×
  • Lajme
  • Analiza

    Pati edhe dy tentime të dështuara për të sjell drogë, Prokuroria del me pretendime të reja në rastin e 400 KG kokainë që u kap në Lipjan

    Insajderi
    03 June 2023 - 22:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Jo vetëm rasti kur u kapen 400 kilogramë kokainë e pastër në Lipjan mbi dy vite me parë, por Prokuroria pretendon tash, që ndërlidhur me këtë rast, ka zbuluar edhe diçka më shumë. Pretendon se edhe dy herë të tjera me parë u tentua të sillej drogë në Kosovë. Këto detaje janë zbuluar në seancën e fundit për këtë rast.

    Gazeta Insajderi

    Po bëhen mbi dy vite që multimilioneri Izet Sheqiri, punonjësit e tij, Faton Vrajolli, Kadri Brahimi, Kadri Sheqiri dhe Fehmi Bytyqi po qëndrojnë në paraburgim. Vetëm tash Prokuroria ka dalë me një pretendim të ri.

    Ajo pretendon se ndërlidhur me këtë grup, ka zbuluar se jo vetëm në rastin kur u kapën 400 kilogramë kokainë në depon e MC Food në Lipjan, por ka pasur edhe dy tentime të tjera të dështuara për të sjell drogë. Krejt këto pretendime janë shfaqur në seancën e fundit që u mbajt me 2 qershor, 2023 për këtë rast.

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të premten është mbajtur shqyrtimi gjyqësor për rastin e 400 kg kokainë të vendosur në mish të ngrirë që kishte ardhur nga Brazili në Kosovë, në të cilin është dhënë fjala hyrëse nga prokurori special Valdet Gashi, i cili tha se do të vërtetohet se në rastin konkret kanë dështuar edhe dy tentativa për sjelljen e drogës përmes portit të Barcelonës dhe atij të Valencias. Po ashtu, fjalën hyrëse e dhanë edhe mbrojtësit e të akuzuarve.

    Në këtë rast, të akuzuar nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), janë Izet Sheqiri, Faton Vrajolli, Kadri Brahimi, Kadri Sheqiri dhe Fehmi Bytyqi. Ndërsa, për të akuzuarit Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina, pas arritjes së marrëveshjes për pranimin e fajësisë çështja penale ndaj tyre është veçuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.

    Fillimisht, me pajtimin e palëve u konsiderua e lexuar aktakuza, ndërsa të akuzuarit deklaruan se nuk ndihen fajtorë për asnjë pikë të aktakuzës, përjashtimisht të akuzuarit Izet Sheqiri, i cili tha se pranon fajësinë për armëmbajtje pa leje.

    Pas deklarimit lidhur me fajësinë, shqyrtimi gjyqësor vijoi me fjalën hyrëse, të cilën prokurori Gashi e dorëzoi me shkrim dhe gjatë elaborimit tha se nga provat e administruara do të vërtetohet se në rastin konkret kanë dështuar edhe dy tentativa tjera për sjelljen e drogës në Kosovë.

    Sipas prokurorit Gashi, fillimisht ishte tentuar të sillej drogë përmes portit të Bracelonës nga shteti Spanjoll, herën e dytë nga porti i Valencias, ku ishin zënë në të dyja rastet dhe kjo sipas prokurorit është vërtetuar përmes bashkëpunimit ndërkombëtar juridik me Spanjën.

    Po ashtu, prokurori Gashi tha se nga provat e administruara dhe dëgjimi i dëshmitarëve, do të vërtetohet se të akuzuarit kanë vepruar si një grup i strukturuar mirë kriminal, duke pasur secili rolin e ndarë brenda këtij grupi kriminal.

    Tutje, me fjalën hyrëse ka vazhduar fillimisht mbrojtësi i të akuzuarit Izet Sheqiri, avokati Besnik Berisha, duke thënë se përmes trillimeve, supozimeve dhe gënjeshtrave, prokurori u mundua aktakuzën “ta paketojë” në fjalën e tij hyrëse.

    Tutje, avokati Berisha tha se i mbrojturi i tij Sheqiri është një afarist i njohur për tregti, një atdhetar dhe familjar i përkushtuar dhe se si lider me kompaninë e tij në qarkullim deri në 42 milionë euro në vit, nuk do të përfshihej në kryerjen e veprave penale.

    Po ashtu, avokati Berisha tha se në ditë kritike të muajit maj, i akuzuari Izet Sheqiri ishte me të në Gjykatën Themelore për një çështje tjetër civile dhe se ishte marrë nga disa hetues policorë nga Gjykata dhe ishte dërguar në depon ku ishte gjetur sasia e 400 kg drogë.

    Sipas avokatit Berisha, Prokuroria nuk ka arritur që të akuzojë klientin  e tij edhe për veprën penale “Shpëlarje parash”, edhe pse për të akuzuarin Izet Sheqiri kishte kontrolle financiare të papara nga institucionet.

    Gjithashtu, tha se dëshmia e dëshmitarit bashkëpunues në këtë çështje është e ndryshueshme, pasi që nga deklarata në deklaratë ka ndryshime lidhur me atë që ka deklaruar, duke shtuar se dëshmitari është torturuar dhe shantazhuar nga hetuesit.

    Sipas tij, teoria e mbrojtjes nuk do të jetë se në depo të “MC FOOD” nuk është gjetur kokainë, por se firma “MC FOOD” ka porositur mish të bardhë, kjo sipas avokatit e dëshmuar edhe sipas faturave dhe i ka ardhur në depo diçka tjetër.

    Në fund të fjalës hyrëse, avokati Berisha i propozoi gjykatës që i akuzuari Sheqiri të lirohet nga masa e paraburgimit, duke ofruar si dorëzani tërë pasurinë e kompanisë dhe të vet pasurisë së avokatit Berisha. Po ashtu, tha se i akuzuari do t’i përgjigjet gjykatës në çfarëdo rrethane.

    Kurse, mbrojtësja e të akuzuarit Faton Vrajolli, avokatja Tetuta Xhema, fillimisht e dorëzoi me shkrim fjalën hyrëse dhe më pas e elaboroi shkurtimisht, duke thënë se nga provat e administruara do të vërtetohet se klienti i saj nuk është i përfshirë në kryerjen e veprave penale.

    Edhe avokatja Xhema, iu bashkëngjit kërkesës së avokatit Berisha që klienti i saj të lirohet nga masa e paraburgimit.

    Tutje, me fjalën hyrëse vijoi edhe mbrojtësi i të akuzuarit Kadri Sheqiri, avokati Xhafer Maliqi, i cili që në fillim tha se përkrah në tërësi fjalën hyrëse të avokatit Berisha, pasi që e njëjta përmban një varg pikëpamjesh.

    Avokati Maliqi tha se në asnjë lëndë deri në këtë rast nuk ka dëgjuar se prokurori ka asistuar në vendin e ngjarjes dhe se sipas tij kjo rrethanë është për t’u analizuar.

    Po ashtu, avokati Maliqi tha se pas konsultimit me të mbrojturin e tij Sheqiri, kanë hequr dorë nga dëshmia e tij në cilësinë e dëshmitarit bashkëpunues, duke i revokuar të gjitha dëshmitë e dhëna në cilësi të dëshmitarit bashkëpunues para prokurorit Gashi.

    Kurse, mbrojtësja e të akuzuarit Kadri Brahimi, avokatja Dafina Osmani, po ashtu tha se e mbështet në tërësi fjalën hyrëse të avokatit Berisha, duke shtuar se klient i saj është një viktimë dhe padrejtësisht gjendet i akuzuar në këtë rast.

    Në fund, fjalën hyrëse e dha edhe avokati Ramë Dreshaj, mbrojtës i Fehmi Bytyiqt, i cili tha se nga përvoja e tij si avokat e siguron prokurorin Gashi se nuk do të mund të sigurojë prova nga shteti i Brazilit.

    Avokati Dreshaj, po ashtu tha se me këtë aktakuzë që ka përpara ky trup gjykues, i vije jashtëzakonisht keq se çfarë kanë për të gjykuar.

    Pas dhënies së fjalës hyrëse, trupi gjykues me kryetar gjykatësin Musa Konxheli, refuzoi propozimin e mbrojtësve për lirim e të akuzuarve Izet Sheqiri, Faton Vrajolli dhe Kadri Brahimi, nga masa e paraburgimit.

    Seanca e radhës është caktuar më 18 korrik 2023, ku pritet të bëhet dëgjimi i dëshmitarave të propozuar si në aktakuzë.

    Në fillim të këtij gjykimi, avokatët Xhema dhe Dreshaj patën një përplasje fjalësh me avokatin Berisha, duke kërkuar që i njëjti të mos i përmend në fjalën hyrëse klientët e tyre.

    Ndryshe, i akuzuari Hyzri Sheqiri pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie me Prokurorinë, është dërguar me 7 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale. Kurse, i akuzuari Naim Morina pas arritjes së marrëveshjes për pranim fajësie, është dënuar me 6 muaj burgim efektiv për pengim të procedurës penale. 

    Në aktakuzën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), për rastin e sekuestrimit të 400 kilogramëve kokainë, të akuzuar janë pronari i kompanisë “MC FOOD”, Izet Sheqiri, dhe gjashtë të tjerë, Faton Vrajolli, Kadri Sheqiri, Kadri Rrahimi, Fehmi Bytyqi, Hyzri Sheqiri dhe Naim Morina.

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark