×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    “Nepotizëm, komunë për oligarkët, qytetarët pa ujë të pijshëm”, ish- kundër-kandidati i Lladrovcit liston dështimet e tij

    Insajderi
    02 October 2022 - 12:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Ish- kandidati për kryetar të Komunës së Drenasit nga “Demokratët për Drenasin”, Driton Ajazi, në një intervistë për Gazetën Insajderi ka folur për udhëheqjen e Ramiz LLadrovcit nga PDK-ja në këtë komunë.

    Ajazi tha se kryetari i Drenasit nuk po punon në të mirë të qytetarëve dhe se po i shërben bizneseve të afërta me të. 

    “Qeverisje e dështuar pa plan konkret, që nuk shtyn përpara interesat e përgjithshme të Komunës së Drenasit, por vetëm agjendat e grupeve të caktuara të interesit  apo oligarkëve të ndryshme që i kanë qëndruar prapa gjatë zgjedhjeve”, tha ai.

    Sipas tij, përderisa Lladrovci po përmbush oreksët e oligarkëve, qytetarët po përballen me probleme si mungesa e ujit të pijshëm. 

    “Janë reth 22 fshatra me mungesë të elementit kryesor, ujit të pijshëm. Pastaj kulminacioni i nepotizmit ka arritur. Të afërmit, familjarë e madje edhe të afërm të vartësve të tij kanë punësuar familjarë në pozita të ndryshme qoftë në administratën komunale, shëndetësi dhe arsim dmth kulmi është arritur”, pohoi Ajazi. 

    Ish-kandidati për kryetar në Drenas, ja ka përmendur kryetarit Lladrovci edhe udhëtimet jashtë vendit duke i thënë se e ka mendjen për pushime e të ndjek ndeshje futbolli.

    Ajazi para se të mbaheshin zgjedhjet lokale ishte pjesë e PDK-së. Dega e kësaj partie madje i kishte dhënë mbështetje për të qenë kandidat për kryetar të Komunës së Drenasit në zgjedhjet lokale që u mbajtën. Por, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, e kishte zyrtarizuar kandidaturën e Ramiz Lladrovcit për kryetar të Komunës së Drenasit. 

    Kjo bëri që Ajazi ta nisë iniciativën “Demokratët për Drenasin”, që tani  ka 7 asamblist në Kuvendin Komunal. 

    Intervista e plotë:

    Gazeta Insajderi: Ju ishit pjesë e PDK-së në Drenas dhe pas largimit ju ishit kundër-kandidat ndaj Ramiz Lladrovcit, a keni pasur ofertë për t’u rikthyer në PDK? 

    Për shkak se ne nuk jemi pajtu me kandidaturën e Ramiz Lladrovcit, ne kemi vazhduar me garën tonë për kryetar, për shkak të rrethanave kemi vazhdu me programin tonë “Demokratët për Drenasin”. Nuk kam pasur oferta zyrtarisht për të qenë pjesë e PDK-së, por kam pasur oferta nga parti të tjera. 

    Gazeta Insajderi : Cili është aktiviteti juaj tani, a mund të na listoni disa nga pikat kryesore ku jeni të fokusuar? 

    Tanimë vetë mbështetja e gjerë e qytetarëve për platformën tonë, neve na obligon që qytetarëve t’u qëndrojmë afër dhe t’i trajtojmë hallet e tyre. Ne së bashku me asamblistët tanë, pas zgjedhjeve kemi dal me 8 asamblist, ku një prej tyre ka kaluar në PDK. Ne jemi të fokusar në problemet e qytetarëve të Drenasit që t’i mbrojmë ata në Asamblenë Komunale të Drenasit. 

    Gazeta Insajderi: Si e vlerësoni udhëheqjen e Ramiz Lladrovcit dhe cilat mendoni se janë disa nga dështimet e këtij pushteti në Drenas? 

    Qeverisja e Ramiz Lladrovcit si mandatet tjera, është në terësi qeverisje e dështuar, pa plan konkret, që nuk shtyn përpara interesat e përgjithshme të Komunës së Drenasit, por vetëm agjendat e grupeve të caktuara të interesit  apo oligarkëve të ndryshme që i kanë qëndruar prapa gjatë zgjedhjeve. Kjo mund të konkretohet me mungesën e investimeve të huaja që ai kishte premtuar në Drenas. Edhe pas gjashtë viteve nuk kemi asnjë investor që ka ardhur të investojë. Dështimet tjera janë mosrealizimi i projektit për ujin e pijshëm. Janë reth 22 fshatra me mungesë të elementit kryesor, uji i pijshëm. Pastaj kulminacioni i nepotizmit ka arritur. Të afërmit, familjarë e madje edhe të afërm të vartësve të tij kanë punësuar familjarë në pozita të ndryshme qoftë në administratën komunale, shëndetësi dhe arsim d.m.th kulmi është arritur. Nuk kanë shtyer përpara intereset e qytetarëve. 

    Dy dështime tjera janë edhe projektet e vetme të nisura nga Lladrovci siç është rruga “Katër Korsitë”. Edhe pse janë investuar mbi 400 mijë rruga është e pashfrytëzueshme sepse nuk është lidhur me rrugën kryesore. Si dhe një çerdhë që ishte planifikuar të filloj mësimi tani, ajo sa ka nisur. 

    Gazeta Insajderi: E përmendet disa herë Komuna në funksion të oligarkëve, kush janë këta a mund të na elaberoni më shumë? 

    Po, qytetarët e Komunës së Drenasit e dinë se kush i ka qëndru prapa dhe çfarë biznese me çka merren, janë fotografitë, qytetarët i dinë të gjitha projektet si dhënia e pronave, harta zonale janë bërë për të ia plotësuar oreksin personave dhe atyre bizneseve. 

    Gazeta Insajderi: Sipas Institutit GAP, Lladrovci nga 37 premtime që dha gjatë fushatës elektorale, ka përfunduar 7 prej tyre, çfarë mendimi keni ju për këtë? 

    Kjo është një pasqyrë tjetër e dështimit të tij, ka komuna që i kanë realizuar 50 për qind të premtimeve ndërsa Lladrovci vetëm shtatë. Në këtë shtatëshe ishte edhe rruga “Katër Korsitë”, aty thuhet se është projekt i përfundum, por realisht nuk është e shfrytëzueshme. Të mos flasim për premtime tjera që mbetin në letër. Ai nuk ka fokus qytetarin por bizneset pasi i duhet të ua kthejë borxhin atyre që i qëndruan mbrapa. Do jemi dëshimtar për këtë edhe në fund të mandatit të tij. 

    Gazeta Insajderi: Së fundmi Gazeta Insajderi ka raportuar se Komuna e Drenasit ka shpenzuar për derivate më shumë se 14 mijë euro, si i shihni ju këto shpenzime? 

    Këto shpenzime janë të paarsyshme, ata nuk janë të interesuar ta ruajnë buxhetin. Ai më shumë i ka fokus udhëtimet jashtë vendit, rekreative, të shikojë naj ndeshje futbolli sesa të merret me punë që ka marr besimin e qytetarëve të Drenasit, për këtë aryse janë zhvilluar shpenzime enorme.

    Gazeta Insajderi: Për fund, a keni ju diçka për të shtuar? 

    Unë në cilësinë e opozitarit i drejtohem kryetarit aktual se mënyra se si po e trajton qytetarin, nuk është mënyre e mirë. E ftoj të shtyj përpara projektet si për ujin e pijshëm, trajtimin e ujërave të zeza. Nëse i shtyn përpara këto, ne do të bëhemi aleat me të për t’i zhvilluar këto projekte. Por, ne në asnjë mënyre nuk mbështesim plane të tjera të grupeve të interesave për përfitime klanore.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark