Përforcimi i parë dimëror për Dinamon është mesfushori Sabien Lilaj. Një emër shumë i njohur i Superiores dhe “Lojtari më i mirë” i saj kur luante me fanellën e Skënderbeut, ndërsa ka qenë pjesë edhe e Kombëtares në të kaluarën.
Pas aventurave në Azerbajxhan, Izrael dhe Kosovë, Lilaj vendosi të kthehet në Shqipëri dhe zgjodhi Dinamon për të vazhduar karrierën.
Ai ka firmosur një kontratë për 2.5 vite me klubin blu, ndërsa në një intervistë për “Panorama Sport”, tregon pse bëri këtë zgjedhje krahas ofertave të tjera që kishte pas largimit nga Prishtina në muajin e kaluar.
Sabien, pse vendosët t’i bashkoheni Dinamos pasi u larguat nga Kosova, dhe a patët oferta të tjera?
Vendosa të firmos për Dinamon, pasi ishte projekti më serioz që kisha përpara në këtë moment. Kishte disa telefonata nga Partizani dhe dua t’i falënderoj drejtuesit dhe tifozët e tij që më kanë shkruar gjatë kësaj kohe. Kam zgjedhur Dinamon, që ka emrin dhe historinë e saj, por siç e thashë, është një projekt që më pëlqen, një projekt ashtu si duhet të jetë. U bënë 4 vjet larg Shqipërisë dhe doja të fokusohesha këtu tani, në kryeqytet.
Për sa kohë keni firmosur me Dinamon?
Kam firmosur me Dinamon për dy vjet e gjysmë dhe pastaj do të flasim përsëri me presidentin Bardhi për të mbetur pjesë e këtij klubi. Kam ardhur në një familje. Jam afër fundit të karrierës, por te Dinamo nuk kam ardhur sot për sot. Kam ende për të dhënë dhe për ta ndihmuar këtë skuadër për të shkuar atje ku duhet.
Këtë sezon të rikthimit në Superiore skuadra nuk ka ecur mirë dhe qëndron poshtë në renditje. Nuk ndikoi ky fakt në vendimin tuaj?
Për një skuadër që formohet nga e para këto vështirësi janë, rëndësi ka që të futemi në rrugën e duhur sa më shpejt. Sado lojtarë të marrësh, nuk është e lehtë. Sigurisht që e pashë renditjen kur vendosa, por arsyeja e parë ishte projekti që ka presidenti, pastaj edhe Shkëmbi ndikoi në këtë zgjedhje. Kemi luajtur bashkë, kemi fituar shumë bashkë dhe e njohim mirë njëri-tjetrin. Kisha dëgjuar që Dinamo ka një president serioz, që i ka siguruar skuadrës të gjitha kushtet e nevojshme dhe kështu është.