×
Insajderi / Insajderi

“Pas të hënës, vjen e marta”, lajmërohet shefi i dialogut, zbulon se çfarë veprime kanë ndërmarrë për marrëveshjen e targave

Insajderi
17 November 2022 - 18:10
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Shefi i ekipit negociator të Kosovës në dialogun për normalizim të raporteve me Serbinë, Besnik Bilimi, ka treguar se kanë dërguar me shkrim tek emisari sllovak Miroslav Lajçak mënyrën se si Qeveria e Kosovës e sheh zgjidhjen për targat nga data 21 nëntor dhe periudhën e ardhshme.

Bislimi ka thënë se cilindo prej atyre propozimeve e përkrahin, dhe do ta bëjnë publike se për cilin propozim do të ketë pajtueshmëri.

Lexo edhe:

“Ne jemi ende në kontakt me z. Lajcak. Ne i kemi dërguar edhe me shkrim mënyrën se si ne e shohim zhvillimin që nga java e ardhshme e deri në muajt në vijim. Në atë moment që ne kemi dakordim, ne e bëjmë publike”, ka thënë Bislimi në Tëvë1.

Bislimi potencoi se Bashkimi Evropian është i interesuar që të mos ketë tensione në terren. Sipas masave të marra nga Qeveria e Kosovës, të hënën fillon gjobitja për targat ilegale.

Qeverisë Kurti i është kërkuar edhe nga BE-ja dhe SHBA-ja që të shtyjë vendimin për targat si dhe të nisë themelimin e Asociacionit të komunave serbe. 

Ndryshe, dje Bislimi kur u pyet se çfarë do të ndodh pas ditës së hënë kur pritet të hyjë në fuqi, pika për gjobat, ai ka thënë se “vjen e marta”.

Ndryshe, më 1 nëntor, Qeveria e Kosovës ka nisur zbatimin e planit të saj prej tri fazash për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato RKS – Republika e Kosovës.

Faza e parë përfshin qortimin e shoferëve, e dyta parasheh gjobë deri në 150 euro për ata shoferë, dhe e treta targa provuese.

Zbatimi i këtij plani pritet të përfundojë më 21 prill dhe, nga ajo datë, në qarkullim do të lejohen vetëm makina me targa RKS.

Besohet se në Kosovë janë rreth 10 mijë makina me targa serbe.

Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë shprehur zhgënjim pse Qeveria e Kosovës nuk ka vepruar në përputhje me kërkesën e tyre për shtyrjen e afatit për riregjistrimin për targat.

SHBA-ja ka thënë se pajtohet me BE-në që zhvillimet e fundit në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë, rrezikojnë përparimin e rëndësishëm që është arritur në dialogun mes këtyre dy vendeve, nën ndërmjetësimin e bllokut evropian.

“Tërheqja e serbëve nga institucionet e Kosovës nuk është zgjidhje për mospajtimet aktuale dhe ka potencial për të përshkallëzuar edhe më shumë tensionet. Shtetet e Bashkuara i bashkohen BE-së në thirrjen që përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë të veprojnë në përputhje me përkushtimet e bëra në dialog dhe që t’iu kthehen institucioneve të Kosovës, duke përfshirë Policinë, Gjyqësorin dhe administratën lokale”, ka thënë Christopher Hill për televizionin N1.

Serbët ishin integruar në institucionet e Kosovës në fushën e drejtësisë dhe sigurisë, pasi Prishtina dhe Beogradi kishin arritur një marrëveshje më 2013, në kuadër të dialogut të ndërmjetësuar nga blloku evropian./Gazeta Insajderi/

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark