×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Ministria e Rozeta Hajdarit e shpërblen me tender kompaninë që mashtroi shtetin

    Insajderi
    01 November 2022 - 10:55
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Dikasteri që udhëhiqet nga Rozeta Hajdari i ka dhënë tender kompanisë “Interlab” SHPK, e cila deri në fillim të vitit ishte në Lisën e Zezë të Gjykatës së Tenderëve, për shkak të dokumenteve false që ia ka paraqitur shtetit.

    Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, e ka shpërblyer me tender kompaninë “Interlab” SHPK, që deri në fillim të këtij viti ishte në Listë të Zezë.

    Në kontratën që peshon 352 mijë e 950 euro, ndërmarrja që kishte mashtruar shtetin, ka marrë 184 mijë e 482 euro, zbulon Gazeta Insajderi.

    “Interlab” SHPK  e ka fituar lotin e dhjetë të prokurimit publik me titull: Furnizim me pajisje laboratorike shtesë dhe aksesor për laboratorët ekzistues të Agjencisë së Metrologjisë së Kosovës.

    Biznesi me bazë në Shtime, i cila udhëhiqet nga Betim Sadriu, e që për veprimtari primare e ka tregtinë me shumicë të produkteve kimike, do të blejë peshore-komparator për laboratorin e masës së AMK-së, sipas njoftimit për dhënie të kontratës të publikuar sot nga Komsioni Rregullativ i Prokurimit Publik, shkruan Gazeta Insajderi.

    Kontrata nga dikasteri i Rozeta Hajdarit për operatorin ekonomik është dhënë dje, derisa e njëjta pritet të nënshkruhet nga të dy palët më 4 nëntor.

    Njoftimi për këtë aktivitet ishte bërë më 22 prill të këtij viti, proces ky i cili ishte anuluar më 21 korrik, për të përfunduar si çështje tek dje me njoftimin për dhënie të tenderit, shkruan Gazeta Insajderi.

    Pse “Interlab” SHPK ishte futur në Listë të Zezë nga shteti?

    Kompania “Interlab” SHPK ishte futur në Listë të Zezë nga shteti shkurtin e vitit të kaluar.

    Kështu pati vendosur Gjykata e Tenderëve, pasi operatori ekonomik që merret me tregtinë e produkteve medicinale ka mashtruar shtetin, duke paraqitur dokumente të falsifikuara.

    “Operatori në fjalë diskualifikohet dhe atë për periudhë kohore prej 1 viti, të njëjtit i ndalohet pjesëmarrja në Aktivitetet e Prokurimit Publik të Republikën e Kosovës, nga data 01.02.2021 deri më 31.01.2022”, thuhej në vendimin e OSHP-së, shkruan Gazeta Insajderi.

    Ky vendim kishte ardhur pas ankesës së Shërbimit Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës, të bërë më 18 janar 2021, ku thuhej se “Interlab” SHPK ka paraqitur të dhëna të rreme dhe dokumente të falsifikuara në tenderin: “Furnizimi me material medicinal nga LE për nevojat e ShSKUK-së”.

    “Interlab” SHPK në prokurimin publik të SHSKUK-së ka pad konkurruar për Lot 12, pozicioni 2, me “Tongue depressor Wooden” apo shkopinjë sterilë për kontrollimin e fytit, me prodhues “Yangazhou Super Union Kinë”.

    Sipas dokumenteve origjinale, prodhuese e 149 mijë shkopinjve sterilë për kontrollimin e fytit (të njohur si depresor) të porositura nga SHSKUK nuk janë prodhura nga “Yangazhou…”, siç ka deklaruar “Interlab”-i, por nga “Boen healthcare Co., Ltd Kina”, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Interlab” SHPK kishte fituar tender gjatë kohës sa ishte Listë të Zezë

    Gazeta Insajderi pati zbuluar vitin e kaluar se “Interlab” SHPK e pati fituar një tender në vlerë prej 25 mijë eurove nga komuna e Vushtrrisë, një muaj pasi e njëjta është futur në Listë të Zezë nga Gjykata e Tenderëve.

    Komuna e Vushtrrisë dhe kompania “Interlab” SHPK më 26 mars të 2021 e patën nënshkruar kontratën për një tender që vlente 25 mijë euro.

    Kompania do të furnizonte me pajisje mjekësore për Covid-19 qendrat e mjekësisë në Vushtrri.

    Njoftimi për dhënien e këtij tenderi ishte bërë më 4 mars 2021, një muaj pasi “Interlab” SHPK ishte futur në Listë të Zezë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit, shkruan Gazeta Insajderi.

    Drejtori i Prokurimit në Vushtrri, Amir Haradinaj, e pati arsyetuar këtë veprim të komunës. Ai kishte thënë se të gjithë procedurat e prokurimit për këtë tender ishin kryer para se “Interlab” SHPK të futej në Listë të Zezë nga Gjykata e Tenderëve.

    “Të gjitha procedurat e prokurimit janë kryer para se kompania të futet në Listë të Zezë nga shteti, por kontrata nuk është nënshkruar deri në mars për shkak se nuk e kemi pasur buxhetin e siguruar”.

    “Në momentin që e kemi siguruar buxhetin, e kemi nënshkruar edhe kontratën me “Interlab” SHPK”, kishte thënë Haradinaj për Gazetën Insajderi.

    Por, një gjë të tillë nuk e lejon Ligji i Prokurimit. Në momentin që një kompani futet në Listën e Zezë nuk mund të jetë pjesë e procedurave tenderuese.

    Komuna e Vushtrrisë njoftimin për dhënie të kontratës dhe nënshkrimin e saj e pati bërë një muaj pas vendimit të OSHP-së për ta futur “Interlab” SHPK në Listë të Zezë . Ndërkaq, njoftimi për hapjen e këtij tenderi ishte bërë më 4 dhjetor 2020.

    Blerim Dina, atë kohë kryetari i Organit Shqyrtues të Prokurimit, pati pohuar se në momentin që një operator diskualifikohet, ai nuk ka të drejt të marrë kontratë publike, pavarësisht nëse për të njëjtën ka aplikuar para se të futej në Listë të Zezë.

    “Konform nenit 32 të rregullores se punës të OSHP-së nëse një OE [operator ekonomik] futet në Listë të Zezë, nga momenti i nxjerrjes së vendimit e deri në datën sa zgjat diskualifikimi, diskualifikohet nga procedurat e prokurimit”, thoshte Dina për Gazetën Insajderi.

    Neni 32 i rregullores së Organit Shqyrtues të Prokurimit ndër të tjera e ndalon edhe nënshkrimin e kontratës publike me autoritetin kontraktues nga momenti që ajo futet në Listë të Zezë.

    “Diskualifikimi është i vlefshëm nga momenti i nxjerrjes së vendimit lidhur me diskualifikimin, deri në periudhën kohore të përcaktuar ne vendimin e panelit shqyrtues. Për qëllime të kësaj dispozite aktiviteti i prokurimit ndër të tjerash përfshinë edhe nënshkrimin e kontratës publike me autoritetin kontraktues”, shpjegon neni 32 i rregullores së Gjykatës së Tenderëve, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Interlab” SHPK mori mbi 2 milionë euro nga kontratat e negociuar në kohën e pandemisë

    Kompania “Interlab” në pikun e pandemisë së Coronavirusit gjatë vitit 2020, pati përfituar tri kontrata të negociuara nga Ministria e Shëndetësisë, të cilat kapnin shumën e mbi 2 milionë eurove.

    MSH këtë kompani e pati shpërblyer me një kontratë të negociuar për 60 mijë teste PCR për Sars-Cov-2, në vlerën e 1 milion e 300 mijë euro.

    Një kontratë të negociuar për teste PCR, “Interlab” e kishte fituar edhe në muajin maj. Kontrata ishte në vlerë 157 mijë euro për furnizim të rreth 10 mijë testeve PCR.

    Ndërkaq në prill, Ministria e Shëndetësisë kishte blerë nga kjo kompani 30 respiratorë në vlerë 749 mijë euro.

    Lexo edhe:

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark