×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Ministria e Shëndetësisë inicon shkarkimin e Isuf Zekajt nga Bordi i ShSKUK-së

    Insajderi
    10 January 2023 - 16:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Ministria e Shëndetësisë ka iniciuar sot shkarkimin e kirurgut Isuf Zekaj, nga pozita e anëtarit të Bordit të SHSKUK- së, pas përfshirjes në një aferë të korrupsionit. Ai po dyshohet se të paktën në dy raste ka marrë para nga pacientët për të kryer operacione, në spitalin e Vushtrrisë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Zekaj sot është suspenduar edhe nga puna si shef i kirurgjisë në spitalin e Vushtrrisë. Lajmin për Gazetën Insajderi është konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë.

    “Lidhur me rastin në Spitalin e Vushtrrisë, na lejoni që të ju informojmë se  Bordi i SHSKUK- së  ka njoftuar Ministrinë e Shëndetësisë se Spitali i Vushtrrisë, sot ka marr masat komfor legjislacionit në fuqi duke suspenduar tre kirurgë të cilët janë duke u hetuar për vepra koruptive një koheshit , Ministria e Shëndetësisë komfor përgjegjësive të saja ka iniciuar sot shkarkimin e anëtarit të Bordit të SHSKUK- së, Dr. Isuf Zekaj, përfaqësues nga Spitalet e Përgjithshëm”, thuhet në përgjigjen e MSH-se dhënë Insajderit.

    Shef i kirurgjisë në spitalin e Vushtrrisë, Isuf Zekaj nuk është gjetur sot në vendin e punës kur policia zbarkoi për ta arrestuar, së bashku me kolegët e tij, Arsim Latifaj dhe Ekrem Sefiu.

    Ai gjendet në pushim vjetor jashtë shtetit dhe pritet që së shpejti të aterojë në Kosovës për tu dorëzuar, shkruan Insajderi.

    Kështu ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, drejtoresha e spitalit të Vushtrrisë, Shefkije Shatri. Ajo tha se të tre kirurgët janë suspenduar nga puna deri në njoftim tjetër.

    Tutje, Shatri shtoi se kirurgu Zekaj është thirrur në telefon për t’u dorëzuar në Policinë e Kosovës.

     “Ju njoftojmë se policia e Kosovës po sa e ka arrestuar në Spital, dr. Arsim Latifaj dhe dr. Ekrem Sefiu. Ndërsa dr. Isuf Zekaj është në pushim vjetor për çka është thirrur në telefon dhe i është kërkuar dorëzimi në polici. Të njëjtit janë suspenduar nga puna deri ne një njoftimin tjetër”, ka deklaruar Shatri për Insajderin.

    Tre kirurgë në Spitalin e Vushtrrisë dyshohet se kanë marr para nga pacientët për të kryer operacionet.

    Paratë nga rreth 150 deri në 400 Euro, siç rrëfejnë pacientët dhe familjarët në katër video ekskluzive që ka siguruar Gazeta Shneta, mjekët i kanë marr në emër të blerjes së materialit (kryesisht rrjeta dhe klipa) të nevojshëm për operacion.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark