×
Insajderi

“Noterja shtetërore” në një linjë me Kurtin, proamerikanja e dikurshme injoron ndëshkimin e SHBA’së

Insajderi
31 May 2023 - 10:33
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e përshkruante rolin e presidentit më shumë si ceremonial sesa vendimmarrës në politikë. Këtë mendim të Kurtit në pushtet duket se po e “mishëron” presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e cila s’e ka thënë asnjë fjalë për ndëshkimin e SHBA-së ndaj Kosovës.

Presidentja Osmani, e cila përpara qytetarëve prezantohet si rugoviste dhe pro-amerikane, që nga dje prej se Kosova u përjashtua nga stërvitja ushtarake “Defender 23” nga SHBA-të, nuk ka dhënë asnjë koment, shkruan Gazeta Insajderi.

Për ironi të fatit, Osmani sot ka udhëtuar për në Moldavi. Kjo është bërë e ditur në një komunikatë për media të lëshuar nga Zyra e Presidencës.

“Presidentja Osmani do t’u bashkohet 46 krerëve të tjerë të shteteve të kontinentit evropian si dhe krerëve të institucioneve të BE-së, me qëllim të nxitjes së dialogut politik dhe forcimit të bashkëpunimit për t’i adresuar çështjet më urgjente të sigurisë dhe stabilitetit në Evropë”, u tha në njoftim.

Deklarimi i fundit i Osmanit ishte në ‘Facebook’ pas reagimeve të para të SHBA-së dhe BE-së për hyrjen në objektet komunale të komunave veriore me policë. E njëjta legjitimonte veprimin me ndërhyrje të Policisë së Kosovës në veri, por kërkonte koordinim me aleatët e Kosovës.

“Qëndrueshmëria, jetëgjatësia dhe suksesi i këtyre veprimeve varen njëkohësisht edhe nga koordinimi me aleatët që ishin dhe mbeten garantues të sovranitetit dhe pavarësisë sonë”, deklaronte ajo.

Osmani s’guxoi të shfaqte kritika as për deklaratat sulmuesve e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit në drejtim të Sekretarit amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Kurti është shprehur i pakënaqur me deklaratën e Blinkenit, i cili tha se vendimi i Qeverisë së Kosovës, për të hyrë me forcat në ndërtesat komunale në veri, është marrë “kundër këshillës” së Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë, dhe i cili “i ka përshkallëzuar pa nevojë tensionet”.

“Mendoj se, jo vetëm që është e padrejtë dhe e gabuar e edhe lënduese, por në të njëjtën kohë është shumë naive”, ka thënë Kurti për Guardian, në një intervistë përmes telefonit.

“Ndoshta Sekretari Blinken do ta sqarojë këtë gjë më shumë një ditë, por definitivisht nuk ka qenë e dobishme”.

Osmani nuk ka folur as për ushtarët e lënduar të KFOR-it nga dhuna e protestuesve serbë, e as për sulmet në drejtim të gazetarëve.

Heshtja e saj duket se më së miri i shkon për shtati bindjeve të dikurshme të Kurtit për rolin e presidentit. Kurti më 2020-ën thoshte se posti i presidentit në Kosovë është më shumë ceremonial sesa vendimmarrës.

“Unë jam kryeminsitër në detyrë, por shteti ynë ka një president jashtë detyrës me këtë intencën për të formuar dhe drejtuar vullnet politik në Kosovë. Presidenti është një figurë ceromoniale, le të të themi noter shtetëror, i cili nuk është njëri nga shtyllat e pushtetit, është e qartë që Presidenti nuk është i kënaqur me kompetencat që ka, por ato të tilla janë sipas Kushtetutës, është dashur të mendoj atëherë kur ka dashur të bëhet president”, deklaronte ai, teksa kritikonte ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin. /Insajderi.org/

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark