Në Qendrës Klinike Universitare të Kosovës, aty ku qytetarët kërkojnë shpresë dhe shërim, Gazeta Insajderi ka zbuluar një realitet tronditës.
Pamjet e siguruara nga repartet e QKUK-së tregojnë një gjendje alarmante, që vë në pikëpyetje standardet më elementare të kujdesit shëndetësor.
Në repartin e Mjekimit Intensiv Qendror, janë filmuar skena të rënda.
Një pacient, emri i të cilit është i njohur për redaksinë, shihet në gjendje të rëndë, i lidhur me aparatura që i mbajnë frymën gjallë. Në fytyrën dhe trupin e tij shihen qartë krimba.
Në një tjetër pamje, shfaqet një skenë edhe më e rëndë: një fetus i sapolindur, pa shenja jete, i mbuluar nga gjaku, i vendosur në një enë.
Sipas burimeve të Insajderit, trupi i foshnjës ka qëndruar në atë gjendje për disa orë. Një situatë e rrezikshme, që sipas ekspertëve, mund të shkaktojë ndotje dhe rrezik epidemik.
Në një rast tjetër, një pacient me plagë të rënda në pjesën e syrit shihet pa asnjë fashë mbrojtëse. Plaga është e hapur, ndërsa indet përreth janë të ekspozuara ndaj ajrit dhe infeksioneve.
Gazeta Insajderi ka kontaktuar Ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, si dhe Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.
Nga ShSKUK është marrë një përgjigje zyrtare, ku thuhet se “trajtim i pacientëve bëhet në mënyrë profesionale, duke respektuar të gjitha masat e higjienës”.
Në lidhje me rastin e foshnjës, nga ShSKUK kanë deklaruar se “dështimi i frytit është bërë nën kontroll të gjinekologut dhe është trajtuar sipas procedurave të Klinikës së Gjinekologjisë për dërgim në Institutin e Patologjisë”.
Ndërkohë, për rastin e pacientit me plagë në kokë, u tha se “nuk është e sigurt nëse bëhet fjalë për një pacient të trajtuar në Mjekimin Intensiv Qendror”.
Sa i përket pranisë së parazitëve, ShSKUK deklaroi se “nuk ka informata për raste të tilla”.
Në vijim mund ta gjeni video-përmbledhjen e realizuar nga gazetarja Dijellza Preniqi.