Dritan Shakohoxha, rival i Armand Dukës për president të Federatës Shqiptare të Futbollit, flet për herë të parë për objektivat e tij. Në emisionin e Baton Haxhiut në “ABC” ai vendos theksin tek infrastruktura dhe kualifikimi i trajnerëve.
Dritan Shakohoxha ka konfirmuar prej kohësh që do të kandidojë për postin e presidentit të Federatës Shqiptarë të Futbollit. Armand Duka, kreu aktual i qeverisë së futbollit në vend pritet që konfirmojë gjithashtu në vijim.
Shakohoxha, i njohur si gazetar e komentator sportiv, dëshiron një sfidë të re dhe së fundmi ka folur në emisionin “Tiranë-Prishtinë: Ku gabuam”, të Baton Haxhiut në ABC. Ai ka edhe disa objektiva, që i ka shpalosur:
“Qëllimi kryesor në këndvështrimin tim është që ne të krijojmë kushtet, maksimale që ky pasioni që mesa shoh unë po shkon drejt shuarjes, ta rindezim. Ky pasion po shkon drejt shuarjes, jo se nuk e duan shqiptarët futbolli, por për ta ushtruar atë është një sakrificë shumë e madhe.
Ne nuk kemi vend ku këto njerëz të mbajnë ndezur këtë pasion, ku të stërviten fëmijët e vegjël. Sa më shumë para të harxhojmë për të ndërtuar komplekse sportive, aq më shumë do ketë sukses sporti shqiptar. Duhet të nxjerrim futbollistë, por qëllimi është të krijojmë kushtet për fëmijët që të mos rrinë rrugëve, por të luajnë sport, të krijojnë frymën e grupit.”
“Kemi shkarkuar aplikacionin e kurseve të UEFA-s dhe mjafton me kaq. Kush është futur e ka marrë licencën. E kanë të gjithë diplomën. Nuk ka ngelur kush pa e marrë. Ne barazohemi me Gjermaninë për numrin e licencave, por askush nuk harxhon asnjë euro që këto trajnerë t’i shkollojmë edhe jashtë.
Të investojmë dhe të vijë dita që të kemi dhe ne. Shqipëria dhe Kosova kanë vetëm një opsion për një trajner shqiptar, ai është vetëm Besnik Hasi. Të gjithë rrotullohemi, por ai u bë në Belgjikë”, është shprehur Shakohoxha gjatë emisionit. / oversport.tv