×
  • Lajme
  • Insajderi / Insajderi

    Serbia ua pasivizon adresat rreth 10 mijë shqiptarëve në Luginë të Preshevës

    Insajderi
    13 August 2023 - 16:54
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Janë rreth 10 mijë shqiptarë nga Lugina e Preshevës të cilëve shteti serb ua ka pasivizuar adresat. Ky veprim i autoriteteve serbe po shihet si selektiv nga udhëheqësit politik por edhe nga shoqëria civile në Luginë të Preshevës.

    Pavarësisht se me regjistrimin e fundit të popullsisë që është bërë në Serbi, shqiptarët në Preshevë e Bujanoc kanë dalë që janë shumicë, autoritetet serbe po mundohen që ta zvogëlojnë numrin e tyre përmes pasivizimit të adresave.

    Sipas kryetarit të Komunës së Preshevës, janë rreth 10 mijë shqiptarë në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë të cilëve në mënyrë të padrejtë iu janë pasivizuar adresat, pavarësisht se nuk kanë të dhëna zyrtare nga autoritetet serbe.

    Ai thotë për Zeri.info, se me regjistrimin e fundit të popullsisë që është bërë në Serbi, në Komunën e Preshevës shqiptarët e përbëjnë shumicën, pra rreth 60 mijë apo 94 për qind e popullsisë në këtë komunë është shqiptare.

    “Pazivizimi është një problem i cili 10 mijë shqiptarë, nuk po flasim për një konkurs, 8 me 9, por po flasim për 10 mijë shqiptarë të cilët janë pasivizuar. Iu privohet prona, iu privohet mundësia për me u pajisë me dokumentacion identifikues, iu privohet mundësia me i shfrytëzua shërbimet civile dhe administratë, iu privohet mundësia me votua. Do me thënë neve de-facto në mënyrë burokratike na e kanë mbytur edhe na i kanë “masakru” 10 mijë shqiptarë”, ka thënë Arifi.

    Image
    Shqiprim Arifi, kryetar i Preshevës.

    Ai po ashtu ka theksuar se pasivizimi po aplikohet vetëm për shqiptarët, por jo edhe tek pakicat e tjera.

    “Pasivizimi aplikohet si ligj ndaj nesh, por assesi ndaj serbëve. Kemi edhe këtu serb që jetojnë në Gjermani apo ku ta di ku, por ata assesi nuk pasivizohen. Do me thënë vetëm në mënyrë selektive përdoret ndaj nesh specifikisht dhe për këtë arsye ata kanë drejt me i thanë vetes se kanë ligj, ama aplikimi i tij nuk është i drejtë”, është shprehur Arifi për “Zërin”.

    Edhe në Komunën e Bujanocit, shqiptarët po përballen me pazivizimin e adresave. Kreu i kësaj komune, Nagip Arifi, ka thënë për Zeri.info, se përmes pasivizimit të adresave, shqiptarëve në Luginë të Preshevës po iu mohohet e drejta për pajisje me dokumente të identitetit.

    Për këtë problem, Arifi thotë se i kanë njoftuar edhe ndërkombëtarët.

    “Ajo që për momentin është shumë problem, është pasivizimi i adresave dhe qytetarët e komunës tonë për edhe të Luginës së Preshevës, kanë probleme sepse shlyhen nga gjendja civile, nuk kanë të drejta as nuk kanë të drejta të përdorin të drejtën e vetë të garantuar me Kushtetutë, për të votuar, pastaj nuk kanë të drejtë të marrin pasaporta, kartat e identitetit, por nuk kanë të drejtë të kenë pasuri. Ne këtë çështje i kemi njoftuar organet ndërkombëtare, para së gjithash ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, zotin Hill, po ashtu edhe ambasadorin e OSBE-së në Beograd, zotin Brathu, por edhe institucionet tjera por edhe ato të Republikës së Kosovës edhe të Republikës së Shqipërisë, por për fat të keq ende po ndikon pasivizimi i adresave”, u shpreh Arifi.

    Image
    Nagip Arifi, kryetar i Komunës së Bujanocit.

    Edhe Arifi thotë se nuk kanë të dhëna zyrtare se sa shqiptarë janë larguar nga regjistri civil, por që thotë se janë rreth tetë mijë në tërë Luginën e Preshevës, kurse rreth dy mijë vetëm në Bujanoc.

    “Sipas disa të dhënave të cilat janë jozyrtare, sepse nuk kemi zyrtare, dikund përafërsisht 8 mijë qytetarë janë të pasivizuar në luginën e Preshevës, kryesisht janë në Komunën e Medvegjës, por edhe në Bujanoc diku në dy mijë ka arritur numri. Dhe me të vërtetë është një problem i cili kërkon një qasje para së gjithash të faktorit ndërkombëtar por edhe të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe Shqipërisë”, theksoi Arifi.

    Ai theksoi se për çështjen e pasivizimit të adresave nuk kanë mundur të bëjnë asgjë, pasi siç theksoi Arifi, kompetencat e pushtetit lokal në Serbi janë shumë të vogla dhe në këtë mënyrë, ai kërkon ndihmë nga bashkësia ndërkombëtare dhe Kosova e Shqipëria.

    “Unë po e shfrytëzojë momentin, që të sensibilizohet kjo çështje i ftoj të gjithë gazetarët shqiptarë, që çështje e pasivizimit të sensibilizohet dhe faktori ndërkombëtar të marrë ndonjë masë ndaj Republikës së Serbisë në këtë drejtim. Ka probleme në këtë drejtim. Ne jemi duke u munduar të bëjmë gjithçka, por kompetencat e pushtetit lokal në këtë drejtim janë shumë, shumë të vogla. Përveç që këtë po e bisedojmë me faktorin ndërkombëtar, nuk po arrijmë që konkretisht të bëjmë diçka në këtë drejtim. Andaj ajo që na mbetet është të kërkojmë ndihmë nga Republika e Kosovës por para së gjithash nga Republika e Shqipërisë, sepse Republika e Shqipërisë në parambulën e vet e ka të drejtën që të interesohet për shqiptarët e Luginës së Preshevës”, u shpreh Arifi për Zeri.info.

    Image
    Një pjesë e qytetit të Bujanocit, pamje me dron.

    Se shqiptarët në Preshevë e Bujanoc tashmë edhe zyrtarisht janë shumicë, e konfirmon edhe përfaqësuesi i tyre në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi.

    “Edhe çështja e pasivizimit është një ndër metodat për zvogëlimin e numrit të shqiptarëve, sepse thjeshtë është një metodë administrative për ndryshimin artificial të strukturës teknike të këtyre komunave e që është në kundërshtim me Kushtetutën e Serbisë sepse Kushtetuta e Serbisë, Kushtetuta aktuale vetë e ndalon ndërmarrjen e masave administrative të cilat ndikojnë në ndryshimin artificial të strukturës etnike të popullsisë, por tash, jo gjithmonë ndodh ajo çka e do armiku. Rezultatet e regjistrimit flasin se së paku në përqindje ne nuk kemi ndonjë ngritje në nivel real, por nominalisht, numri i shqiptarëve në përqindje në Bujanoc është rritur nga 56 në 62 për qind, ndërkohë që numri i serbëve bie. Koncepti se po të lejohej barazia në organet shtetërore, njësoj si në komunë të Bujanocit, ku do të reflektohej fuqia politike e shqiptarëve, sipas vlerësimit serb, kjo do të ndikojë në largimin e serbëve. Dhe prandaj ata i ndërmarrin të gjitha këto masa johumane, degraduese, jocivilizuese edhe shpeshherë raciste për me e ruajt një gjendje artificialisht sa i përket serbëve në nivel lokal”, theksoi Kamberi për Zeri.info.

    Image
    Shaip Kamberi, përfaqësues i shqiptarëve në Parlamentin e Serbisë.

    Sipas Kamberit, edhe bashkësia ndërkombëtare është e njoftuar me çështjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve, por që sipas tij, për ndërkombëtarët më i rëndësishëm është themelimi i Asociacionit në Kosovë dhe situata e serbëve në veri të Kosovës.

    “Pra thjeshtë edhe duke i paraqitur shqiptarët e Luginës së Preshevës si kriminel, të gatshëm të punojnë me mjete narkotike, me veprimtari të paligjshme, faktikisht ata duan ta legjitimojnë diskriminimin të cilin po na bëjnë. Tash sa është fajtore Serbia në krejt këtë gjendje, sepse nuk është një apo dy vite, janë mbush 22 vjet faktikisht janë mbush nga marrëveshja e 2001 të cilën Bashkësia Ndërkombëtare e ka bërë, e ka ndërmjetësuar dhe ata e kanë të qartë në detaje se cili është statusi aktual i shqiptarëve. Dhe ata e kanë të qartë se në çfarë niveli janë respektuar marrëveshjet e deritashme, sidomos kjo e integrimit, plotësisht e kanë të qartë. Por si gjithmonë bashkësia ndërkombëtare po vepron sipas prioriteteve që i përcakton. Për ta (bashkësinë ndërkombëtare), për momentin janë, aktualisht sot janë serbët në Kosovë, serbët e veriut atje, Asociacioni dhe të shohin mandej se si do të dalin”, u shpreh Kamberi.

    Autoritetet serbe shlyerjen nga regjistri civil ua bëjnë pa asnjë paralajmërim, ata ishin munduar që t’ua vështirësojnë edhe më shumë pajisjen me dokumentet e identitetit. Përmes legalizimit dhe pajisjes së numrit të shtëpisë, e që shqiptarët vetë duhej ta paguanin, autoritetet serbe ishin munduar që t’ua vështirësonin këtë proces shqiptarëve dhe t’ua lehtësonin vetit punën që t’i largonin nga regjistri.

    Deputeti Kamberi ka thënë për Zeri.info, se për këtë, shqiptarët me kohë i kanë marrë masat dhe janë pajisur me numër shtëpie dhe i kanë legalizuar pronat e tyre dhe tashmë kjo masë shtesë është larguar nga autoritetet serbe.

    “Edhe ajo ishte si masë fillestare që t’i vështirësohet njerëzve të marrin adresat, mirëpo si zakonisht procedurat përveç rregullave ka edhe përjashtime. Dhe njerëzit kanë filluar me e ndjek procedurën më rregullisht sesa sa i përket pasivizimit. Te pasivizimi, mjerisht shumë pak shqiptarë e kanë ndjek procedurën gjyqësore, po t’ishin bërë disa raste në gjykatë, që mandej do të fitohej e drejta me shkua edhe në Gjykatën e Strasburgut dhe situata do të ishte krejtësisht ndryshe, por problemi është se njerëzit e kanë përfunduar procedurën deri në shkallën e dytë, e shkalla e dytë është Ministria e Punëve të Brendshme. E tash kur e dimë që në Ministrinë e Punëve të Brendshme kemi pasur një person si Vulini, një anti-shqiptar, është ditur se vendimin që e jep shkalla e dytë, Ministria në rast të ankesës me vendimin e shkallës së parë është faktikisht kundër interesave të palëve”, u shpreh Kamberi.

    Se Serbia po e zbaton ligjin në mënyrë selektive për sa i përket pasivizimit të adresave, e thotë edhe kryetari i Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Preshevë, Belgzim Kamberi.

    “Te çështja e pasivizimit një nga problemet kryesore është dyshimet tona që i kemi për zbatimin selektiv të Ligjit për vendbanime dhe vendqëndrime. Pra edhe sot që po flasim, Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë nuk është që ka dhënë të dhëna se sa vendbanime janë pasivizu jashtë Luginës së Preshevës në Republikën e Serbisë. Edhe të gjitha dyshimet shkojnë që kur është fjala për komunat e Preshevës, Bujanocit e Medvegjës e veçanërisht për shqiptarët që jetojnë dhe banojnë këtu, duket që ata janë shumë më efikat, e para në zbatimin e këtij ligji problematik dhe e dyta do të thotë ajo po bëhet në mënyrë jashtëzakonisht jotransparente dhe kur e sheh mënyrën se si organet shtetërore e zbatojnë këtë ligj në komunat Preshevë, Bujanoc e Medvegjë e veçanërisht ndaj shqiptarëve, atëherë duket faktikisht ky selektivitet që ndodh në zbatim të ligjit dhe kjo jotransparencë faktikisht flet se kjo duket se është një ligj i cili e ka në shënjestër kryesisht shqiptarët e Luginës së Preshevës”, theksoi Kamberi.

    Tutje, kryetari i Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Preshevë, Belgzim Kamberi thotë për “Zërin”, se autoritetet serbe nuk u japin asnjë të dhënë autoriteteve komunale që udhëhiqen nga shqiptarët në Preshevë e Bujanoc.

    Image
    Belgzim Kamberi, kryetari i Komisionit për të Drejtat e Njeriut në Preshevë.

    Sipas tij, shteti serb kujdeset që kur është fjala për shqiptarët, të tregohet më agresiv.

    “Përderisa Qeveria e Serbisë nuk tregon edhe nuk ka gatishmëri për të treguar, atëherë kjo tregon sepse migrim shumë të madh ka edhe brenda Serbisë, Serbisë qendrore dhe asnjëherë Beogradi nuk është që jep shifra për të treguar se a po e zbaton ligjin në mënyrë të njëjtë. Dhe një ligj i cili zbatohet në mënyrë selektive pastaj ajo flet për masa diskriminuese dhe kjo është problemi i çështjes së pazivizimit. Ky nuk është rasti i vetëm, është një nga ato rastet e shumta që duket se kur është puna për te shqiptarët në përgjithësi ka tendenca që shteti të jetë shumë më agresiv në zbatimin e legjislacionit të saj”, u shpreh Kamberi.

    I pyetur nga Zeri.info, se a ndodh që edhe serbët që jetojnë në Kosovë apo edhe pakicat e tjera në Serbi që të detyrohen të qëndrojnë deri në tre muaj në adresat e caktuara, apo në shtëpitë e tyre, e që më pas inspektorati policor vjen dhe i kontrollon nëse janë në atë adresë apo jo, pa asnjë paralajmërim, Kamberi ka thënë se është e pamundur të kenë të dhëna të tilla nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë.

    Sipas tij, autoritetet serbe shkelin ligjin kur bëhet fjalë për shqiptarët, pasi ata nuk i lajmërojnë me kohë ashtu siç e parasheh ligji dhe vetëm kur shqiptarët shkojnë të vazhdojnë dokumentet e identifikimit e kuptojnë që janë larguar nga regjistri civil dhe në këtë mënyrë ata edhe humbin të drejtën për ankesë.

    Image
    Banorët shqiptarë në një kafene afër ndërtesës së Komunës së Preshevës.

    “Është shumë e vështirë, pothuajse e pamundur me pas të dhëna nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë, sepse është jashtëzakonisht shumë jotransparente edhe pothuajse shumë të vështirë për të pasur të dhëna për shembull organet shtetërore që janë ligjzbatues për çështjen e pasivizimit të vendbanimeve se a po veprojnë njëjtë do me thënë me komunat dhe komunitetet tjera në Serbi, e para. Dhe e dyta është çështja se nuk ka fare as transparencë edhe për mundësitë edhe mekanizmat që i ka paraparë edhe legjislacioni. Për shembull, shpeshherë nuk ka paralajmërim e veçanërisht nuk jepen shumë mundësi do t’thotë mekanizmat shtetërore për ankesë të qytetarëve të cilëve iu pasivizohet vendbanimi. Do të thotë sipas ligjit janë 8 ditë që mund të ketë ankesë, por shpeshherë, palët nuk e marrin as vendimin që iu ka pasivizua vendbanimi dhe shpeshherë ata e kuptojnë vetëm kur të shkojnë për ta vazhduar pasaportën apo për të realizuar ndonjë të drejtë edhe ka njerëz që 6 muaj më vonë e kuptojnë që iu ka pasivizuar vendbanimi edhe realisht e kanë humbur edhe të drejtën e ankesës. Dhe kjo flet që faktikisht ky mekanizëm dhe kjo mënyrë se si e zbatojnë këtë ligjin për pasivizimin e vendbanimeve përveç se është selektiv, do të thotë ka prirje për të pamundësuar jo vetëm animimin, por për ta pamundësuar realisht edhe të drejtave që ia mundëson edhe ky ligj. Dhe kjo është pjesë e kësaj që e thashë pak ma herët, që përveç se nuk respektohen dhe nuk avancohen të drejtat e shqiptarëve me legjislacionin aktual, sepse ka plot fusha të cilat do të duhej të ndryshohet legjislacioni për realizimin e të drejtave të minoriteteve në Serbi, edhe ky legjislacion në fuqi ka prirje faktikisht të zbatohet në mënyrë selektive edhe me një agresivitet shpeshherë të jashtëzakonshëm edhe shumë më shumë në mesin e shqiptarëve. Dhe kjo flet faktikisht se po përdoren, le të themi, metodat moderne që përmes ligjit tashmë në mënyrë legale të diskriminohen komunitetet joshumicë në Serbi”, u shpreh Kamberi.

    Shqiptarët në Luginë të Preshevës, përkatësisht në dy komuna, në Preshevë e Bujanoc përbëjnë shumicën, kurse në Medvegjë ata (shqiptarët), janë pakicë. Mirëpo shlyerjen nga regjistri civil, autoritetet serbe fillimisht e kanë praktikuar në Medvegjë, e më pas edhe në dy komunat e tjera, Preshevë e Bujanoc, me të vetmin qëllim, uljen e popullsisë shqiptare në këto treva, e që janë të tyre.

    Prej kohësh udhëheqësit politik shqiptarë në Luginë të Preshevës kanë ngritur zërin rreth çështjes së pasivizimit të adresave, mirëpo as nga ndërkombëtarët nuk është ndërmarrë asnjë masë, apo nuk ua kanë tërhequr vërejtjen autoriteteve serbe. 

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark