Projektligji për Tokën Ndërtimore ka avancuar dukshëm, kështu thotë ministri në detyrë i Drejtësisë, Selim Selimi.
Selimi thotë se përmes këtij Projektligji do të ri-rregullohet e drejta pronësore si dhe administrimi i tokës ndërtimore, transformimi i të drejtës së shfrytëzimit të përhershëm në pronësi publike apo private sipas kushteve të përcaktuara.
“Pas dakordimit të përbashkët me Komisionin Parlamentar për Legjislacion, si dhe Kryetarin e Komisionit Parlamentar për Ambient, për tërheqje nga procedurat e Kuvendit të Projektligjit për Tokën Ndërtimore, si dhe pas diskutimeve shtesë që janë zhvilluar në lidhje me përmbajtjen e draftit, projektligji është avancuar dukshëm. Përmes këtij projektligji jo vetëm që do të hiqet nga rendi ynë juridik një ligj i ish- KSA të Kosovës, i cili i përket një sistemi të kaluar, por se përmes këtij projektligji do të ri-rregullohen të drejtat pronësore, si dhe administrimi i tokës ndërtimore, transformimi i të drejtës së shfrytëzimit të përhershëm në pronësi publike apo private sipas kushteve të përcaktuara me projektligj, e kjo përfshinë një numër të madh të rasteve, si dhe ndërlidhja e pronësisë së objektit dhe pronësisë së tokës ndërtimore në rastet kur ka pronësi të dyfishtë”, ka shkruar Selimi në Facebook.
Tutje ai ka thënë se përmes këtyre përcaktimeve ligjore do të definohet pronësia.
“Përmes këtyre përcaktimeve ligjore do të definohet pronësia, me këtë do të rritet siguria juridike e pronarëve, si dhe do të lehtësohet qarkullimi juridik i këtyre pronave, e kjo padyshim do të ndikojë në zhvillim ekonomik të vendit. Qëllimi i radhës do të jetë puna për rregullimin e pronës dhe mundësia e restituimit”, ka përfunduar ai.