Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skender Reçica priti në takim përfaqësues të Bankës Botërore, të kryesuar nga Marco Mantovanelli, menaxher i Bankës Botërore për Kosovë dhe Maqedoni në Regjionin e Evropës dhe Azisë, si dhe ekipin e tij.
Ministri Reçica i njoftoi përfaqësuesit e Bankës Botërore për angazhimet aktuale të MPMS-së dhe rreth ecurisë së procesit sa i përket reformës së sistemit pensional në Republikën e Kosovës ku tha se po planifikohet reformë rrënjësore ligjore dhe të shërbimeve të cilat ofrohen.
“Jemi shumë të përkushtuar, që deri në fund të vitit të kemi Koncept Dokumentin për Reformën Pensionale, i cili përpos që parasheh hartimin e ligjit të ri të pensioneve, do të përfshijë edhe reformën e shërbimeve”, tha Reçica.
Gjithashtu, ministri tregoi rreth përpjekjeve që po bën MPMS për respektim të të drejtave të punëtorëve ku tha se MPMS ka dërguar për miratim në Qeveri Koncept Dokumentin e Ligjit të ri të Punës i cili do të rregullojë një varg çështjesh sa i përket të drejtave të punëtorëve.
Në kuadër të kësaj, ministri tha se rëndësi të veçantë do t`u kushtohet nënave lehonë ku të drejtat e tyre parashihen të trajtohen me një ligj të veçantë dhe për herë të parë parashihet të bëhet edhe pushimi prindëror.
Nga përfaqësuesit e Bankës Botërore ministri mori konfirmimin për vazhdim të mbështetjes së plotë për reformat dhe nismat e ndërmarra si dhe për koordinim të përbashkët në çështje për të cilat MPMS ka nevojë për ndihmë.