×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Lutja për shofer e ambasadorit Dugolli nuk dëgjohet nga ministrja Gërvalla

    Insajderi
    13 February 2023 - 16:35
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Lutja e ambasadorit të Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Ilir Dugollit për t’ia siguruar një shofer po has në vesh të shurdhër. Shefja e tij, Donika Gërvallla nuk është duke e marrë parasysh kërkesën e Dugollit. Mungesa e shoferit u vërejt edhe në një vizitë që kryeministri, Albin Kurti e realizoi në tokën përtej Atlantikut.

    Në maj të 2022-ës, kryeministri Kurti realizoi vizitën më të gjatë në SHBA. Në ditët e para, të qëndrimit të Kurtit atje, ambasadori Dugolli u detyrua ta luajë edhe rolin e shoferit.

    Për mungesën e stafit në ambasadë, duke përfshirë edhe atë të një shoferi shefi i diplomacisë në Uashington, ka tash e dy muaj që ka dorëzuar një ankesë në zyrën e Gërvallës.

    Ndërkohë, ka afro një javë që Gazeta Insajderi ka kërkuar përgjigje nga ministrja Donika Gërvalla për të kuptuar nëse ankesat e Dugollit do t’i marrë parasysh. Por, kjo e fundit nuk ka kthyer asnjë përgjigje. Ka zgjedhur heshtjen mbi keqmenaxhimin e MPJD-së.

    Në raportin e punës të përpiluar nga ambasadori, Ilir Dugolli, i cili mbanë datën 18 dhjetor, theksohen një sërë problemesh. Theks të veçantë i vihet mungesës së personelit.

     “Për fat të keq aspekti i personelit vendor mbetet i bllokuar dhe pa gjasë të zgjidhjes. Kjo vazhdon të jetë pengesë serioze në punë duke konsumuar një pjesë të madhe të energjisë së stafit diplomatik. Përkundër përpjekjeve të shumta, përfshirë edhe tentimet që në bashkëpunim me disa universitete të angazhohen praktikantë, deri më tani kjo pikë mbetet e pazgjidhur”, thuhet në raportin e tij drejtuar Gërvallës.

    Tutje, Dugolli jep edhe opsion se si do të mund të zgjidhej çështja e mungesës së shoferit. Si shembull përmend edhe vendet e rajonit.

    Aktualisht opsioni më real i cili do të mund të kishte gjasë të adresojë çështjen e personelit vendor (në një vend pa prani të komunitetit tanë dhe me kosto enorme të jetesës) është formula që përdorin disa shtete të rajonit si Shqipëria e Kroacia, të cilat nga kryeqendra emërojnë zyrtar me detyrë të kombinuar si vozitës, njëkohësisht përgjegjës për siguri dhe detyra logjistike në Ambasadë”, vijon ankesa e Dugollit nga SHBA.

    Mungesën e stafit e përmend, edhe tek pika “Menaxhimi i Ambasadës”, duke e vlerësuar si “brutal” trajtimin e Kosovës nga SHBA-të. 

    Shef i diplomacisë apo shofer i Albin Kurtit në Amerikë

     Në mungesë të një shoferi në ambasadën e Kosovës në Uashington, ambasadori u detyruar ta luaj edhe rolin e shoferit.

    Gjatë vizitës së kryeministrit, Albin Kurti në maj të 2022 në SHBA, Ilir Dugolli u detyruar ta vozisë Kurtin.

    Njohësit e protokollit deklaruar se ky veprim përbën shkelje të protokollit.

    Ambasadori Dugolli duke e vozitur kryeministrin Kurti në SHBA – maj, 2022

    Pjesa diplomatike e raportit të Dugollit

    Mungesa e shoferit në ambasadë është vetëm një nga mungesat që shpërfaqin keqmenaxhimin e madh në MPJD. Pjesa tjetër e raportit është edhe më tronditëse. Gjatë raportit të tij, Dugolli përdorë edhe shprehjen “brutal” teksa sqaron trajtimin që sipas tij SHBA po i bën Kosovës.

    Madje ai thotë se janë “më brutal” se sa mendohet në Prishtinë.

    Përderisa mund të ketë ambasadë tjetër të RKS-së që ka funksionuar me nivel të njëjtë të stafit, vështirë të ketë rast tjetër ku shkrihen në një vend mbështetja në një diplomat të vetëm, pa staf vendor, me trajtim nga shteti nikoqir që është larg më brutal se që mund të perceptohet në kryeqendër…”.

    Një pikë tjetër e ngritur nga Dugolli është edhe numri i vizitave të realizuar. Tregon se ka pasur ngecje.

    Tek pjesa kur flet për “Komunikimin me shtetin nikoqir”, ai sqaron se si “Në nivelin e shteteve dhe autoriteteve lokale (përjashto Uashingtonin dhe ato që janë realizuar si pjesë e vizitave të nivelit të lartë), ka qenë e pamundur të realizohet çfarëdo takimi, kështu që kjo pikë kërkon vëmendje gjatë viteve në vijim”.

    Ilir Dugolli zyrtarisht është emëruar ambasador i Kosovës në Uashington në nëntor të 2021-ës.  Për emërimin e tij, njoftoi ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës Donika Gërvalla.

    Ilir Dugolli është personi të cilin e kemi konsideruar si diplomatin me përvojë i cili mund t;i bëjë ballë gjithë asaj pune. Ai e ka marrë agremanin e SHBA dhe i cili brenda shumë pak ditësh udhëton për në Uashington për të filluar punën e tij atje”, deklaronte ajo.

    /GazetaInsajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark