Futbollisti brazilian Pele thotë se ai është “i fortë” dhe ka “shumë shpresë” teksa vazhdon trajtimin e tij për kancerin e zorrës së trashë. Postimi i Pele në rrjetet sociale të shtunën erdhi pasi mediat lokale në Brazil raportuan se shëndeti i ish-futbollistit 82-vjeçar ishte përkeqësuar dhe se nuk po i përgjigjes kurës.
“Miqtë e mi, dua që të gjithë të jeni të qetë dhe pozitivë. Jam i fortë, me shumë shpresë dhe po ndjek trajtimin tim si zakonisht. Dua të falënderoj të gjithë ekipin mjekësor dhe infermieror për të gjithë kujdesin që kam marrë. Kam besim të madh te Zoti dhe çdo mesazh dashurie që marr nga ju në të gjithë botën më mban energjik. Dhe shikoni Brazilin në Kupën e Botës!”, thuhet në një deklaratë në faqen e Pele në Instagram.
Sipas një deklarate nga spitali të shtunën, gjendja shëndetësore e Pele mbetet e qëndrueshme.
“Ai iu përgjigj mirë kujdesit për infeksionin respirator, duke mos treguar asnjë përkeqësim të gjendjes së tij në 24 orët e fundit,”- tha spitali Albert Einstein Israel në Sao Paulo.
Ish-futbollisti 82-vjeçar, i cili është një nga lojtarët më të mëdhenj të të gjitha kohërave, u shtrua në një spital në Sao Paulo të martën për të rivlerësuar trajtimin e tij të kancerit pasi iu hoq një tumor në shtator 2021. Të shtunën, shumë yje të futbollit kanë uruar Pelen në rrjetet sociale. Sulmuesi i Paris Saint-Germain , Kylian Mbappé u bëri thirrje ndjekësve të tij në Twitter të shtunën që të “Lutuni për Mbretin” – një referencë për pseudonimin e të madhit brazilian – duke etiketuar Pelen në postimin e tij. Në dhjetor 2021, Pele u shtrua në spital dhe iu nënshtrua kimioterapisë. Në shtator të atij viti, ai iu nënshtrua një operacioni për të hequr një tumor nga zorra e tij e trashë, të cilin mjekët e gjetën gjatë analizave rutinë.