Jose Mourinho është shprehur i lumtur me fitoren e skuadrës së tij AS Roma e në veçanti me futbollistin argjentinas, Paulo Dybala, shkruan Insajderi.
Roma mposhti 3:0 Helsinkin në ndeshjen e grupit C të Ligës së Evropës.
Mourinho pas ndeshjes deklaroi se nuk ishte një fitore e jashtëzakonshme pasi për disa minuta skuadra e tij luajti me një futbollist më shumë.
Ai po ashtu lavdëroi dy yjet e skuadrës, Dybala dhe Zaniolon.
“Refuzoj të them se kjo ishte një fitore e jashtëzakonshme, duke qenë se luajtëm për 75 minuta me një lojtar më shumë. Ishte një ndeshje e bukur, ndaj një kundërshtari shumë të mirë, pa emra, por me një organizim perfekt dhe me ide të qarta. Dybala ishte fantastik. Na ndihmoi shumë, na dha avantazhin e më pas qetësinë e duhur për të marrë pikët e plota. Zaniolo? Në pjesën e parë ne nuk luajtëm mirë, ai sigurisht mori përsipër shumë përgjegjësi dhe bëri një ndeshje të mirë, pasi jo vetëm sulmoi, por ishte vazhdimisht në ndihmë të skuadrës në metrat e fundit. Sa i përket grupit nuk e kam thënë që jemi me patjetër favorit. Jo, kemi dy ndeshje direkte me kryesuesit e grupit, Real Betis dhe në këto dy takime do të vendoset gjithçka.”