×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    Qe tri ditë i shtrirë në Intensiv – kjo është gjendja e 8 vjeçarit që u godit nga vetura në Pejë

    Insajderi
    09 April 2024 - 15:16
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Kanë kaluar tri ditë që kur një 8 vjeçar po trajtohet në Klinikën Intensive të QKUK-së si pasojë e plagëve të marra nga goditja me veturë nga ana e një shoferi të papërgjegjshëm. Për gjendjen e tij shëndetësore, edhe sot Insajderi e ka kontaktuar drejtorin e klinikës, Shaqir Uka.

    Uka konfirmoi se gjendja e tij është stabile por që po vazhdon të mbahet me aparatura mjekësore.

    Shtoi se lëndimet janë serioze.

    “Deri në ora 09:00 kam qenë në spital, deri në atë orë pacientit që ju i referoheni është duke vazhdu të mbahet ngjitur me aparaturat mjekësore, gjendja e përgjithshme e parametrave vital ishte realitivisht stabile, pavarësisht që lëndimet janë serioze”, tha ai për Insajderin.

    Uka shtoi se i njëjti po vazhdon të marrë tretmanin mjekësor dhe mbetet i monitoruar nga stafi mjekësor i mjekimit Intensiv.  

    8 vjeçari, bën me dije drejtori se ka pasur një ndërhyrje në regjionin e kokës gjegjësisht në indin trunor dhe disa ndrydhje në regjionin e gjoksit.

    Si kishte ndodhur rasti?

    Ishte ora 14:44 e së dielës kur dy të miturë dhe dy persona të moshës madhore u goditën nga një veturë, të cilën po e voziste në gjendje të dehur, Kujtim Miftari.

    Ai kishte tentuar të ikte nga vendi i ngjarjes, por që kishte kaluar veç 200 metra, aty ishte ndalur nga qytetarët për ta dorëzuar në polici.

    Pas prezencës në polici, 24 vjeçari i është bërë testi i alkoolit, i cili ka rezultuar me 0.61 promilë.

    Për aksidentin e shkaktuar ai do të hetohet për veprën penale “Ngasje në gjendje të paaftë apo të dehur”.

    Në kërkesën për paraburgim, kuptohet se personi në fjalë është i njohur për organet e rendit. Ka të kaluar kriminale, pra është recidivist. Dyshohet për një numër të konsiderueshëm të veprave penale.

    I njëjti është i dyshuar edhe për veprat penale të ndryshme siç janë: lëndim i lehtë trupor; blerja posedimi shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge; sulmit; grabitje; mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve; si dhe posedim i paautorizuar i narkotikëve”, bëhet me dije nga kërkesa për paraburgim.

    Tutje thuhet “i pandehuri, duke qenë në gjendje të dehur të paaftësisë, e tejkalon veturën që ishte para tij, duke dalë kështu në shiritin e djathtë e gjithashtu duke përfunduar në trotuar ku fillimisht i godet dy të dëmtuarit (te mitur) O.S dhe A.S, e më pas i godet edhe të dëmtuarit në motocikletë D. H dhe P. V, dhe pas rastit largohet nga vendi i ngjarjes diku 200m larg vendit të ngjarjes. Përreth diku 200m më larg, ku edhe është ndaluar nga qytetarët deri në ardhjen e policisë, duke i lënë të dëmtuarit në gjendje të rëndë shëndetësore.

    Duke i pasur për bazë këto fakte, Prokuroria ka kërkuar që ai të dërgohet në paraburgim sepse sipas tyre “ekziston rreziku real se ne rast se i njëjti lihet të mbrohet në liri mund ta përsëris vepra të ndryshme penale”.

    Si rrjedhojë ndaj të njëjtit është kërkuar masa e paraburgimit prej 1 muaj.

    Lexo edhe:

    /Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark