×
Insajderi / Insajderi

Si e kishte parashikuar saktësisht Kurti më 2020 dështimin e tij në Veri – “Mund të arrestosh 4 persona por të ngrisin 40 barrikada, kjo është dështim”

Insajderi
21 February 2023 - 20:54
Klikoni Këtu për t'u bërë pjesë e kanalit të Insajderit në Youtube.

Ishte viti 2020 dhe e kishin rrëzuar nga qeveria. Ishte kryeministër në detyrë. Albin Kurti po jepte intervistë ku po shpjegonte disa “anomali” të cilat i ishin dikur “të çuditshme” nga një ministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, shkruan Insajderi.

“Agim Veliu më vinte nganjëherë me disa propzoime të çuditshme”. Kështu pati thënë në një intervistë në “Jeta në Kosovë” në prill të 2020’ës, teksa shpjegonte se si i ishte kërkuar miratimi për një aksion policor në Zubin Potok.

“Dy herë ish-Ministri i Brendshëm [Agim Veliu], njëherë me ish-Zëvendës Kryeministrin [Avdullah Hoti], erdhi që të merr miratimin tim për aksione policore kundër krimit dhe korrupsionit me ç’rast thoshte se janë të përgatitura mirë; vetëm pritet edhe miratimi nga ana ime ndaj asaj që ishte ndërmarrje policore e studiuar thellë, e përgatitur gjatë”, shpalonte Kurti.

Kurti thotë se Veliut dhe Hotit ua kishte kumtuar një të vërtetë, që në atë pjesë të vendin “nuk është se kemi përvojë të mirë me ndërhyrje”, teksa u kishte kërkuar një “analizë me shkrim”.

Megjithatë, Kurti, siç tregon vet, u kishte drejtuar të dyve me një konstatim të tij. Pse të luftohet krimi dhe korrupsioni vetëm në Veri, kur “numri më i madh i të korruptuarve dhe kriminelëve për metër katror në aspektin ekonomik është në kryeqytet”, shkruan Insajderi.

Si bëhet që vazhdimisht krimi dhe korrupsioni duhet të luftohet diku ku do të fërkohemi me Serbinë”, thoshte Albin Kurti. Pse bash atje dhe vetëm atje, pyeste ai.

“Sepse ju e dini: nuk ka vetëm dështime spektakolare, por ka edhe suksese fatale. Ti mund t’i arrestosh katër veta, por nëse ngritën 40 barrikada për katër veta, ti ke dështuar sërish”, thoshte me bindje të plotë ai.

“Ministri më kërkonte aprovim për aksione diku ku gjithmonë ka probleme edhe politike”, e përfundoi ai, teksa Veliun e quante “kolaboracionist” të Presidentit Hashim Thaçi.

Gati 3 vite më vonë, tryeza e kthyer mbrapsht

Ishte arrestimi i një ish-zyrtari policor, Dejan Pantiq, i akuzuar për sulme terroriste ndaj kuvendeve komunale zgjedhore në Veri në dhjetor të vitit të kaluar që kishte bllokuar veri për mëse 20 ditë, dhe për të cilin u desh ndërhyrje ndërkombëtare.

Ishin Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe Forca Paqeruajtëse e NATO-s në Kosovës, që të angazhoheshin bashkërisht, që për lirimin e Dejan Pantiq, të hiqnin dhjetëra barrikadat e vendosura në tërë veriun e vendit.

Në barrikada kishte edhe njerëz të armatosur. Konflikti ishte real, ku Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u desh të pres intervenimin e KFOR-it për heqje të barrikadave.

Thënë në fjalët e Kurtit, “Ti mund t’i arrestosh katër veta, por nëse ngritën 40 barrikada për katër veta, ti ke dështuar sërish”, por në këtë rast ishte arrestimi vetëm i një personi./Insajderi/

OP-ED
Nga Rubrika

© 2016-2024 Gazeta Online Insajderi - Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Impressum

Kontakt

Trademark