×
  • Lajme
  • Insajderi

    Me 50% të stafit, Gjykata Komerciale pritet të nis në shtator gjykimin e mbi 8 mijë rasteve që i janë dorëzuar

    Insajderi
    23 August 2022 - 12:29
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Mbi 8 mijë raste presin në siratarët e rinj të Gjykatës Komerciale, e cila është formuar në fillim të këtij viti, e që pritet të nis me seancat gjyqësore në muajin shtator. Për herë të parë në Kosovë pritet që të gjitha kontestet lidhur me çështjet ekonomike dhe konfliktet administrative në kontestet biznesore, të trajtohen nga Gjykata Komerciale. Sipas kryetarit të kësaj gjykate  Mahir Tutuli, 50% e stafit është kompletuar por deri në plotësimin e plotë të numrit të gjyqtarëve dhe stafit mbështetës nuk do të jenë në kapacitetin e plotë të procedimit të lëndëve

    Edhe pak ditë kanë mbetur deri në fillimin e seancave të para gjyqësore të Gjykatës Komerciale në Kosovës. Kështu ka thënë në një deklaratë për Gazetën Insajderi, kryetari i kësaj gjykate Mahir Tutuli.

    Gjithçka është gati, tashmë edhe lëndët të cilat do i trajtojnë të dy shkallët e gjykatës janë dorëzuar nga gjykatat tjera. Në total mbi 8 mijë raste që lidhen me kontestet e çështjeve ekonomike, janë dorëzuar në Gjykatën Komerciale.

    “Nga gjykatat themelore në Gjykatën Komerciale janë transferuar gjithsejt 6,754 lëndë në Dhomat e Shkallës së Parë, ndërsa nga Gjykata e Apelit janë transferuar 1,342 lëndë në Dhomën e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale”, tha Tutuli.

    Gjykata Komerciale është kompetente për të gjykuar në Dhomat e Shkallës së Parë dhe Dhomat e Shkallës së Dytë, kontestet ndërmjet shoqërive tregtare vendore dhe të huaja, si dhe kontestet ndërmjet personave juridikë publikë dhe privat, në lidhje me çështjet e ndërsjella tregtare dhe çështje tjera mes tyre.

    Sipas këtij ligji me prioritet do të trajtohen rastet nga procedura e përmbarimit, falimentimit dhe arbitrazhit, shkruan Insajderi.

    I pyetur nëse gjykata tashmë ka staf të mjaftueshëm për nisjen punës, Tutuli deklaroi se për funksionalizimin e plotë të saj, duhet të potësohen edhe 50% e pozitave.

    Deri tash janë anagazhuar 11 gjyqtarë por sipas Tutulit janë të nevojshëm edhe 9 gjyqtarë të tjerë.

    “Për funksionalizimin e plotë të Gjykatës është e nevojshme që të plotësohen të gjitha pozitat e përcaktuara me organogramin e Gjykates. Për informatën Tuaj, në Dhomat e Shkallës së Parë janë të angazhuar shtatë (7) gjyqtarë, ndërsa në Dhomat e Shkallës së Dytë janë të angazhuar katër (4) gjyqtarë, ndërsa me Ligjin për Gjykatën Komerciale, parashihet që gjykata duhet të ketë minimum njëzet (20) gjyqtarë, megjithatë Qeveria e Republikës së Kosovës nuk ka ndarë buxhet për plotësimin e këtij numri”.

    “Gjykata Komerciale aktualisht ka të plotësuar rreth 50% të pozitave të përcaktuara me organogramin e Gjykatës, megjithatë me keto kapacitete që ka do të arrijë që çështjet me prioritet t’i përfundoj brenda afateve ligjore”, tha Tutuli.

    Kujtojmë se Dhomat e shkallës së parë të Gjykatës Komerciale përbëhen nga katër departamente të ndara, që përfshijë Departamentin për Çështje Ekonomike, Departamentin Fiskal, Departamentin për Çështje Administrative dhe Departamentin e Përgjithshëm.

    Dhomat e shkallës së parë shqyrtojnë dhe gjykojnë rastet nga gjyqtari individual, ndërsa Dhomat e shkallës së dytë shqyrtojnë dhe gjykojnë rastet në kolegje të përbëra prej tre gjyqtarëve.

    Vendimet e Gjykatës janë të detyrueshme për të gjithë personat fizikë dhe juridikë. Gjykata publikon të gjitha aktgjykimet në faqen e saj zyrtare të internetit, në afat prej 60 ditësh nga data e nxjerrjes së aktgjykimit, në pajtim me legjislacionin në fuqi.

    Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka thënë se Gjykata Komerciale do ta përshpejtojë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve komplekse komerciale.

    “Mirëpresim inaugurimin e Gjykatës Ekonomike të Kosovës të hënën. Kjo gjykatë, e mbështetur nga USAID, do të përshpejtojë zgjidhjen e mosmarrëveshjeve komplekse komerciale dhe është një hap i madh përpara për rindërtimin e besimit të sektorit privat në sistemin gjyqësor të Kosovës”, ka shkruar Hovenier në Twitter.

    Fillimi i punës së kësaj gjykate është mirëpritur edhe nga ministrja e Drejtësisë në Kosovë, Albulena Haxhiu.

    “Gjykata Komerciale filloi punën shumë pak muaj pas hyrjes në fuqi të Ligjit. Falenderoj Kuvendin për mbështetjen si dhe Këshillin Gjyqësor për bashkëpunimin dhe angazhimin për funksionalizim të Gjykatës Komerciale, gjithashtu edhe programin e USAID për drejtësi komerciale”.

    “Punë të mbarë gjyqtarëve dhe stafit mbështetës, uroj ta kryejnë punën me nderë dhe përkushtim dhe vetëm në përputhje me kompetencat dhe legjislacionin”, tha Haxhiu. /Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark