×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Pronarët e vilave të sekuestruara në Brezovicë do të kërkojnë dëmshpërblim nga shteti

    Insajderi
    10 July 2023 - 15:01
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Sekuestrimi i 75 vilave në Brezovicë u vlerësua si aksioni më i madh i pasluftës, në të cilat u ngrinë pasuri të patundshme në vlera milionëshe. Pronarë të këtyre villave u përmendën emra të politikanëve e biznesmenëve. Megjithatë, operacioni që udhëhiqej nga prokurori Rasim Maloku, u “shua” nga një gabim i këtij të fundit. Gjykata Themelore në Pejë ia vlerësoi Malokut si të pasafatshme kërkesën për caktimin e masës së sigurisë ndaj vilave të sekuestruara. Por, cili do të jetë veprimi i mbrojtjes së pronarëve të këtyre vilave? Gazeta Insajderi iu sjell detaje.

    Insajderi ka kontaktuar me Meshari Selimajn, avokatin e Erlis Xërxës (pronar i vilës në Zonën II të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë), duke e pyetur se cili do të jetë rruga ligjore që do të ndjekin. Selimaj ka thënë se janë në pritje të vendimit të Gjykatës së Apelit, e më pas do të vlerësohen dëmet e shkaktuara nga ngritja e asetit të Xërxës.

    “Pala ime nuk mund të disponoj më pronën e tij deri sa të bëhet i formës së prerë urdhëri i nxjerrë nga Gjykata e Shkallës së Parë. Pas kësaj do të shohim se çfarë dëmeve janë shkaktuar në pronë gjatë periudhës kohore të sekuestrimit të përkohshëm dhe varësisht do të veprohet. Për dijeninë tuaj ju njoftoj se  lidhur me këtë çështje kemi inicuar edhe kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për t’u vlerësuar se a është vepruar drejtë kur Gjykata Themelore në Pejë ka vendosur masën mbi këtë pronë”, ka deklaruar avokati Selimaj për Insajderin.

    I njëjti ka përkujtuar se rastin e ka dërguar në Gjykatë Kushtetuese për ta vlerësuar vendimin e themelores për masën e sekuestrimit të vilës.

    Zëdhënësja e Gjykatës Themelore të Pejës, Tringa Zhuti, të enjten konfirmoi për Insajderin vendimin e gjykatës për lirimin e vilave të sekuestruara.

    Gjyqtari i procedurës paraprake e hodhi si të pa afatshme kërkesën e Prokurorisë Themelore në Ferizaj për masë të përkohshme për sigurimin e pasurisë së sekuestruar. Të njëjtat është urdhëruar që të lirohen”, njoftoi ajo.

    Shkak për hudhje poshtë të kësaj kërkese ishte gabimi i prokurorit Maloku, i cili dorëzoi kërkesën pas afatit të caktuar nga gjykata.

    75 vila në Brezovicë, Zonën e Dytë të Parkut Kombëtar “Sharri”, ishin konfiskuar në nëntor të vitit të kaluar me urdhër të Gjykatës në Pejë.

    Prokuroria kishte pritur rreth gjashtë muaj për të parashtruar kërkesën për masë të sigurisë për pronat e sekuestruara, ndonëse ligji parasheh afat prej 60 ditësh për të njëjtën.

    Prokurori i rastit Maloku në një prononcim për Gazetën Insadjeri ai tha se do të dërgojnë ankesën në Gjykatën e Apelit.

    “Vendimin e Gjykatës nuk e komentojmë. Ne do të dërgojmë ankesë në gjykatën e apelit”, tha ai duke bërë thirrje që të lexohet neni 542 të KPP’së, versioni i ri.

    Në vitin 2019 kur kanë nisur hetimet kanë qenë vetëm 23 objekte në zonën e dytë, por mbi 50 vila u ndërtuan gjatë procesit të hetimit, para syve të Prokurorisë.

    Rasti gjyqësor Brezovica është iniciuar në dhjetor të vitit 2021. Deri më tani janë arrestuar dhjetëra persona, përfshirë edhe ish-kryetari i Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq, por edhe zyrtarë të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

    Lidhur me këtë rast, prokurori Maloku ka folur edhe për tentimin për ndërprerje të hetimeve nga ana e Milan Radojiçiq, nëpërmjet frikësimit të dëshmitarëve.

    Radojiçiq për rastin e Brezovicës gjendet në arrati. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark