Taiwo Awoniyi e ka mbështetur Mohamed Salahun si fitues të Topit të Artë në të ardhmen, duke këmbëngulur se ish-bashkëlojtari i tij te Liverpooli është në një nivel me Lionel Messin dhe Robert Lewandowskin.
Salahu përfundoi në vendin e shtatë në listën e Topit të Artë këtë vit, pavarësisht se nga shumë njerëz u cilësua si më i miri në botë në bazë të formës së tanishme.
Çuditërisht, sulmuesi egjiptian nuk u zgjodh në listën e ngushtë prej 23 futbollistëve në FIFPRO XI, që u publikua këtë javë.
29-vjeçari nuk e ka fshehur dëshirën për t’i fituar të gjitha çmimet kryesore në futboll, individuale dhe ekipore dhe Awnoiyi, i cili u stërvit me Salahun në Liverpool para se t’i bashkohej Union Berlinit, beson se tregimi i tij shërben si frymëzim për të gjithë lojtarët afrikan të së ardhmes.
“E kam takuar atë dhe e kam parë në stërvitje, ai është lojtar që ka gjithçka. Ai e ka përvojën. Ai ka luajtur për Chelsean, Romën dhe tani Liverpoolin. Ky djalosh e ka arritur majën tashmë. Ai është në një nivel me Messin dhe Lewandowskin”, tha Awnoiyi.