Skuadra e Ballkanit më 11 korrik do të përballet me Ludogoretsin, ndeshje kjo e vlefshme për rrethin e parë kualifikues për Champions League.
Por kur kanë mbetur edhe pesë ditë nga kjo ndeshje, ende nuk dihet stadiumi ku do të luaj kampioni i Kosovës, shkruan IndeksOnline.
Fusha e stadiumit “Fadil Vokrri”, në Prishtinë, është duke u inspektuar nga UEFA, dhe sonte pritet të merret vendimi përfundimtar se ku do të zhvillohet ndeshja.
Klubi i Ballkanit ka reaguar ashpër, duke thënë se shteti i Kosovës nuk është në gjendje të ketë një stadium me kushte minimale për të zhvilluar ndeshjet ndërkombëtare.
Ata frikësohen se kjo ndeshje mund edhe të mos zhvillohet fare për shkak të infrastrukturës sportive.
“Ne si klub, kemi arritur të shkruajmë histori ndërkombëtare, duke u futur në mesin e skuadrave që luajnë në nivele të larta evropiane, kurse sot pa kaluar një vit i plotë, ne të njëjtit me të cilët u krenuan të gjithë, nuk kemi informacion se ku do ta zhvillojmë ndeshjen eliminatore të UEFA Champions League, ose mbase një pyetje tjetër, a do ta zhvillojmë fare?”, thuhet në reagim.
Reagimi i plotë:
“Every wonder lasts three days”
(Çdo çudi zgjatë 3 ditë)
Kjo proverb hungareze e përhapur në gjithë botën, duket se vetëm në Kosovë nuk përshtatet, ngaqë këtu çudirat e shkelin njëra-tjetrën vazhdimisht, e zgjasin pafund.
Një shtet me aspirata sportive për ta zënë Evropën, vazhdon ta çuditë krejt kontinentin, duke mos qenë gati as me kushtet minimale.
4 ditë kanë mbetur deri te data e zhvillimit të ndeshjes më të madhe shtetërore për klube, në nivelin më të lartë të mundshëm, siç është Liga e Kampionëve, e ne ende e kemi të turbullt se ku do të luhet ai duel kualifikues.
Në vend se krejt koncentrimi e vëmendja e futbollistëve dhe stafit të skuadrës tonë, të jetë e fokusuar në futboll, ne përballemi me ngarkesë psikologjike se çfarë po ndodh me fatin e takimit, të datës 11 Korrik.
Shtetin që e duam dhe mundohemi për ta prezantuar në mënyrën më të mirë, të huajt me vetëm një kërkim (search) në google, na e kthejnë në përqeshje. Si të arsyetohet kjo?
Kosova ka nevojë për infrastrukturë, lojtarët tanë kanë nevojë për qetësi para këtyre dueleve të mëdha, jo stres e turp karshi homologëve të tyre nëpër skuadra evropiane.
Po, është e turpshme kjo që po ndodh, për çdo keqardhje!