×
  • Lajme
  • Hulumtime
  • Hulumtime/Analiza / Hulumtime

    Pas raportimit të Insajderit, OSHP anulon tenderin e dyshimtë në Komunën e Prishtinës

    Insajderi
    11 January 2024 - 15:39
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.
    Shkruan: - Verona Smajli

    Me 6 janar, Gazeta Insajderi ka publikuar hulumtimin me dyshimet për kurdisje të tenderit ‘furnizim me pelet’ nga Komuna e Prishtinës. Tre ditë pas, Organi Shqyrtues i Prokurimit e njohur ndryshe si Gjykata e tenderëve ka dal me vendim të ri pas ankesës së Operatorit Ekonomik që u përjashtua nga gara.

    Organi Shqyrtues i Prokurimit me datë 9 janar 2024 ka marr vendim të anulohet njoftimi për dhënie të kontratës ‘për furnizim me pelet’ dhe lënda të kthehet në rivlerësim.

    Kjo pasi, Paneli shqyrtues e ka aprovuar pjesërisht të bazuar ankesën e Operatorit Ekonomik “Gëzime S. Gashi B.I”.

    Aprovohet, si pjesërisht e bazuar ankesa e OE “Gëzime S. Gashi B.I* me nr. 2023/0970 , e dates 04/12/2023, kurse vendimi i AK “Kuvendi i Komunës se Prishtinës ” lidhur me aktivitetin e prokurimit “Furnizim me pelet” me numër të prokurimit 6 16-23-6338-1-1-1 anulohet, ndërkaq aktiviteti i prokurimit kthehet në Rivlerësim.”, thuhet në vendimin e OSHP’së.

    Paneli Shqyrtues ka rekomanduar që Komuna e Prishtinëstë kryej një kontroll efektiv për qartësimin e plotë lidhur me vërtetësinë dhe konstatim e saktë të kësaj kontrate lidhur me numrin unik identifikues si dhe kohëzgjatjen e kontratës‘.

    Paneli Shqyrtues duke marrë parasysh përshkrimin dhe faktet e lartpërmendura dhe pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, shqyrtimit të pretendimeve ankimore të operatorit ekonomik ankues, analizës konkrete dhe dokumentacionit të lëndës, ankesën e operatorit ekonomik e sheh si pjesërisht të bazuar, duke sugjeruar që aktiviteti i prokurimit me titull “Furnizim me pelet” që gjatë fazës së rivlerësimit, AK të veprojë në pajtim me dispozitat e nenit 59 dhe 72 të LPP-së, si dhe në pajtim paragrafin 7 të nenit 52 te LPP-së, të kryej një kontroll efektiv për qartësimin e plotë lidhur me vërtetësinë dhe konstatim e saktë të kësaj kontrate lidhur me numrin unik identifikues si dhe kohëzgjatjen e kontratës.’- thuhet në vendim.

    Tutje, Paneli shqyrtues ka konsideruar se Komuna e Prishtinës ka shkelur Ligjin e Prokurimit Publik.

    Bazuar në të lartcekurat, Paneli shqyrtues konsideron se AK ka vepruar në kundërshtim me dispozitat e nenit 59 dhe 72 të LPP. Paneli Shqyrtues konsideron se veprimet dhe aktet e AK, dhe Vlerësimet e ekspertit shqyrtues lidhur plotësimin ose jo të kushteve të përshkruara si më sipër dhe pohimet ankimore në këtë rast përbëjnë baze të mjaftueshme që aktivitetit i prokurimit të kthehet sërish në rivlerësim sepse në të kundërtën do të bijë ndesh me fushëveprimin e LPP dhe bazën argumentuese të pretendimeve ankimore, të cilat Paneli i vlerëson sipas vlerësimit te pavarur të tij në kuptim të nenit 104 lidhur me nenin 105 të LPP.”-thuhet më tej në vendim.

    Kujtojmë se, Kompania DHF në pronësi të Hysen Jusajt u rekomandua dy herë për tenderin në fjalë, vendime të cilat u anuluan nga OSHP’ja. Ndërsa, për herë të tretë u rekomandua “Bek Fluids” në pronësi të vëllait të Hysen Jusajt, Hysniut.

    Asnjëra nga kompanitë nuk kanë primare në aktivitetin e tyre furnizimin me pelet.

    Për këtë tender garuan gjithsej 12 operatorë ekonomik. Kundër vendimit të komunës dolën disa kompani të cilat nuk u përzgjodhën për tenderin në fjalë.

    Operatorët ekonomik “Rron 2019” dhe “Kiga Sh.P.K & Liki Group Sh.P.K”, kishin dërguar kërkesë për rishqyrtim në Komunën e Prishtinës. Por, që u refuzuan si të pabazuar nga sektori i prokurimit.

    Ankesat shkuan në Organin Shqyrtues të Prokurimit. Sipas Operatorit ekonomik “Rron 2019”, kompania fituese nuk ka ofruar dëshmi për qarkullimin bankar në tri vitet e fundit dhe se shërbimet që ofron ‘DHF Company’ nuk janë të ngjashme me shërbimet me pelet.

    Pas ankesave, OSHP ka dal me ekspertizë, në të cilën thuhet se lista e furnizimeve që ka prezantuar operatori ekonomik fitues ka titujt e kontratave, datat, muajt dhe referencat me të gjithë kontraktuesit të njëjta.

    Organi Shqyrtues i Prokurimit kërkoi të anulohet vendimi i Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe aktiviteti i prokurimit të kthehet në rivlerësim.

    Pas vendimit të OSHP’së, Komuna e Prishtinës me 28 shtator mori vendim për pezullimin e tenderit ‘furnizim me pelet’. Pas kthimit të lëndës në rivlerësim, komuna me datë 16 nëntor 2023 ka rekomanduar përsëri OE “DHF Company” për tenderin “furnizim me pelet”. Edhe kësaj here me çmimin më të ulët të ofruar.

    Por, që i njëjti u pezullua me datë 4 dhjetor, pas ankesave të operatorit ekonomik “Gëzime S.Gashi” B.I në OSHP dhe pas vendimit të këtyre të fundit.

    Aktiviteti kryesor i “DHF Company” sipas ARBK’së është ‘tregtia me pakicë e karburantit për automjete në dyqane të specializuar’. ‘Peleti’ nuk përmendet askund në aktivitetet e kësaj kompanie.

    Me 5 dhjetor 2023, Komuna e Prishtinës ia dha tenderin për “furnizim me pelet” kompanisë ‘Bek Fluids L.L.C’.

    Në të dhënat e publikuara nga Agjencia e Regjistrimit të Bizneseve në Kosovë për ‘Bek Fluids’ nuk është e përmendur askund ‘peleti’. Aktiviteti kryesor i kësaj kompanie është prodhimi sapunëve, detergjenteve.

    Kurse, aktivitete sekondar është prodhimi i produkteve të plastikës, pijeve freskuese, prodhimi i produkteve të duhanit dhe disa të tjera.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark