×
Insajderi / Insajderi

Qeveria anuloi tenderin para dy javësh me arsyetimin se “librat janë shtrenjtë”

Insajderi
21 August 2023 - 23:41
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

Ministria e Arsimit e kishte anuluar më 9 gusht tenderin për blerjen e teksteve shkollore për nxënësit e klasës së parë deri në klasën e pestë, për vitin e ri shkollor që nis më 1 shtator, nën arsyetimin se “librat janë shtrenjtë”, raporton Paparaci.

Procedura e prokurimit publik “Blerja e teksteve shkollore për vitin shkollor 2023-2024  për klasën e parë deri në klasën e pestë (1-5), tekstet për nxënësit e diasporës për  nivelin I,II dhe e III dhe tekstet e për gjuhën gjermane për klasat (6 dhe 8)”, ishte anuluar para 12 ditësh.

Ndërsa, njoftimi për këtë vendim qe publikuar më 15 gusht. Sipas MAShTI-t, arsyeja që çoi në anulimin e tenderit që peshonte mbi katër milionë euro, ishte se shtëpitë botuese kanë tejkaluar vlerën e parashikuar për këtë procedurë të prokurimit.

Madje, në vendimin e ministrisë së Arsimit thuhet se “edhe përkundër negociatave qe janë zhvilluar me Shtëpitë Botuese, çmimet janë më të larta se shuma e parashikuar për këtë procedurë të prokurimit”.

Ministria e Arsimit kishte parashikuar që t’i ndajë 4,316,885.00 € për blerjen e teksteve shkollore për nxënësit e shkollës fillore, për vitin 2023-2024.

Por pas negociatave me shtëpisë botuese, thuhet se vlera ka arritur në 4,830,069.62 €, raporton Paparaci.

Në këtë tender kishin aplikuar shtëpitë botuese: “Libri Shkollor”, “Botim Pegi SH.P.K.”, “N.G.B.L. “Berati””, “Magjia e Librit SH.P.K.”, “Dukagjini SH.P.K” dhe “Albas SH.P.K.”.

Prandaj, tenderi në fjalë është anuluar dhe për këtë, Arbërie Nagavci njoftoi të hënën se janë duke e shqyrtuar mundësinë që paratë për blerjen e librave për vitin e ri shkollor t’ua transferojë drejtpërdrejt prindërve përmes platformës e-Kosova, shkruan Paparaci.

Ministrja e Arsimit u shpreh para gazetarëve se për këtë çështje pritet të vendoset brenda këtyre ditëve, ndërsa theksoi se deri tek shqyrtimi i një opsioni të tillë kanë ardhur me qëllim rritjen e transparencës së parasë publike.

“Sivjet po shqyrtojmë mundësinë që transferimi i mjeteve për sigurimin e teksteve shkollore, sipas obligimit ligjor të Ministrisë së Arsimit, të bëhet në llogari të prindërve dhe të njëjtit t’i blejnë tekstet për fëmijët e tyre. Shumë shpejt, brenda dy a tri ditëve do të vendoset për këtë”, deklaroi Nagavci.

Nga ana tjetër, zëvendësministri i Arsimit, Taulant Kelmendi e ka cilësuar të papërballueshme situatën për blerjen e librave shkollorë për nxënësit nga ministria e Arsimit.

Sipas tij, çmimet e ofruara nga shtëpitë botuese kanë qenë tejet të larta.

“Kemi raste kur një libër kalon shifrën 25 euro. Apo kur libri “shoqëria e punës” bashkë me fletoren e punës e klasës së tretë kap shifrën 27 euro. Kjo situatë është e papërballueshme”, shtoi ai.

Ndaj mundësisë që prindërit t’i blejnë vetë librat e më pas të rimbursohen nga shteti, ka pasur kritika të ashpra.

Deputetë opozitarë e anëtarë nga shoqëria civile kanë fajësuar ministren Nagavci për dështimin e furnizimit me libra shkollorë për nxënësit kosovarë.

Të njëjtit e kanë akuzuar të parën e MAShTI-t për “vjedhje” të teksteve shkollore. Viti i ri shkollor në Kosovë do të fillojë më 1 shtator.

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark