Ishte marsi i vitit 2021, kur Shqipe Mjekiqi ishte bërë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Kryetari i kësaj të fundit, Lumir Abdixhiku, e kishe dhënë lajmin për anëtaren më të re, të partisë më të vjetër.
“Shqipe Mjekiqi, e doktoruar në fushën e shkencave politike në Trinity College në Dublin, nga sot do të jetë pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, kishte zbuluar Abdixhiku, i cili tregonte me tej se ajo i ka përfunduara studimet bazike në Universitet të Prishtinës, ndërsa ka kryer studimet postdiplomike në London School of Economics (LSE) në Britani të Madhe, shkruan Gazeta Insajderi.
“Një ligjeruese univeristare; bashkëpunëtore e jashtëzakonshme, nënë e dy fëmijëve – Shqipja, nga sot, pasuron rradhët tona politike në aktivitetin e bollshëm që na pret përpara. Ajo mbetet motiv i aktivizimit politik për të rinjtë e të rejat e për profesionistët e vendit tonë. Mirë se vjen“, vazhdonte tutje shkrimi i prijësit të LDK-së, transmeton Gazeta Insajderi.
Atë kohë e njëjta ishte emëruar nënkryetare e partisë së tretë në vend.
Menjëherë pasi e kishte marrë postin e nënkryetares ajo thoshte se koha në të cilën po i bashkohej LDK-së nuk ishte më e mira, porse, sipas saj, ishte koha më e mirë për të kontribuar në rikthimin e partisë në piedestal.
“Dje, me propozimin e Kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Dr. Lumir Abdixhiku, dhe me mbështetjen e Këshillit të Përgjithshëm jam zgjedhur Nënkryetare e partisë. Koha në të cilën unë po i bashkohem LDK-së nuk është më e mira për të. Në zgjedhjet e fundit LDK morri përqindjen me të ulët të votave që nga themelimi i saj para 30 vjetësh. E kuptoj që shumë prej jush ndjeheni të zemëruar me këtë rezultat”, shkruante Mjekiqi, transmeton Gazeta Insajderi.
Më tej, Mjekiqi deklaronte se spektri politik në Kosovë ishte i mangët pa Lidhjen Demokratike të Kosovës.
“Por, është koha më e mirë për mua dhe shumë të tjerë të kontribuojmë në rikthimin e LDK-së në piedestal, aty ku e ka vendin. Spektri politik në Kosovë është i mangët pa Lidhjen Demokratike të Kosovës, për zhvillimin e së cilës punuan me shumë mund e sacrificë gjenerata të shumta nën udhëheqjen e Presidentit Ibrahim Rugova. Nëpërmjet përfaqësimit në LDK, nën udhëheqjen e Lumirit, unë do të mundohem t’i shërbej popullit dhe shtetit të Kosovës. Ju faleminderit për mbështetjen”, vazhdonte shkrimin ajo, transmeton Gazeta Insajderi.
Por, ajo sot ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetares së partisë, pa i bërë të ditura arsyet.
Se paku kështu ka konfirmuar një burim i Gazetës Insajderi brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës.
“Arsyeja ende nuk dihet, por është e vërtetë që ka dhënë dorëheqje”, i tha ky burim Gazetës Insajderi.
Gazeta ka provuar të marrë një përgjigje nga vet Mjekiqi, por kjo e fundit ka qenë e paqasshme ashtu sikurse zëdhënësit e partisë./Gazeta Insajderi/
Lexo edhe: