Një shkrim i publikuar më 2002 në uebfaqen e Lëvizjes Vetëvendosje, por i fshirë disa ditë më parë, rehabilitonte figurën e ish-diktatorit Sadam Huseini para fillimit të luftës së Irakut.
Në shkrimin e titulluar “Pse Amerika do ta sulmojë Irakun”, të publikuar në gazetën e Lëvizjes Vetëvendosje, e cilësonte të pabazë argumentin e Uashingtonit se Huseini është diktator që “sundon me brutalitet popullin e Irakut”.
“Argumenti tjetër që Washingtoni ka vënë në përdorim është ai moral, i mbështetur në faktin se Huseini është një diktator që sundon me brutalitet popullin e Irakut, se është kokëkrisur në politikën e tij dhe se ka shkelur të gjitha obligimet që iu janë servuar nga bashkësia ndërkombëtare”, thuhet në shkrimin e VV-së.
Tutje, shkrimi shpreh se ky argument “pin më pak ujë”.
“Por ky argument pin më pak ujë, meqë fakt është se Sadam Huseini sundon Irakun qe gati tridhjetë vjet, ndërkohë që në kohën kur ky ishte më i përdorshëm për politikën e jashtme amerikane (kur gjatë 1980-ave mbështetej nga Amerika në luftën kundër Iranit), askush në Washington s’e kishte çarë kokën për represionin e tij të brendshëm”, thuhet në shkrim. /Insajderi.org