjesën e futbollit“.

    Futbollisti i Jasharajve tregon se prej mbështetësve me të mëdhenj të tij është gjyshi Rifat Jashari. Siç shpjegon futbollisti i Prishtinës, dëshira e Jasharit është ta shoh nipin duke luajtur për skuadrën e Bayern Munich.

    “Gjyshi im gjithmonë është një suportues i madh i imi, dhe dëshira e gjyshit tim është qe unë një ditë të luaj në Bayern Munchen” – tha Jashari për Insajderin.

    Igball Jashari me gjyshin, Rifat Jashari

    Në anën tjetër, ishte planifikuar që Igball Jashari të transferohej në Gjermani. Ishin Leipzigu dhe Stuttgarti klubet që kishin shprehur interesim për shërbimet e tij.

    Por, ky transferim nuk u bë. Jashari bëri të ditur se provat i ka kryer, por ende nuk ka asgjë konkrete.

    Provat i kamë kryer, jemi në kontakt, por nuk ka asgjë konkrete“- bëri të ditur numri 9-të i Prishtinës.

    Ai shton se ëndrra e tij e vetme është që të luaj për Përfaqësuesen e Kosovës.

    “Ëndrra ime është që një ditë te luaj për Kombëtaren e Kosovës dhe sadopak ta jap kontributin tim për Kombëtaren e zemrës sime” – përfundoi ai.

    Igball Jashari është pjesë e Përfaqësueses së Kosovës U-17.

    GAZETA INSAJDERI

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark