Shteti i Kosovës nuk përfiton prej të gjitha kompanive që operojnë në tregun fitimprurës të telefonisë mobile. Aktualisht, në Kosovë janë tri kompani aktive. Një publike dhe dy private. Kompania publike “Telekomi i Kosovës/ Vala”, ende ka hisen më të madhe në treg, bazuar në raportin e fundit të Autoritetit Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare. Raporti i publikuar këtë vit tregon se ndërmarrja publike prinë edhe për kah të hyrat në treg, por edhe për kah numri i përdoruesve aktiv.
Telekomi i Kosovës zotëron 53 për qind të tregut, për sa i përket të të hyrave nga kjo veprimtari. Ndiqet nga kompania “IPKO”, pronë e “Telekom Slovenia” , që zotëron 38 për qind të tregut të të hyrave. Kompania tjetër “Z-Mobile”, zotëron 4.78 për qind të tregut të telefonisë mobile, për sa i përket të hyrave që inkason.
Por, sa përfiton shteti i Kosovës nga biznesi i këtyre kompanive? Raportet e publikuara në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave tregojnë se sa paguajnë këto tri kompani tatim në fitim, në Administratën Tatimore të Kosovës.
Sa përfiton shteti nga “Telekomi i Kosovës/Vala” ?
Deri më tash janë bërë publike raportet prej vitit 2013 deri në vitin 2016. Ndërkaq për ndërmarrjen publike “Telekomi i Kosovës/Vala” është publikuar vetëm për vitin 2014 dhe 2015.
Viti 2014 duket se mund të jetë i fundit kur “Telekomi i Kosovës”, ka paguar tatim në fitim në Administratën Tatimore të Kosovës dhe dividentë për pronarin e saj, Qeverinë e Kosovës.
Bazuar në raportin financiar për vitin 2014, ndërmarrja publike ka pasur të hyra prej mbi 100 milionë eurosh. Fitimi në këtë vit ishte në vlerë prej 16 milionë eurosh. Shuma e tatimit në fitim që kishte paguar ishte në shumë prej mbi 2 milionë eurosh.
Ngjashëm nuk kishte ndodhur edhe më 2015. Bazuar në raportin financiar për këtë vit fiskal, kjo ndërmarrje kishte pasur të hyra prej 84 milionë eurosh. Nuk kishte pasur fitim e as tatim në fitim të paguar për Administratën Tatimore të Kosovës. Shpenzimet këtë vit ishin më të mëdha se sa të hyrat, bazuar në këtë raport. Kalonin vlerën e mbi 92 milionë eurove.
Edhe vitet pasuese, deri më 2018, ishin të ngjashme për ndërmarrjen publike. Nuk është raportuar fitim nga operimi i ndërmarrjes, e cila para një dekade paguante rreth 100 milionë euro dividentë për shtetin e Kosovës.
IPKO vs Z-Mobile
Raportet financiare tregojnë edhe se sa përfiton shteti i Kosovës edhe nga dy kompanitë tjera të telefonisë mobile, IPKO dhe Z-Mobile.
IPKO mposhtë kompaninë Z-Mobile për sa i përket zotërimit të tregut të telefonisë mobile. Ka tetëfish më shumë të hyra nga ky biznes.
Por, bazuar në raportet financiare të dy kompanive e njëjta situatë nuk është edhe për sa i përket pagesave të tatimit në fitim. IPKO, përkundër që ka më shumë të hyra, nuk paguan tatim, sipas këtyre raporteve financiare.
Z-Mobile ka paguar deri më tash qindra mijëra euro tatim në fitim në Administratën Tatimore të Kosovës.
Në raportin për vitin 2013, kompania IPKO ka shënuar se ka pasur të hyra në vlerë prej 68 milionë e 872 mijë eurosh.
Po ashtu, ka shënuar se ka pasur një fitim prej mbi 1 milionë eurosh. Por, rubrika që tregon për vlerën e tatimit në fitim është e zbrazët. Ngjashëm shënohet edhe në raportin për vitin 2014. Rubrika e njëjtë është e zbrazët. Ndërkaq, tregohet që të hyrat ishin në vlerë prej mbi 69 milionë eurosh dhe se kishte një fitim prej mbi 340 mijë eurosh.
Për këtë kompani viti 2015 kishte tjetër situatë. Kishte raportuar më shumë shpenzime se sa të hyra. Shpenzimet kalonin shumën prej 71 milionë eurove, ndërsa të hyrat ishin në vlerë prej 69 milionë e 179 mijë euro. Nuk ishte raportuar tatim në fitim për shkak se vlera e humbjeve para tatimit ishte në vlerë prej mbi 2 milionë eurosh.
Më shumë shpenzime se sa të hyra për IPKO-në kishte edhe në vitin 2016. Të ardhurat ishin në vlerë prej 70 milionë eurosh ndërsa kishte raportuar në Administratën Tatimore se kishte pasur shpenzime në vlerë prej mbi 75 milionë eurosh. Si rrjedhojë, nuk ishte paguar tatim në fitim për shtetin e Kosovës.
Të dhëna të ndryshme me kompaninë IPKO kishte raportuar në ATK konkurrenti i tyre, kompania “Dardafone” që operon me emrin tregtar “Z-Mobile”.
Në raportin për vitin 2013 të kësaj kompanie, tregohet se atë vit kishte pasur të hyra prej mbi 9 milionë eurosh. Fitimi i kompanisë ishte në vlerë prej mbi 2 milionë eurosh. Ndërsa tatimi në fitim i paguar për Administratën Tatimore ishte në vlerë prej mbi 250 mijë eurosh.
Edhe në vitin 2014 vlera e tatimit në fitim e paguar për shtetin ishte e ngjashme. Kjo kompani kishte paguar tatim në fitim në vlerë prej mbi 250 mijë eurosh.
Kishte pasur të hyra në vlerë prej mbi 8 milionë eurosh.
Ndërkaq, më pak të hyra kishte pasur në vitin vijues. Kishte pasur të hyra në vlerë prej 5 milionë e 978 mijë eurosh. Tatimi në fitim i paguar për shtetin ishte në vlerë prej mbi 35 mijë eurosh.
Viti vijues, 2016-ta, ishte me humbje për kompaninë “Z-Mobile”. Kishte pasur të hyra prej 5 milionë e 300 mijë eurosh. Ndërsa kishte raportuar se humbjet ishin në vlerë prej mbi 78 mijë eurosh.
Nuk dihet ende se si kanë operuar këto dy kompani, IPKO dhe Z-Mobile, gjatë vitit 2017. Raportet financiare që tregojnë gjendjen për vitin e kaluar ende nuk janë publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Financave. /Insajderi.com