×
Insajderi / Insajderi

Mimoza Kusari si një kameleon- Paradite e mohon komunikimin me Radojçiqin pasdite thotë se bisedoi në interfon

Insajderi
11 July 2023 - 12:00
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Në publikimin e përgjimit ku dëgjohet teksa shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari flet me deputetin e Listës Serbe, Slavko Simiq u përmend edhe Milan Radojçiq ndaj të cilit ka urdhërarrest ndërkombëtar. Simiq ia rikujton Kusarit një bisedë që e ka zhvilluar me Radojçiqin.

Kusari në hollin e Kuvendit dje e mohoi të ketë komunikuar me Radojçiqin, përkundër se në audio-incizim e pohon se ka biseduar me të për rreth 3-4 minuta.

E pyetur nga gazetari, Kusari tha se ka refuzuar dhe i ka rezistuar komunikimit me Radojçiqin, shkruan Insajderi.

“Unë nuk kam as numër, as komunikim me Milan Radojçiqin. Unë i përmenda, kanë qenë dy përfaqësues këtu që ishin, përderisa gjatë gjithë kohës i kam refuzuar dhe i kam rezistuar komunikimit me të dhe komunikimi çfarë kanë pasur Lista serbe me Milan Radojçiqin është çështje e tyre, e kanë nënkryetar, ai dihet se si është dhe në Qeverinë Kurti është kthyer aktakuza dhe është kthyer urdhërarresti, prandaj edhe në momentin që do të zihet ai do të arrestohet. Prandaj nuk ka ndonjë hapësirë për ndonjë komunikim tjetër në raport me këtë person”, deklaroi Kusari.

Deklaratat e Kusarit çuditërisht ndryshuan në mbrëmje.

Në një intervistë në RTV Dukagjini, Kusari tha se është e vërtetë që ka komunikuar me Radojçiqin por në interfon.

Ajo theksoi se komunikimi ka ndodhur vetëm një herë dhe atë në gjuhën shqipe.

“Nuk kam pas aq kohë sa me hy në detaje të akuzës së tij, nuk ka qenë e vërtetë që kam bisedu 40 minuta por 3-4 minuta. Këtë kurdo mundem me e konfirmu që kjo biseda e shkurtër tre minutshe në gjuhën shqipe në interfon në zyrën time ka qenë vetëm një herë dhe asnjëherë tjetër nuk ka pas as komunikim as koordinim”, tha Kusari.

PJESË NGA BISEDA:

Slavko: “Ti e din që unë të kam lidhë me Millanin, keni bisedu ka 30-40 minuta për me gjetë ndonjë zgjidhje”

Mimoza: “Dy tre minuta”

Slavko: “Një herë keni bisedu gjatë, ku keni bisedu për energji në veri, a e mban mend”

Slavko: “Kemi provu me gjetë zgjedhje edhe me ndërtu një raporto partnerësh dhe cfarë ndodhi, njeri që marrim direkt instruksione, që e ka një diapazon të gjanë për secilin prej nesh, pa të cilin nuk mund të bëjmë asgjë… disa vendime që i marrim bashkë me të, nuk mundet me ndiku as Vuçiqi.”

Mimoza: “E kush është kryesori, Rakiq apo?”

Slavko: “Milani bre është kryesore, po cfarë Rakiqi, i cili është vec kryetar i Listës Serbe dhe anëtar i Qeverisë ama kur të vjen puna për me marrë vendime, për këtë sene nuk ka nevojë as me më pyet sepse t’i kam shpejgu kur kemi bisedu… Njeriu nuk e ka meritu aspak tretmanin që i është bërë, duke e futë në listën e ndalimit”

Mimoza: “Pse po më thua mua?”

Slavko: “Ti mu më ke thënë, ti mu më ke thënë që ki me folë me kryeministrin edhe që kryeministri ka me shiku se për çka bëhet fjalë që ka me folë edhe me ministren e Drejtësisë edhe me ministrin e Punëve të Brendshme, a është qishtu? Pastaj kur e kemi pasë situatën me zgjedhjet, vetëm po të kthej pak në retrospektivë… edhe ti e ki pamjen e gjanë asnjë palë zgjedhje nuk kishin me u ba në veri të vendit, mos t’ish kanë Millani edhe heqja e barrikadave, ai nuk është aspak person destruktiv për Kosovën…”

Slavko: “Ti e din që prej fillimit që e kemi pasë një raport partnerësh…, e tash ti mu po më pyet për këtë ligj kur na kena probleme më të mëdhaja.”

Mimoza: “E di Slavko ama tash krejt këto pika që janë në agjendë e ato nuk mund të hjekën nëse ne nuk votojmë ashtu siç kemi folë ose nëse qeveria nuk tërhiqet…”

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark