×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza
  • Hulumtime/Analiza

    “Rruga e Re” e LDK’së shpërblen me tender mbi 3 milionësh biznesmenin e akuzuar për ryshfet

    Insajderi
    13 March 2024 - 13:43
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

    Komuna e Prishtinës i ka dhënë tender në mbi 3 milionë euro, kompanisë N.T.SH. “Dino” Sh.p.k për ndërtimin e urave në Unazën Qendrore të Prishtinës. Kjo kompani ka pronar multimilionerin Abedin Salihu, i dyshuar për rastin “Brezovica”. Ndërsa “Hotel Brezovica” që është në pronësi të tij ishte zgjedhur nga LDK-ja në vitin e kaluar vend ideal për hartimin e “Rrugës se Re”.

    Gazeta Insajderi

    Komuna e Prishtinës në fillim të këtij muaji ka dhënë kontratën për Ndërtimi i urave në pjesën perëndimore të Unazës Qendrore të Prishtinës“.

    Në këtë tender që komuna kishte paraparë një buxhet prej 3.6 milionë euro, në garë ishin katër kompani.

    Kompania që doli fituese me ofertën prej 3.2 milionë euro është kompania N.T.SH. ‘Dino’.

    Kjo kompani është në pronësi të biznesmenit Abedin Salihu që është i dyshuar në rastin “Brezovica”. Salihu për një kohë qëndroi në arrati nga organet e drejtësisë. 

    Abdixhiku e LDK’ja hartojnë “Rrugën e Re” në hotelin e biznesmenit të famshëm për ryshfet

    Abedin Salihu që fitoi tenderin në mbi 3 milionë euro në Prishtinë është edhe pronar i hotel “Brezovica”.

    Aty LDK-ja vitin e kaluar, kishte mbajtur një takim të rëndësishëm- atë për nisjen e projektit të tyre të titulluar “Rruga e Re”.

    Platforma e Abdixhikut “Rruga e Re”, që u paraqit si vizionare në politikëbërjen e skenës kosovare, u finalizua në pronën e një personi që përveç skandaleve me biznes, kishte më herët probleme të mëdha me ligjin.

    Abedin Salihu, ishte i përfshirë në rastin e famshëm “Brezovica”.

    Multimilioneri Salihu, ishte në arrati pasi policia ishte në kërkim të tij. Sipas Prokurorisë dyshohet se në kundërshtim me Ligjin që mbron Parkun Nacional “Sharri”, e ka ndërtuar hotelin “Brezovica Hotel Spa”, pronar i së cilit është ai. Mbi të fundit tash rëndon vepra “degradim dhe shkatërrim” i ambientit të Brezovicës.

    Salihu nuk mundi t’i ikte më shumë shtetit dhe vendosi të dorëzohej në polici. Pasi ai u dorëzua dhe u vetdeklarua i pafajshëm, shteti e la të lirë.

    Prokurori i rastit “Brezovica”, Rasim Maloku pati thënë se pasi ka dhënë deklaratën në polici është liruar për arsye shëndetësore.

    “Para dhjetë ditësh Abedin Salihu është paraqitur në drejtorinë e Krimeve të Rënda në Prishtinë, ka dhënë deklaratë, dhe për momentin është i lirë”, ka thënë Maloku, shkruan Gazeta Insajderi.

    “Në deklaratën e tij, ka thënë se kinse ka pasur problem jashtë – problem shëndetësore, COVID-in”, ka thënë tutje Maloku.

    Këto janë bizneset e multimilionerit të përfshirë në skandalin “Brezovica”

    Abedin Salihu, i dyshuar për aferën e lejeve ndërtimore në Brezovicë, është pronar i njërit prej hoteleve më luksoze në Brezovicës, “Brezovica Hotel Spa”.

    Ndërtimi i këtij hoteli dyshohet të jetë bërë në kundërshtim me Ligjin që mbron Parkun Nacional “Sharri”, pretendim ky që Salihut i ka krijuar probleme me shtetin. Ai tash dyshohet për “degradim dhe shkatërrim” të ambientit në Brezovicë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Hoteli luksoz në Brezovicë

    Salihu është edhe udhëheqës i disa bizneseve afariste, kryesisht në fushën e ndërtimit dhe minierave e mineraleve.

    Kompania e tij, “Dino” Sh.P.K. është një biznes i cili ndërton objekte banesore dhe jobanesore. Në Agjencinë për Regjistrimin e Bizneseve, “Dino” Sh.P.K. figuron të ketë kapital prej rreth 150 mijë euro.

    Në pronësi të tij figuron edhe kompania “BELLIS IMMO SH.P.K.”, e cila kompani po ashtu merret me ndërtimtari, shkruan Gazeta Insajderi.


    Tenderët e kompanisë ‘DINO’ të fituar nga Komuna e Lipjanit

    Gazeta Insajderi ka raportuar për një lloj “besatimi” ndërmjet Abedin Salihut, i cili ka në pronësi edhe kompaninë “Dino”, si dhe pushtetit lokal në Lipjan, që udhëhiqet nga Imri Ahmeti i LDK-së.

    Kompania e tij ‘’Dino Sh.P.K’, kishte fituar pesë tenderë nga Komuna e Lipjanit në vlerë prej 2 milionë e 912 mijë e 308 euro.

    Biznesmeni lipjanas është i përfshirë edhe në një skandal tjetër

    Kompania “Dino” e multimilionerit Salihu është e përfshirë edhe në një skandal tjetërAtë të palestrës së Zhegrës në Gjilan.

    Në vitin 2018, Komuna e Gjilanit kishte zgjedhur konsorciumin e kompanive “Visioni Projekt” dhe ” Dino”, fituese të tenderit për ndërtimin e Palestrës së Sporteve në fshatin Zhegër.

    Vlera e përgjithshme e kësaj kontrate kapte vlerën e 95 mijë e 965 eurove.

    Kompanitë ishin të obliguara që punimet t’i kryhenin sipas kontratës sipas planit dinamik prej 25 ditëve, por ato nuk ishin kryer sipas kontratës.

    Në një dosje policore për të kaluarën e multimilionerit Abedin Salihu, të cilin e kishte publikuar mediumi ‘Front Online’, ai përfshihej në dyshime për falsifikim të dokumenteve zyrtare, përfshirje në aksident me lëndime, aksident me fatalitet, dyshime për sulme dhe dyshime për dëmtime kriminale.

    Abedin Salihu- Dino ka qenë i dyshuar për falsifikim të dokumenteve zyrtare më 23.3.2006 në Klinë. Më 17.11.2009, sipas Policisë së Kosovës, Salihu dyshohej për uzurpim të pronës dhe kërcënim, rast ky i referuar në Prokurori.

    Më 8 shkurt 2007, Salihu, sipas Policisë së Kosovës, dyshohej për përfshirje në një aksident me lëndime, përderisa më 25 mars 2002 ishte i dyshuar për sulm, i cili rast po ashtu ishte referuar në Polici.

    Një rast të tillë, si i dyshuar për sulm, Abedin Salihu e ka pasur edhe në vitin 2006 te “Motel Porta”, i cili rast po ashtu ishte i referuar ne prokurori. Në vitin 2004 ishte i dyshuar për dëmtim kriminal, ndërsa më 16 dhjetor 2006 ishte i dyshuar për sulm të rëndë, rast ky po ashtu i referuar në Prokurori. Ndërsa më 1 nëntor 2002 dyshohej për një aksident me fatalitet, i cili rast po ashtu ishte referuar në Prokurori. /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark