×
  • Lajme
  • Lajme / Kosovë

    “Shitblerje votash, nepotizëm, shantazh”- Ish’kryesuesi i PDK’së në Shtime hedh akuza të rënda ndaj Vetëvendosjes

    Insajderi
    10 November 2023 - 16:00
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Tash e tre muaj komuna e Shtimes është duke u marrë me kryesues të Kuvendit Komunal. Komunës që qeveriset nga Lëvizja Vetëvendosje nuk i leverdisi ta mbajë në këtë pozitë një oponent të PDK-së. Opozita e kishte shkarkuar Adnan Ademin e VV-së nga pozita e kryesuesit në shtator të këtij viti ku një muaj më vonë zgjodhi Rrahman Jakupin e PDK-së. Ende pa u bërë fiks një muaj Jakupi u shkarkua me votat e koalicionit LVV-LDK-AKR.

    Gazeta Insajderi

    Rrahman Jakupi ka hedhur akuza të rënda drejt koalicionit Vetëvendosje, LDK dhe AKR.

    Në një prononcim për Gazetën Insajderi, Jakupi tha se tri partitë kanë blerë vota për shkarkimin e tij dhe se nuk kanë dhënë ndonjë arsye pse e kanë marrë këtë vendim.

    Pushteti i Qemajli Aliut, me koalicionin LVV-LDK-AKR në Shtime, me veprime të dyshimta, kanë arritur të marrin në kontroll Kuvendin e Komunës nëpërmjet kontrabandimit dhe blerjes të votave. Tri partitë janë ba bashkë, kanë bërë shit-blerje të votës së individëve. Ligji për procedurën administrative thotë se çdo vendim që merret duhet me pas arsyen për shkarkim, këta nuk e kanë ba dhe mendoj që është një nga shkeljet për këtë shkarkim. Ata më kanë shkarku pa arsye”, tha Jakupi.

    Jakupi pretendon se shkarkimi i tij u arrit duke u punësuar familjarë dhe persona të afërm me pushtetin në Shtime.

    Ata kanë arrit përmes pazareve politike, një anëtarit të kuvendit ia kanë ba gruan drejtoreshë, një tjetër e kanë qu këshilltar në Ministrinë e Pushtetit Lokal dhe tani këshilltarin e Pushtetit Lokal dje e kanë ba drejtor të Shëndetësisë në Shtime, të komunitetit egjiptas“, deklaroi ish-kryesuesi.

    Jakupi shtoi se në shkarkimin e tij janë të përfshirë edhe biznese, që sipas tij po ndërtojnë objekte ilegalisht.

    Kanë qenë të përfshirë edhe biznese të cilat kanë qenë të kushtëzuara prej ekzekutivit, të cilët janë kushtëzu dhe kërcënu me i ndihmu për me më shkarku mu. Ka pas oferta direkte prej bizneseve ndaj anëtarëve të kuvendit për shkak të ndërtimeve ilegale në Komunën e Shtimes“, u shpreh ai.

    Tutje, ai tha se do të bëjë ankesë në MAPL kundër vendimit të kuvendit komunal për shkarkimin e tij.

    Këta kanë ba rreth 8 shkelje administrative dhe unë kam me ba ankesë në MAPL për shkarkimin tim. Ne prapë ia shkarkojmë kryesuesin sepse është duke udhëhequr kundërligjshëm“, theksoi Jakupi nga PDK.

    Me 3 nëntor 2023, Adnan Ademi u zgjodh përsëri Kryesues i Kuvendit të Komunës së Shtimes. Këtë e bëri të ditur vetë Ademi përmes një postimi në Facebook.

    Dy muaj më parë, Ademi ishte shkarkuar në arsyetimin për gjuhë joparlamentare dhe joetike të përdorur në kuvend, nepotizmin e shkeljet ligjore.

    Gazeta Insajderi ka siguruar edhe dokumentin e asamblistëve të kuvendit mbi arsyetimin për shkarkimin e Adnanit, ndërkohë nga komuna nuk kanë kthyer përgjigje për rastin në fjalë. /Insajderi.org

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark