×
  • Lajme
  • Lajme

    Shteti po dështon t’i mbrojë gratë – A duhet të jap dorëheqje Xhelal Sveçla?

    Insajderi
    16 April 2024 - 11:27
    Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Gazetës Insajderi në Viber.

    Dy vrasje të grave nga burrat e tyre ndodhën për më pak se një javë në vendin tonë.

    Kjo dukuri shqetësuese po vazhdon të jetë në rritje nga viti në vit.

    Vrasja e grave nga burrat e tyre në shumë raste po ndodhë pasi që viktimat po i raportojnë në institucionet e sigurisë.

    Dështimi i Policisë për t’u ofruar siguri grave, pasi këto të fundit po e raportojnë dhunën, po shihet shqetësuese.

    Po ashtu, një dukuri gjith’herë e në rritje është edhe numri i madh i përdorimit të armëve pa leje.

    Dështimi për dënimin e dhunuesve e mbi të gjitha të mbrojtjes së viktimave, po prodhon pasoja fatale për gratë kosovare.

    Edhe rasti i sotëm në Pejë, është i tillë.

    Në vitin 2021, i dyshuari për vrasjen e gruas së tij, Edmond Lajqi, ishtë dënuar për dhunë në familje.

    Dënimi ndaj tij ishte qesharak: 400 euro gjobë.

    Rast i tillë tragjik ku ish bashkëshorti vrau gruan ndodhi të premtën e kaluar në Ferizaj.

    36 vjecari Valon Aliu vrau ish-gruan e tij 21 vjecare në njërën nga zyret e Qendrës për Punë Sociale.

    Ndaj Valon Aliut ekziston dyshimi se me dashje ka privuar nga jeta të ndjerën E.C, me të cilën ka bashkëjetuar, duke e goditur me armë disa herë në kokë dhe duke plagosur në krah vëllain e të ndjerës.

    Arma që u përdor në rast sipas prokurorit ishte pistoletë e tipit Zoraki m2906-T me kalibër 9 milimetër.

    Arma është sekuestruar bashkë me një karikator të zbrazët. Në kallëzimin penal kundër të pandehurit Valon Aliu, ai po dyshohet për veprat penale – vrasje e rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

    Edhe në këtë rast i dyshuari kishte të kaluar kriminale.

    Valon Aliu kishte pasur gjashtë raste penale për vepra të ndryshme kriminale përgjatë periudhës 2008 – 2023.

    Rasti më i famshëm i këtij lloji është ai i vrasjes së Marigona Osmanit nga Dardan Krivaqa.

    Dështim total i shtetit karshi Dardan Krivaqës, i cili kishte pasur mbi 100 raste penale në lajmëruara në Policinë e Kosovës.

    Përveç tyre në shumë raste të tjera persona më të kaluar kriminale, duke i shpëtuar dënimeve nga institucionet vendore, kanë përfunduar duke i vrarë gratë e tyre.

    Dështimi i institucioneve, nuk po i bënë përshtypje ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

    Në asnjë nga këto raste të rënda dhe të shpeshta, Sveçla, nuk ka dhënë dorëheqje – të paktën morale.

    Derisa situata është bërë alarmante dhe shqetësuese dhe pas vrasjes së sotme të gruas në Pejë, ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka njoftuar se ka thirrur në takim ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.

    Nuk dihen hapat që do të merren nga dy krerët e institucioneve të drejtësisë dhe sigurisë.

    Po ashtu nuk dihet nëse ndonjëherë ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, do të merr përgjegjësi për dështimin e hallkave shtetërore për t’i mbrojtur gratë.

    Sukseset e Policisë, Sveçla nuk përton që t’ia faturojë vetës, por jo edhe dështimet e saj.

    /Insajderi.org/

    OP-ED
    Nga Rubrika

    © 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Impressum

    Kontakt

    Trademark