×
  • Lajme
  • Hulumtime/Analiza / Analiza

    Ryshfet, fajde, krim – elita e biznesit që dyshohet për shkatërrim të Brezovicës

    Insajderi
    12 October 2022 - 12:02
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Aksioni i sekuestrimit të villave të pasanikëve në Brezovicë ka dridhur elitën e biznesit në vend. 

    Një aksion i zhvilluar dje, i cili po vazhdon edhe sot në zonën e dytë të parkut kombëtar “Sharri” në Brezovicë, ka rezultuar me sekuestrimin e rreth 100 vikend-shtëpiza të ndërtuara jashtëligjshëm.

    Villat për të cilat shteti më pas do të vendos nëse duhet të rrëzohen ose jo, dje u rrethuan me shirita të policisë.

    Gazeta Insajderi nga burime të sigurta ka mësuar se disa nga villat e sekuestruara dyshohet se janë të biznesmenit Hajrush Ajvazi.

    Sipas burimeve të Gazetës Insajderi, Ajvazi ka pasur lidhje të forta me ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Bratislav Nikoliq.

    Në aksionin e marsit të këtij viti, Policia e Kosovës kishte zbarkuar në shtëpinë e tij për bastisje, por Ajvazi kishte arritur të arratisej.

    Sipas Prokurorisë, Hajrush Ajvazi dyshohet se nga viti 2015-2020, në Shtërpcë, si investues në vikend-zonë, në mënyrë të tërthortë dhe të drejtpërdrejtë, i ka dhënë dhurata në para dhe vikend-shtëpiza personit zyrtar me qëllim që të mos veprojë në pajtim me detyrat e tij zyrtare, në atë mënyrë që ka blerë pronë të paluajtshme në vikend- zonën e Brezovicës, me qëllim ndërtimi të vikend-shtëpizave, kështu që për lejimin e ndërtimit të vikend-shtëpizave, i ka dhënë nga 10 mijë euro për një leje të pandehurit Bratislav Nikoliq, përmes të pandehurit Jadran Kortiq.

    Më vonë siç përshkruan Prokuroria, janë bërë aksionar në ndërtim duke marrë secili pjesën e tij në atë mënyrë që i pandehuri ka ndërtuar vikend-shtëpizat, kurse të pandehurit Bratislav Nikoliq i ka dhënë vikend-shtëpi si kompensim për lejet ndërtimore, të cilat ndërtime janë realizuar në kundërshtim me Ligjin për Ujërat e Kosovës, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit, Ligjin për Ndërtimin dhe Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”.

    Me këto veprime i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale dhënie ryshfeti dhe ushtrim ndikimi.

    Ndryshe, Hajrush Ajvazi udhëheq me kompaninë private “Loni-1” Sh.P.K., një biznes afarist i cili operon mes tjerash edhe në fushën e blerjes dhe shitjes së patundshmërive.

    Lexo edhe:

    Për ndërtime pa leje në Brezovicë dyshohet edhe milioneri Fatmir Grainca

    Biznesmeni ferizajas, Fatmir Grainca, kur ishte kërkuar në mars nga Policia, kishte ikur nga shtëpia.

    Ai nuk ishte paraqitur as në gjykatë atë muaj, për shkak të problemeve shëndetësore.

    Kështu pati thënë avokati i tij, Avni Ibrahimi, i cili tutje ka shpjeguar se klienti i tij gjendet në spital, pa dhënë detaje të tjera, nëse është duke u shëruar në Kosovë, apo jashtë saj.

    Grainca është i përfshirë në rastin për korrupsion, ndotje, degradim e shkatërrim të mjedisit në vargmalet e Sharrit, konkretisht në Brezovicë.

    Ai ka një aktakuzë të hapur pikërisht për këtë çështje.

    “Fatmir Grainca akuzohet nga prokuroria se gjatë vitit 2018, në zonë turistike të Parkut Kombëtar “Sharri” në Brezovicë, Komuna e Shtërpcës, ka degraduar mjedisin duke rrezikuar pasuritë e mbrojtura natyrore, në atë mënyrë që si pronar i parcelës kadastrale numër 5602/1ZK Shtërpcë, përmes ndërmarrjes ndërtimore “Dushi” ka filluar ndërtimin e objektit banesor B+P+NK, në zonën e tretë të parkut, në afërsi të lumit, kurse skaji tjetër në afërsi prej 1 metër, i cili objekt është në kundërshtim me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Sharri”, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit dhe Ligjin për Ujërat e Kosovës”, shkruan në aktakuzën të cilën e posedon Gazeta Insajderi.

    Akti akuzës ndaj tij dhe disa personave të tjerë ishte ngritur nga prokurori ferizajas, Rasim Maloku, më 16 nëntor, të vitit 2020.

    Gjykimi ndaj Graincës dhe të tjerëve nuk ka nisur akoma, pasi seancat e thirrura kanë dështuar për shkak të mungesës të të akuzuarve.

    Po, për shkatërrimin e Brezovicës, Grainca ishte kërkuar edhe në mars, por nuk ishte gjetur nga Policia.

    Një muaj pas ai ishte dorëzuar dhe kishte pranuar të bashkëpunojë me Prokurorinë.

    Villat e ndërtuara jashtëlishgjshëm nga HIT Imperial, firma e Graincës, tashmë janë në pronësi të disa prej figurave të njohura publike, siç janë Shyhrete Behluli dhe Ledri Vula.

    Grainca aktualisht është aksionar i klubit të Ferizajit dhe njëherësh anëtar i bordit, ai po ashtu ka edhe aksionet e kompanisë që merret me tregtinë e karburanteve, HIT Petrol dhe N.T.P. KONSUM-F.G, e cila operon në fushën e tregtisë së artikujve ushqimorë në Ferizaj, bazuar në të dhënat publike pranë Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, shkruan Gazeta Insajderi.

    Lexo edhe:

    Rijad Hasani, biznesmeni nga Llapi që akuzohet për shkatërrimin e Brezovicës

    Rijad Hasani, biznesmeni nga komuna e Podujevës, ishte në mesin e 13 persona të arrestuar për rastin “Brezovica”, në aksionin e dhjetorit.

    Hasani dyshohet për dhënie të ryshfetit dhe për ndërtime të villave në zonën turistike të Brezovicës. Tash e 16 ditë ai po mbahet në burg.

    Biznesmeni Hasani u arrestuar me 22 dhjetor së bashku me ish-kryetarin e Komunës së Shtërpcës, Bratisllav Nikolliq.

    Dosja hetimore e Prokurorisë tregon se Hasani dyshohet se i dha 240 mijë euro ryshfet ish-kryetarit të Shtërpcës, Bratisllav Nikoliqit me qëllim të lëshimit të lejes ndërtimore, shkruan Gazeta Insajderi.

    Biznesmeni Hasani përpos që është i përfshirë në valën e re të bastistjeve në Brezovicë, emri i tij është i njohur për veprimtari të tillë edhe më herët.

    Ai ka një aktakuzë për shkatërrimin e Brezovicës si pjesë e grupit të parë të njerëzve që u hetuan dhe u akuzuan për krime të kryera në zonën e Sharrit.

    Mbi të rëndojnë tri vepra penale. Ai dyshohet se nga viti 2011 deri në fund të vitit 2018, në mënyrë të tërthortë i ka dhënë para personit zyrtar në këmbim të lejes.

    Për këto veprime ai tash akuzohet se ka kryer veprën penale, “Dhënia e ryshfetit” dhe “Ushtrimi i ndikimit”.

    Përveç këtyre veprimeve, Prokuroria ka gjetur se Hasani i është shmangur pjesërisht pagesës së tatimit duke prezantuar të dhënat të pavërteta në administratën tatimore.

    “R.H.,ekziston dyshimi i arsyeshëm se nga viti 2011 deri në fund të vitit 2018, në mënyrë të tërthortë i ka dhënë para personit zyrtar që të veproj në kundërshtim me detyrat e tij zyrtare me këtë do të kryente veprën penale “Dhënia e ryshfetit” nga neni 429 par.3 të KPRK-ës dhe veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 431 par.2 të KPRK-ës. I njëjti, iu ka shmangur tatimit pjesërisht pagesës së tatimit duke i prezantuar të dhëna të pavërteta në administratën tatimore, me këtë do të kryente veprën penale “shmangia nga tatimi” nga neni 307 par.3 lidhur me par.1 të KPRK-ës”, thuhej në njoftimin e Prokurorisë, shkruan Gazeta Insajderi.

    Lexo edhe:

    Rasti Brezovica, për Gazetën Insajderi ka folur prokurori i rastit Rasim Maloku

    Vikend-shtëpizat e ndërtuara ilegalisht në zonën e dytë të parkut kombëtar “Sharri” u sekuestruan. Atyre iu ngjit shiriti i Policisë dhe iu ndaluan punimet. Pronarët e tyre do të njofton për sekuestrimin e tyre.

    Prokurori i operacionit “Brezovica”, Rasim Maloku, në një intervistë për Gazetën Insajderi tha se janë në pritje të vendimit të Gjykatës për rrënimin e tyre.

    “Ne do të paraqesim kërkesën tek gjykata për rrënimin e tyre. Është vendimi përfundimtar i gjykatës që me i rrënu këto objekte, është çështje ligjore dhe besojmë që edhe gjykata do të marr vendim për rrënimin e tyre”, tha Maloku.

    Maloku tregoi për aksionin e ndërmarr dje në këtë zonë.

    “Është duke vazhduar aksioni në rastin “Brezovica”. Jemi duke bërë sekuestrimin e të gjitha Vikend- shtëpizave që gjenden të ndërtuara në zonën e dytë të parkut kombëtar “Sharri”, ku është i ndaluar ndërtimi  por për shkak të veprimit korruptive të zyrtarëve është ndërtuar edhe në këtë zonë dhe tani pas një inspektimi qe kemi bërë muajin e kaluar jemi duke bërë sekuestrimin e objekteve”.

    Ndonëse nuk i bëri të ditur me emra, Maloku tha se pronarët e këtyre villave janë personat që po hetohen nga prokuroria. Disa nga ta janë në paraburgim e disa me masa të tjera.

    “Disa nga të dyshuari janë nën hetim disa janë në paraburgim e disa në masa te tjera. Vikend-shtëpizat e sekuestruara që janë rreth 80, disa nga to ishin në fazën fillestare të ndërtimit, disa në përfundim e disa të përfunduara. Rreth 80 vikend shtëpiza do të sekuestrohen. Disa janë në fazën fillestare disa janë të përfunduara e disa në përfundim. Kjo është kurorëzim i të gjitha aksioneve, efekti të gjitha operacioneve janë sekuestrimi i këtyre villave”.

    Lexo edhe:

    Aksioni i sekuestrimit të villave është duke vazhduar edhe sot në Brezovicë. Prokuroria Themelore e Ferizajt ka njoftuar dje se janë rreth 100 villa që do të sekuestrohen në Zonën e Dytë të Parkut Kombëtar “Sharri”.

    Brezovica konsiderohet si një prej qendrave më të mëdha të turizmit dimëror në Kosovë dhe njihet për qendrën e skijimit.

    Ajo gjendet në Komunën e Shtërpcës dhe bën pjesë në Parkun Kombëtar “Sharri”.

    Shiko edhe:

    © Gazeta Insajderi

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark